Vuçiç vë në gatishmëri ushtrinë për shkak të situatës në Kosovë

SHFLETO

Aleksandër Vuçiç

 

Dreni Himbeqa
01.11.2022 10:41
Loading Icons...

“Aleksandër Vuçiç, si komandant i përgjithshëm i ushtrisë së Serbisë, ka lëshuar urdhër që Forcat e Armatosura të Serbisë, të jenë në gatishmëri në atë mënyrë që mund t’i përgjigjen çdo detyre”.

Kështu të paktën ka deklaruar ministri i ri i Mbrojtjes në Serbi, Millosh Vuçeviç, në një paraqitje televizive, duke nënvizuar faktin se kjo ngritje e nivelit të gatishmërisë ushtarake nuk duhet kuptuar se Serbia po përgatitet për luftë.

Sipas tij e gjitha kjo përgatitje e ushtrisë ka të bëjë me situatën aktuale në Kosovë, pas skadimit të afatit për konvertimin e targave ilegale në ato RKS dhe fillimit të zbatimit të vendimit të shkallëzuar për këtë çështje.

“Serbia është një vend serioz, merr përgjegjësi për të gjitha problemet e mundshme. Nuk do të thosha se kjo është zgjidhur. Me Kurtin nuk dihet, sot në mëngjes u dha qortimi i parë për një serb i cili nuk kishte zbatuar vendimin e Qeverisë për targat. Nuk më besohet se shtetet e QUINT-it nuk kanë asnjë ndikim te Albin Kurti”, ka thënë Vuçeviç në një intervistë për televizionin serb, Happy.

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, ka pranuar që ta shkallëzojë vendimin për targat, duke mos i konfiskuar veturat me tabela ilegale, por fillimisht duke i qortuar, më pas në një afat tjetër gjobitur.

Shkallëzimi tjetër do të jetë vendosja për dy muaj e tabelave provuese dhe vetëm pas 21 prillit të vitit 2023. Kurti tha se do të konfiskohen targat ilegale KM.

“Për tri javë duke filluar nga 1 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Më pas, deri me 21 janar do të shpërndahen gjoba. Dhe pastaj, nga 21 janari, do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas secilës datë me 21 prill nuk mund të ketë, sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, shpjegoj Kurti në mbledhje të qeverisë.

Kryeministri e ka pranuar se ky ndryshim vendimi po vjen, si përgjigje e qeverisë “për ndjeshmërinë e shtuar edhe ndërkombëtare sa i përket paqes dhe sigurisë”.

Megjithatë për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, ShBA-të, prapë kanë shprehur pakënaqësi.

“SHBA-të janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për të bërë çfarë i kanë kërkuar partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në një komunikatë për media menjëherë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Se me vendimin e Qeverisë së Kosovës ShBA-të kanë mbetur të zhgënjyer e ka përsëritur edhe Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken, këtë të premte, përkundër se Qeveria pranoi që ta zbus vendimin për targat dhe të mos shkojë me konfiskime të veturave, por me qortime e gjoba.

Blinken duke folur për mediumin The Pavlovic Today, në intervistë me gazetaren Ksenija Pavlovic McAteer, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë “të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën e partnerëve ndërkombëtarë”, për ta shtyrë vendimin për 10 muaj.