Projektvendimi, si do të kryhet regjistrimi i emigrantëve në zgjedhje

Procesi i regjistrimit do të kryhet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), i cili ka vendosur që çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote që ndodhet jashtë vendit në ditën e zgjedhjeve të regjistrohet për të votuar
SHFLETO
Brixhilda Xhuraj
23.09.2024 20:46
Loading Icons...

Komisioni Rregullator ka miratuar rregullat për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë vendit, duke shënuar një hap të rëndësishëm për integrimin e diasporës shqiptare në procesin zgjedhor.

Procesi i regjistrimit do të kryhet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), i cili ka vendosur që çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote që ndodhet jashtë vendit në ditën e zgjedhjeve të regjistrohet për të votuar.

Zgjedhësit do të duhet të përdorin Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) për të paraqitur kërkesën e tyre individuale.

Afati për paraqitjen e kërkesave fillon 120 ditë përpara datës së zgjedhjeve dhe përfundon 68 ditë para kësaj date.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka theksuar rëndësinë e këtij procesi dhe do të njoftojë publikisht për hapjen e regjistrimit jo më vonë se 10 ditë para fillimit të tij. Kjo do të sigurojë që diaspora të jetë e informuar dhe të ketë mundësi për të regjistruar veten si zgjedhës.

Pasi zgjedhësi paraqet kërkesën, KQZ do të marrë një vendim brenda 5 ditëve kalendarike dhe do ta njoftojë zgjedhësin në llogarinë e tij në PER, si dhe në adresën e emailit të deklaruar.

Lista e zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit do të jetë një listë e vetme në nivel zone zgjedhore, përfshirë të gjithë ata që kanë shprehur vullnetin për të votuar nga jashtë dhe që janë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.

Kjo listë do të përgatitet rishtazi për çdo palë zgjedhje dhe KQZ-ja, së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, do të ruajë bazën e të dhënave të zgjedhësve për çdo proces zgjedhor.

63 ditë përpara datës së zgjedhjeve, KQZ do të publikojë listën paraprake të zgjedhësve që votojnë nga jashtë.

Ajo do të ofrojë një mundësi për zgjedhësit që të rregullojnë çdo pasaktësi në regjistrimin e tyre brenda 48 orëve nga publikimi. Pas kësaj periudhe, 60 ditë para zgjedhjeve, KQZ do të miratojë dhe publikojë listën përfundimtare të zgjedhësve që votojnë nga jashtë.

Nisma është parë si një hap i rëndësishëm për të siguruar që shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të kenë zë në procesin politik të vendit të tyre, duke forcuar lidhjet mes diasporës dhe atdheut.

Me një sistem të tillë të regjistrimit, pritet që diaspora të luajë një rol më aktiv në vendimmarrjen politike në Shqipëri.

https://albanianpost.com/kqz-zbardh-projektvendimin-per-voten-e-emigranteve/