Kosova

Qeveria shtyn fillimin e procesit të regjistrimit të popullsisë


Qeveria e Kosovës ka votuar për shtyrjen e nisjes së procesit të regjistrimit të popullsisë për dy muaj. Procesi i regjistrimit të popullsisë ishte planifikuar të niste me 1 shtator.

Në mbledhjen e 156-të të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka fajësuar për vonesa Asociacionin e Komunave të Kosovës, Asociacion ky i cili, sipas Kurtit, ka rezistuar brenda Komisionit të Regjistrimit.

“Edhe pse përgatitjet u bënë përkundër rezistencës të prodhuar edhe brenda Komisionit Qendror të Regjistrimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, procesin nuk mund ta fillojmë para datës 1 nëntor 2023. Pra dy muaj më vonë për shkak të pamundësisë së Agjencisë së Statistikave të Kosovës që me vonesë të shkaktuara t’i planifikonte detajet”, ka thënë Kurti në arsyetimin para marrjes së vendimit.

Kurti ka deklaruar se Qeveria e Kosovës në vitin 2011 ka kryer regjistrimin “vetëm me memorandum bashkëpunimi me një organizatë ndërkombëtare”, regjistrim ky i cili sipas tij cenon shtetësinë Kosovës.

“Disa aktivitete ishin të domosdoshme për t’u përgatitur për datën 1 shtator 2023, kur duhej të fillonte regjistrimi i popullsisë. Për një proces të madhësisë së këtillë, ndihma ishte e mirëseardhur. Me mbështetjen e UNOPS-it do të ndërmerrnim hapat e parë për sigurim të prokurimit të pajisjeve të domosdoshme për procesin. Por, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare, ne s’mund të trajtonim një bashkëpunim të tillë ndryshe veçse si marrëveshje ndërkombëtare, për dallim nga Qeveritë e kaluara që më 2011 për qëllim të regjistrimit të popullsisë, bashkëpunimin me një organizatë ndërkombëtare të cilës ia transferuan miliona euro për qëllim prokurimi e bënë me një memorandum të thjeshtë bashkëpunimi. Mënyra e tillë e bashkëpunimit e cenon shtetësinë e Kosovës. Një gjë e tillë me qeverinë tonë nuk bëhet”.

Qeveria e Kosovës gjithashtu në mbledhjen e saj të radhës këtë të mërkurë ka ndarë 60 mijë euro për mbështetjen e punësimit të grave dhe 100 mijë euro të tjera për investim në infrastrukturë në kuadër të zbatimit të masës 1.3 dhe masës 5 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj 156-të ka miratuar edhe koncept-dokumentin për Kodin e Procedurës Civile.

Po ashtu qeveria ka miratuar edhe koncept-dokumentin për Gjykatën Administrative dhe të Punës.

Kabineti Qeveritar ka propozuar Kuvendit të Kosovës, emrat e dy kandidatëve, Florent Mehmeti dhe Salihe Gashi Loku për dy pozita të anëtarëve të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore