Kosova

Politika e gabuar e Kurtit thirri mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, thotë Hoxhaj


Enver Hoxhaj.

Ish ministri i Jashtëm dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas seancës së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të kërkuar nga Serbia pas hyrjes në fuqi të Rregullores së re të Bankës Qendrore e Kosovës (BQK), që e përcakton euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë.

Sipas Hoxhës, mbledhja është thirrur për shkak të politikës së gabuar të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së fuqitë kryesore perëndimore si SHBA-ja, Britania dhe Franca, nuk pajtohen për asnjë temë ndërkombëtare me kundërshtarët e tyre lindorë, Rusinë dhe Kinën, por një politikë e brendshme dhe e jashtme e gabuar e Qeverisë Kurti ka bërë që të gjithë të pajtohen që të thirret mbledhja e Këshillit të Sigurimit e kërkuar nga Serbia, gjë që tregon se sa keq qëndron ndërkombëtarisht Republika e Kosovës si një vend pa drejtim dhe pa orientim”, ka shkruar ai.

Në një përballje të rrallë publike të enjten në Këshillin e Sigurimit të Organizatës Kombeve të Bashkuara (OKB), dy liderë ballkanikë që assesi të dalin nga situata parakonfliktuale, akuzuan njëri-tjetrin për gjendjen e tendosur në marrëdhëniet ndërshetërore.

Ndërsa shtetet anëtare të OKB-së shprehën drojën për potencialin destruktiv të veprimeve të papërgjegjshme.

Në hijën e retorikës së nxehtë dhe akuzave plot zemërim, në selinë e OKB-së në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç peshuan faktorët e alternimit të tensionit dhe krizës së mbrehtë në pjesën veriore të Kosovës të banuar nga serbët etnikë që përpiqen të mbajnë një sistem paralel.

Presidenti i Serbisë shpertheu në propagandë në nisje të seancës së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke thënë se vendimi i fundit i autoriteteve të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në territorin kosovar nuk ilustron vetëm “vazhdimësinë e sulmeve sistematike” ndaj serbëve të Kosovës, por është edhe “krim kundër njerëzimit”.

“Ndalimi i dinarit si mjet i ligjor pagese në territorin e Kosovës është vetëm një akt në vargun masave të planifikuara, të mirë organizuara dhe sistematike të Prishtinës, të cilat sulmojnë pupullatën serbe dhe qëllimi perfundimtar i së cilave është që në fund të krijojnë kushte të padurueshme jetese dhe të dëbojnë serbët nga territori i Kosovës”, tha ai.

“Nëpërmjet ndalimit të dinarit, regjimi i Prishtinës drejtpërdrejt pamundëson funksionimin e institucioneve shëndetësore, sociale, arsimore e kulturore që u mundësojnë serbëve për t’i siguruar vetes dhe familjeve të tyre kushte bazike për të pasur arsim, trajtim shëndetësor, medikamente”, shtoi Vuçiç.

E kryeministri i Kosovës gjatë adresimit para organit kryesor të OKB-së, deklaroi se pretendimet e Serbisë për shkelje të të drejtave të serbëve në Kosovë janë thjeshtë gënjeshtra të shpikura nga përkeqësimi i mendjes së një njeriu, instiktet politike të të cilit janë farkëtuar në epokën e ish-udhëheqësit fashist të Serbisë, Sllobodan Millosheviç, i cili kreu gjenocid në Kosovë.

Sëkëndejmi, kryeministri Kurti e kualifikoi gënjeshtër çdo pretendim të presidentit serb të shprehur në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së se nëpërmjet vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ku specifikohet se valuta e vetme për pagesa/transksione në Kosovë është euro, synohet përndjekja e serbëve nga Kosova.

“Çdo sugjerim tjetër nuk është asgjë më shumë se propagandë e rreme që synon nxitjen e tensioneve etnike. Ideja se Kosova kryen një fushatë të spastrimit etnik apo përndjekje kundër komunitetit serb është një gënjeshtër. Një gënjeshtër që është hedhur poshtë nga shumë institucione publike “, deklaroi ai.

Ai shtoi se Kosova nuk synon të hakmerret ndaj mizorive të pakrahasueshme të Serbisë të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, ndërsa ftoi presidentin serb ta nënshkruajë marrëveshjen e paqes së përkthyer në një dokument për të cilin Kosova dhe Serbia u pajtuan vitin e kaluar në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore