Unë Rea, letër plakut Sali Berisha

I Nderuar Z. Kryetar, Unë, Paditësja Rea Xhillari, detyrohem të vë në lëvizje gjykatën për të ushtruar kontrollin gjyqësor, mbi një shpifje të fabrikuar ka kohë ndaj meje që e ka fillesën në muajin gu...
Rea Xhillari
Loading Icons...
test12

Unë Rea, letër plakut Sali Berisha

Rea Xhillari
Loading Icons...

I Nderuar Z. Kryetar, Unë, Paditësja Rea Xhillari, detyrohem të vë në lëvizje gjykatën për të ushtruar kontrollin gjyqësor, mbi një shpifje të fabrikuar ka kohë ndaj meje që e ka fillesën në muajin gusht të vitit 2016, kur plot 8 vite më parë Sali Berisha më ka akuzuar se kam marrë pjesë dhe kam përfituar tendera publikë. Sipas individit për të cilin kërkoj kontroll gjyqësor, këta tendera i kam përfituar “nëpërmjet subjektit tregtar 51N4E”, që në fakt është një studio arkitekture me qendër në Bruksel.

Përgjatë këtyre 8 viteve, Sali Berisha ka vijuar në mënyrë të herëpasherëshme të përgojojë në publik emrin tim, duke më asociuar arbitrarisht me aktivitete, individë dhe përfitime pa asnjë lidhje me mua.

Në këto 8 vite, kam gjykuar që shpifjet publike ndaj meje, të konsumuara nga ana e përgojuesit tim në terrenin politik e publik, nuk meritojnë përfshirjen time. Kjo sepse së pari, nuk kam zgjedhur politikën si fushë të interesit tim dhe nuk jam jo vetëm faktor i drejtëpërdrejtë, po as i tërthortë i debatit politik.

Së dyti, sepse Sali Berisha është shpallur “shpifës” me vendim gjykate në shumë raste dhe më është dukur sikur durimi ishte më i arsyeshëm se sa denoncimi i një personazhi që shpifjen e ka natyrë të dytë. Së fundi, sepse ky personazh nuk ka pushuar së shënjestruari, godituri dhe përbalturi nënën time, Linda Ramën, nga momenti që ajo zgjodhi të ishte bashkëshorte e Edi Ramës. Linda, nëna ime, është shembulli im i qytetarisë dhe profesionalizmit, modeli i përkushtimit familjar dhe dinjitetit publik.

Dikush që nuk meriton përgjigjen e Lindës, nuk mundet kurrsesi të meritojë as timen. Por shpifjet e 8 viteve ndaj meje, në datën 10 qershor 2024, nëpërmjet një kërkese shkresore u transportuan nga hapësira e dalldisë politike, në institucionin ligjvënës të vendit tim.

Nga mendjet trilluese ato u zyrtarizuan me bojën e firmave të shtatë deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë, të cilët me mandatin e tyre të përfaqësimit të qytetarëve përfshinë emrin tim në një kërkesë marrjeje në pyetje të kryeministrit të vendit. Konkretisht, në datën 11. 06. 2024 në edicionin informativ të shfaqur pranë ofruesit të shërbimit audioviziv me licencë “Syri TV” është bërë e njohur publikisht një kërkesë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për interpelancë parlamentare me Kryeministrin Edi Rama (Kërkesë për Interpalancë Urgjente me Kryeministrin Edi Rama Nr. 2319 Prot. datë 10.06.2024) e nënshkruar nga të Paditurit Sali Berisha, Luan Baçi, Flamur Noka, Tritan Shehu, Albana Vokshi, Edi Paloka, Edmond Spaho, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, anëtarë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Në kërkesën për interpelancë, të paditurit prej meje i kanë paraqitur Kuvendit dhe publikut fabulën e rreme të përfshirjes sime në veprimtari të paligjshme.

Sipas tyre, kam “marrë pjesë dhe përfituar tendera publike, pa figuruar pronare e drejtpërdrejte, por e lidhur me subjekte tregtare dhe si bashkëpunëtore e tyre, kam përfituar vlera të konsiderueshme monetare prej tyre”, kam “përfituar nëpërmjet subjektit tregtar 51N4E, e cila rezulton të jetë një studio projektimi dhe konsulence me qendër në Bruksel dhe Tiranë, ku nga verifikimi në faqen zyrtare të këtij subjekti rezulton se kam qenë pjesë e stafit dhe bashkëpunëtore për shumë vite” kam “fshehur përfitimet e drejtpërdrejta që vinin nga pjesëmarrja në kontrata publike të subjektit 51N4E”, kam “përfituar nga tenderat publikë edhe nëpërmjet subjektit tregtar “I RI” sh.p.k., bashkëthemeluar nga shtetasi Gent Agolli dhe subjekti 51N4E”.

Më tej, të Paditurit shprehen me një siguri mbresëlenëse se si dy subjektet tregtare “51N4E dhe I RI të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me shtetasen Rea Xhillari (pra me mua) kanë përfituar kontrata publike në vlerën 2.9 miliardë lekë.

