Kosova

Rakiç dënohet me 3 muaj burgim me kusht dhe 1 mijë euro gjobë për mosraportim të pasurisë


Goran Rakiç.

Gjykata Themelore e Prishtinës, e ka dënuar me 3 muaj burgim me kusht dhe 1 mijë euro gjobë ish-kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiç, i cili akuzohet se në cilësinë e ministrit për Komunitete dhe Kthim, s’ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë.

Bazuar në këtë aktgjykim dënimi i shqiptuar me burgim prej 3 muajve nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari s’kryen vepra të tjera penale brenda periudhës verifikuese prej një viti.

Kurse, dënimin me gjobë prej 1 mijë euro, Rakiç obligohet që ta paguaj në afat prej 15 ditësh pasi që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.

Në rast se gjoba s’paguhet atëherë ky dënim do të zëvendësohet në dënim me burgim duke iu llogaritur shuma prej 20 euro për një ditë burgim.

Rakiç është obliguar që të paguaj edhe shpenzimet procedurale për aq sa do të llogariten nga gjykata dhe atë shumën prej  100 euro për paushallin gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më 14 maj, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë Rakiç-it, i cili në cilësinë e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë për vitin 2020 – vepër e sanksionuar me gjobë ose burgim.

Në bazë të aktakuzës, ish-kryetari i forcës më të madhe politike të serbëve të Kosovës, aktualisht deputet në Kuvendin e Serbisë, në cilësinë e ministrit, ka vepruar në kundërshtim me nenin 5 të ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollimin e pasurisë së zyrtarëve së lartë publikë, duke mos paraqitur saktë të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se Rakiçi në formularin për deklarimin e pasurisë më 31 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara për vitin 2020, respektivisht nuk ka deklaruar të hyrat vjetore të përfituara nga funksioni si asistent në Shkollën e Lartë Ekonomike në Pejë dhe funksionin në Ndërmarrjen Publike “Standard” në Mitrovicë.

Në arsyetimin e aktakuzës, prokuroria ka theksuar se ish-ministri serb e ka pranuar kryerjen e veprës penale dhe i njëjti është shprehur i gatshëm që të hyjë në negociata për pranimin e fajësisë, ka raportuar ndër të tjera platforma kosovare që mbulon kryesisht fushën e drejtësisë në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore