Kosova

TI: Qeveria duhet ta përmirësojë transparencën dhe të përmbahet nga ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë


Ilustrim.

Sipas raportit të organizatës ndërkombëtare “Transparency International” për vitin 2022 Kosova ka bërë përparim në luftën ndaj korrupsionit, mirëpo është kritikuar për mungesë të transparencës dhe ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

Përmes një matësi nga 0 deri në 100 pikë, sipas TI-së, Kosova ka grumbulluar 41 pikë në luftën ndaj korrupsionit.

Matësi 100 tregon vlerën për vendin i cili është shumë i pastër nga korrupsioni, në indeksin e këtij viti Kosova radhitet në vendin e 84 me 41 pikë.

“Kosova (41) ka bërë përparim me kornizë të përmirësuar të ligjit për financimin e fushatave politike dhe zgjedhore, por zbatimi i reformave të tilla do të jetë kyç në muajt e ardhshëm. Qeveria duhet ta përmirësojë ende transparencën dhe të përmbahet nga çdo ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Edhe pse vitin e kaluar nuk ka pasur skandale të korrupsionit që kanë dalë në dritë, kjo s’do të thotë se korrupsioni është nën kontroll”.

“Shpenzimet e ulëta buxhetore për investime kapitale në vitet e fundit kanë ulur mundësitë për korrupsion në shpërndarjen e kontratave publike, që ka qenë problem i së kaluarës”, thuhet në këtë raport.

Ky është niveli më i lartë i pikëve në 10 vjetët e fundit për Kosovën, por sipas “Transparency International”, Kosova vazhdon të mos e ketë nën kontroll korrupsionin.

Duke thënë se “Ballkani Perëndimor është i njohur për rezistencën e ulët ndaj krimit të organizuar e se shtetet kanë qenë të ngadalshme në adresimin e rrezikut”.

Në raport janë përmendur edhe tensionet Kosovë-Serbi si shkaktare për rritje të rrezikut në rajon, duke theksuar “minimin e bashkëpunimit kufitar, që është çelës i luftimit të suksesshëm ndaj krimit të organizuar”.

“Vendimmarrja politike më transparente dhe e përgjegjshme, përfshirë edhe dialogun Kosovë-Serbi, do të krijonte klimë më të përshtatshme për zgjidhjen konstruktive të konfliktit të ngrirë dhe do të mundësonte zbatimin e reformave kyçe si parakusht për integrimin në BE”.

Kurse, hulumtuesi i lartë nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, në një konferencë për media ka thënë se Kosova renditet e dyta në Ballkan për luftimin e korrupsionit.

“Ky rezultat reflekton një trend të vazhdueshëm dhe inkurajues të njehsimit të Kosovës në këtë indeks krahasuar me vitet e kaluara. Në raport me vendet tjera të Ballkanit, Kosova renditet e dytë pas Malit të Zi ndërsa lë pas vetes Maqedoninë e Veriut me 40 pikë, Shqipërinë dhe Serbinë me nga 36 pikë si dhe Bosnje Hercegovinën me 34 pikë”.

Sipas tij, në raport ka pasur vende të cilat nuk kanë lëvizur në raport me luftën kundër korrupsionit.

“Për vitin 2022 rezultatet e Indeksit tregojnë që disa shtete të botës kanë pasur fare pak apo nuk kanë pasur progres në luftimin e korrupsionit duke bërë që 2/3 e shteteve të botës të jenë në anëtare të pranueshme prej 50 pikësh ku bën pjesë edhe Kosova. Për vitin 2022 Kosova është e vlerësuar me gjithsej me 41 pikë duke u renditur në vendin e 84 nga 180 shtete të botës”.

Në raport përmirësime për vitin 2022 ka shënuar edhe Shqipëria duke shënuar 36 pikë e që aktualisht është e 101 në renditje, ngritja e Shqipërisë në këtë raport ka qenë për një pikë në krahasim me vitin e kaluar.

Gjithashtu, edhe Maqedonia e Veriut është përmirësuar për një pikë ajo është e 85-a me 40 pikë.

Serbia ka rënë për dy pikë dhe me 36 sosh është e 101-a në renditje, ndërsa për një pikë ka rënë edhe Mali i Zi që është i 65-i në renditje me 45 pikë.

Bazuar në këtë raport më së miri në botë në luftën ndaj korrupsionit është paraqitur Danimarka.

Ajo ka 90 pikë në Indeksin e sivjetmë të Perceptimit të Korrupsionit.

Pas Danimarkës janë Finlanda, Zelanda e Re, Norvegjia, Singapori, Suedia, Zvicra, Holanda, Gjermania, Irlanda e Luksemburgu që mbyllin dhjetëshen e parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore