Lajme

(Ç)votimi në veri, drejt dështimit


Ilustrim

Në katër komunat e banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – më 21 prill 2024 nisi procesi i votimeve për largimin e katër kryetarëve shqiptarë që u zgjodhën në prill të vitit të kaluar, por ky proces është duke shkuar drejt dështimit për shkak të bojkotimit en masse të komunitetit serb në Kosovë.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, tha në një konferencë për shtyp se deri në orën 15:00 në katër komunat veriore vetëm 203 persona morën pjesë në votimet për shkarkimin e kryetarëve aktualë komunalë, derisa u bëri thirrje të gjithë qytetarëve ta ushtrojnë të drejtën e votës. Por çfarë paralajmëroi Qeveria e Kosovës në dhjetor 2023?

Në bazë të një raporti të miratuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës në fund të vitit të kaluar, ku flitej për mekanizmat e demokracisë lokale, ekzekutivi kosovar e konsideroi “vështirë të arritshëm” përmbushjen e kritereve për largimin e kryetarëve lagalë, ndonëse jo legjitimë, të katër komunave veriore – Lulzim Hetemi, Izmir Zeqiri, Ilir Peci dhe Erden Atiç.

“E para, nisma për largim kërkon një kuotë prej 20 për qind të votuesve të regjistruar e që është mjaft sfiduese për t’u arritur. Ndërsa e dyta, procedura e votimit për largim kërkon aprovimin e shumicës së votuesve të regjistruar e cila është e paarritshme dhe mund të bazohet referuar numrit të votuesve që kanë votuar në zgjedhjet lokale”, thuhej në këtë dokument.

“Mbetet për t’u shqyrtuar nëse një iniciativë e tillë për largimin e kryetarit, një funksion që zgjidhet me votim të drejtpërdrejtë, të mund të rregullohet tutje me një akt nënligjor, apo përmes një ligji të veçantë”, theksohej në raportin e publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës për procesin e votimeve në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.

E kërkesa për referendumin e 21 prillit dhe organizimi i zgjedhjeve të reja, në bazë të udhëzimit administrativ të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), duhej të nënshkruhej nga njëzet (20) për qind e votuesve të regjistruar. Ky kriter u arrit, por duket se kriteri tjetër në bazë të së cilit synohet t’u hapet rruga zgjedhjeve të reja në veri nuk do të përmbushet.

Në kulmin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, partia kryesore e serbëve të Kosovës vendosi që edhe njëherë t’u bëjë presion qytetarëve të komunitetit serb në veri të territorit kosovar që të mos u përgjigjen proceseve demokratike në vend, duke bërë që serbët në këtë pjesë të Kosovës të bojkotojnë procesin e votimeve për shkarkimin e kryetarëve aktualë.

Ismet Kryeziu nga rrjeti i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV) konsideroi më herët gjatë ditës se procesi i votimeve është duke shkuar drejt dështimit për shkak të interesimit të ulët të qytetarëve serbë për të shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës pro apo kundër shkarkimit të kryetarëve aktualë në katër komunat veriore të Kosovës.

“Në aspektin ligjor, në masë të madhe plotësohen kriteret ligjore, por gjithsesi si pjesëmarrje janë të dështuara. Ne edhe më herët i kemi bërë thirrje KQZ-së që të anulojë këtë proces duke marrë parasysh koston financiare, angazhimin e njerëzve dhe indikatorët për bojkotimin e këtij procesi zgjedhor”, deklaroi Kryeziu në një konferencë për shtyp pasdite.

Në bazë të udhëzimit administrativ që mundëson largimin e kryetarëve të komunave nga shtatori i vitit të kaluar, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote që referendumi të ketë sukses. Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote për procesin e votimeve për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut është 46 mijë e 556. Në Leposaviq janë 13 mijë e 674 votues, në Zubin Potok janë 6 mijë e 877 votues, në Zveçan të drejtë vote kanë 7 mijë e 209 votues dhe në Mitrovicë të Veriut janë 18 mijë e 796 votues.

Në rast se në votimet e 21 prillit në pjesën veriore të territorit kosovar nuk marrin pjesë më shumë se gjysma e trupës elektorale në secilën komunë, atëherë iniciativa do të konsiderohet e dështuar. Për pasojë, kryetarët shqiptarë nuk do të mund të largohen me iniciativë qytetare për 12 muajt e ardhshëm – minimalisht deri në maj/qershor të vitit 2025.

Një ndër kushtet e Bashkimit Evropian (BE) për largimin e masave ndaj Kosovës të vendosura në qershor 2023 për shkak të përshkallëzimit të situatës në vend është shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe organizimi në mënyrë gjithëpërfshirëse në të gjitha katër komunat serbe në veri, kurse nga serbët kërkohet që të marrin pjesë pa kushte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore