SHBA po planifikon të ndalojë disa pajisje dhe software të prodhuar në Kinë dhe Rusi nga makinat, kamionët dhe autobusët në SHBA për shkak të rreziqeve të sigurisë.
Zyrtarët janë të shqetësuar se teknologjia në fjalë, e përdorur për vozitje autonome dhe për të lidhur makinat me rrjete të tjera, mund të lejojë “manipulime nga distanca për makinat në rrugët amerikane”.
Aktualisht ka përdorim minimal të software-it të prodhuar nga Kina ose Rusia në makinat amerikane.
Por Sekretarja e Tregtisë, Gina Raimondo, tha se planet ishin hapa “të synuar, proaktiv” për të mbrojtur SHBA-të.
“Makinat sot kanë kamera, mikrofona, gjurmim GPS dhe teknologji të tjera të lidhura me internetin”, tha ajo.
“Nuk duhet shumë imagjinatë për të kuptuar se si një kundërshtar i huaj me akses në këtë informacion mund të përbëjë një rrezik serioz si për sigurinë tonë kombëtare ashtu edhe për privatësinë e qytetarëve amerikanë”.
Zyrtarët kinezë thonë se SHBA po zgjeron “konceptin e sigurisë kombëtare” për të synuar në mënyrë të padrejtë firmat kineze.
“Kina kundërshton zgjerimin e konceptit të sigurisë kombëtare nga SHBA dhe veprimet diskriminuese të ndërmarra kundër kompanive dhe produkteve kineze”, tha Lin Jian, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës.
“Ne i bëjmë thirrje palës amerikane të respektojë parimet e tregut dhe të sigurojë një mjedis biznesi të hapur, të drejtë, transparent dhe jo-diskriminues për ndërmarrjet kineze”.
Propozimi, i cili tani do të hyjë në një periudhë komentesh, është i fundit nga Shtëpia e Bardhë që synon të kufizojë praninë e Kinës në zinxhirin e furnizimit të prodhimit të makinave.
Shtëpia e Bardhë ka rritur gjithashtu tarifat për makinat elektrike, bateritë për automjetet elektrike dhe një sërë artikujsh të tjerë.