Për çështjen e urës s’i besoj Qeverisë, më shumë po e përdor për ndarje se bashkim – thotë Sarrazin

SHFLETO

Manuel Sarrazin

 

Dreni Himbeqa
07.09.2024 12:14
Loading Icons...

I dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se “nuk i beson Qeverisë së Kosovës”, kur kjo e fundit deklaron se po zhvillon “dialog ndëretnik” me serbët dhe se ka një “momentum pozitiv” për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve.

“Dëgjoni, në këtë moment, kur thuhet se ka një diskutim ndëretnik dhe ka një momentum bashkues pozitiv për hapjen e Urës, unë nuk i besoj Qeverisë së Kosovës”, tha ai në një intervistë për KTV-në.

Ky mosbesim ndaj ekzekutivit kosovar, siç e shpjegon diplomati gjerman, është si rrjedhojë e hapave të paakordinuara dhe të njëanshme në Veri.

“Çdo të dytën ditë apo çdo të dytën javë kemi masa të pakoordinuara në veri dhe që japin sinjal për këtë. Dhe mendoj se është shumë e rëndësishme për nga pikëpamja ime personale që të kemi një gjendje më të mirë të komunikimit në Veri të Mitrovicës”, ka pohuar ai.

Paralajmërimi i hapjes së urës nga Kosova, në vlerësimin e Sarrazin, më shumë po bëhet për çështje të ndarjes sesa për një bashkim mes shqiptarëve dhe serbëve.

“Mund të them se jemi plotësisht të përkushtuar që Ura e Ibrit të hapet, me idenë e një situate të bashkimit të minoritetit serb dhe shumicës shqiptare në Mitrovicë. Por krejt çfarë shoh është që situata, sa i përket diskursit politik dhe ndodhive në terren, sa i përket veriut, po bëhet shumë e më shumë si çështje e ndarjeve, dhe në këtë kontekst çështja e hapjes së Urës nuk është një gur themel i shpërfaqjes se ne duam të rritemi bashkë”, ka shtuar ai.

Qeveria e Kosovës po insiston se ka një marrëveshje për të hapur këtë urë, ujdi kjo që ishte ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas autoriteteve kosovare urat janë për të integruar komunitetet.

Në anën tjetër komuniteti ndërkombëtar po kërkon që kjo çështje të diskutohet në dialog, meqë, në vlerësimin e tyre, ende s’ka momentum për një gjë të tillë.