Shtuar këtyre kontratave publike, subjektet e lidhura me shtetasen Xhillari (pra përsëri me mua) rezultojnë edhe fituese të konkurseve për ndërtimin e kullave në qendër të Tiranes, për të cilat thjeshtri i saj Edi Rama ka firmosur lejet e zhvillimit/ndërtimit”. Po këta të paditur, i shpjegojnë vullnetet e shitblerjeve pronësore midis individësh pa asnjë lidhje me mua, si “një përpjekje e pasuksesshme e imja për të fshehur përfitimet e drejtpërdrejta që vinin nga pjesëmarrja në kontrata publike të subjektit 51N4E”.

Kjo mori paragrafësh trillues, të shkruar me një gjuhë të ulët në çdo drejtim, më ka detyruar t’i lexoj dhe koleksionoj për këtë padi gënjeshtrat e firmosura nga persona të paftuar e të padëshiruar në jetën time. Këto deklarime të rreme dhe tejet të rënda nga ana e të paditurve në drejtimin tim, janë një ndërhyrje kriminale në jetën time dhe i shërbejnë qëllimit të denigrimit pa asnjë provë të personit tim.

Ato bëhen për të krijuar në publik imazhin e një personi përfitues nga afërsia familjare me kundërshtarin e tyre politik, përmes veprimtarish të cilat nëse do të ishin të vërteta, do të ishin objekt për organet e ndjekjes penale. Këta të paditur solidarë mbi bazë shpifjeje e në cenim të nderit, dinjitetit, personalitetit dhe reputacionit tim, janë futur brutalisht në jetën time private.

Z. Kryetar, E vërteta ime është kjo: unë kam ndjekur studimet universitare ne Accademia di Architetura di Mendrisio në Zvicër. Pjesë e detyrimit akademik për cdo student, ishte kryerja e praktikës mësimore (internshipit) pranë një studjoje projektimi dhe të gjithë studentët aplikonin pranë studiove të kësaj natyre në Europë. Për të kryer Praktikën time Mësimore (apo Stazhin), kam aplikuar në studion e projektimit 51N4E në Belgjikë.

Aplikimit tim për t’u pranuar si studente praktikante për një periudhë 9 mujore, kjo studio i është përgjigjur pozitivisht në Shtator të vitit 2011 (Nënvizoj se Edi Rama në atë moment nuk mbante asnjë funksion zyrtar ndërsa unë isha thjesht një studente). Programi i praktikës mësimore është kryer në periudhën 01/10/2011 – 30/06/2012, sipas përcaktimeve të Marrëveshjes së nënshkruar midis meje dhe studios 51N4E (kopja e noterizuar bashkëngjitur). Kontrata përcakton që internshipi është detyrim i kurrikulës mësimore të studentit dhe është pa shpërblim financiar për studentin.

Në përfundim të Praktikës Mësimore Studio 51N4E ka dorëzuar në Universitet Certifikatën e Kryerjes së Praktikës nga ana ime me të gjithë informacionet e nevojshme (kopja e noterizuar bashkëngjitur). Përgjatë praktikës, sëbashku me ekipin e studios 51N4E dhe studentë të tjerë në proces internshipi, jam përfshirë dhe kam kontribuar në kryerjen e detyrave të ndryshme duke merituar në fund, sipas standardeve të çdo kodi modern pune emrin “bashkëpunëtor” si njohje e këtij kontributi.

Është pikërisht, cilësimi i statusit “bashkëpunëtor” ai që është keqpërdorur qëllimisht dhe vijimësisht nga ana e të Paditurve solidarë. Me këtë rast i kujtoj secilit prej tyre, që duke keqpërdorur për shpifje të ulëta statusin e merituar “bashkëpunëtor” për punën e pa paguar gjatë praktikës mësimore nga ana ime, ata kanë pranuar në subkoshiencën e tyre që një student praktikant sipas tyre është thjeshtë një skllav i kohëve moderne. Është e pabesueshme që kjo të jetë llogjika e të menduarit e shtatë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë të vitit 2024.

Më tej, nënvizoj që marrëdhëniet e mia kontraktuale me studion e projektimit 51N4E janë mbyllur plotësisht në vitin 2012. Më pas, në asnjë rast, aktiviteti im profesional nuk ka patur asnjë pikë takimi me studion e projektimit 51N4E.

Ndërsa shtetasin Gent Agolli (dhe për rrjedhojë dhe subjektin tregtar “I RI”), cituar në kërkesën për interpelancë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë nga ana e të Paditurve solidarë, unë as nuk e njoh personalisht dhe as e kam takuar kurrë ndonjëherë, qoftë dhe rastësisht.

Z. Kryetar, Disa vite më parë kam paditur Z. Artur Zheji dhe 7 të tjerë nga bota e medias pasi, nëpërmjet lajmit të rremë në mediat e tyre, po për interesa politike dhe po si vajza e Linda Ramës, më caktuan si bashkëshort një person që as nuk e njihja e as e kisha takuar kurrë në jetë. Gjykata i gjeti fajtorë. Të Paditurit solidarë të Kuvendit të Shqipërisë, në kërkesën e tyre për interpelancë me Kryeministrin Edi Rama, kanë sajuar një identikit timin pa kurrëfarë lidhje me mua dhe kanë marrë përsipër të më caktojnë nëpërmjet shpifjes si partner profesional një individ plotësisht të panjohur për mua.

Zoti Kryetar, Unë nuk kam asnjë armë tjetër për t’u mbrojtur nga pasojat e këtij perversiteti politik, social dhe ligjor, përvecse duke i’u drejtuar drejtësisë.