Kosova

Për të katërtën herë me radhë nuk konstituohet Komisioni Hetimor për Rezervat Shtetërore, mungojnë deputetët e LVV-së  


Komisioni Hetimor Parlamentar për Rezervat Shtetërore

Të premten për të katërtën herë me radhë ka dështuar të bëhet konstituimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me Rezervat Shtetërore.

Arsyeja e mos-konstituimit të Komisionit në fjalë edhe kësaj radhe ka qenë mungesa në mbledhje e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Rashit Qalaj, kryetari i Komisionit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, e ka cilësuar si të papranueshëm bojkotin që po e bënë mazhoranca, ndërsa ka bërë të ditur se anëtarët e këtij komisioni do t’i drejtohen kryetarit të Kuvendit në lidhje me mungesën e deputetëve të pozitës për të katërtën herë me radhë.

“Kjo ka vetëm një shpjegim dhe ata kanë për synim t’i ikin përgjegjësisë për keqpërdorimet në MINT. Jemi duke ardhur të gjithë në Komision çdo ditë që të zbardhet e vërtetat për keqpërdorimet në rezervat shtetërore”.

Në anën tjetër anëtarja e këtij Komisioni nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku, ka konstatuar se bojkoti i mazhorancës po bëhet me urdhër të kryeministrit, Albin Kurti.

“Këtë keqpërdorim nuk mund ta arsyetojnë dhe jam e bindur se mungesa e tyre është me urdhër të diktatorit (Albin Kurti)”, u shpreh ajo.

Kritika për mungesë të mazhorancës pati edhe deputetja tjetër e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.

Ajo madje tha se ndoshta deputetët e LVV-së po i besojnë Prokurorisë, ngase zyrtarët e saj janë deklaruar se këtë çështje duhet ta shqyrtojnë organet e drejtësisë.

“Pse po i besojnë sot Prokurorisë, çka ka ndodh, pse po blejnë kohë dhe pse janë të gatshëm t’i shohin këto prova prokurorët dhe jo ne? Fatkeqësia më e madhe është se po flasim për një ministre që gjithë këshilltarët i kanë ikur dhe sot në krah e ka një këshilltar që e kishte shofer”, tha Kica-Xhelili.

Në anën tjetër, Pal Lekaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se nëse vazhdohet me këtë bojkot është më mirë që të shkohet në zgjedhje.

“Po shihet qartë se mazhoranca po i bojkoton kërkesat e opozitës, opozita nuk është për të mirë të qytetarëve, për më tepër po i kundërshton ato. Në seancë nga të përzgjedhurit nuk janë deklaruar se nuk do të marrin pjesë, pagat i marrin paga të majme dhe sa herë që ne i kemi bojkotuar na kanë kritikuar. Nëse vazhdojmë me këtë bojkot, atëherë është më mirë që të shkojmë në zgjedhje”, tha Lekaj.

Kuvendi i Kosovës, pas rreth katër orësh diskutimesh, ka votuar për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për rezervat shtetërore, me 69 vota për, me 21 shator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore