

Lumir,
Të njoh prej kohësh. Kemi pasur një afërsi, por jo miqësi. Kemi ndarë rrëfime dhe kemi ballafaquar ide. Kam besuar se kishe pamjen, inteligjencën dhe mundësinë për t’u bërë një lider i rëndësishëm politik.
Prandaj ajo që na ndau nuk ishte një debat televiziv, një parti apo një analizë. Na ndau zhgënjimi im me modelin që zgjodhe për të ardhur në krye të LDK-së.
Të pata thënë: “Lëre, nuk është koha jote. Nuk krijohen liderët çdo ditë”.
Jo sepse nuk kishe talent, por sepse nuk kishe nevojë të nguteshe. Mund ta ndërtoje rrëfimin tënd, të fitoje autoritet dhe të vije në krye pa atë shijen korruptive që, sipas bindjes sime, e shoqëroi procesin e zgjedhjes sate në krye të LDK-së.
Ti zgjodhe të bëheshe projekt përpara se të bëheshe lider. Dhe kur një politikan vjen në krye përmes një sistemi interesash, ai nuk e zotëron më plotësisht postin e vet. Fillon t’i detyrohet rrëfimit që e solli aty.
Kjo na ndau. Modeli.
Liderët e vërtetë dhe mbështetjet autentike nuk prodhohen çdo ditë. Pikërisht për këtë arsye, te ti nuk pashë vetëm një gabim politik. Pashë humbjen e një talenti politik që në fillim të krijimit të tij.
Lumir,
E dëgjova intervistën tënde në Kanal 10. Ishte një përpjekje e gjatë për të shpjeguar pse problemi nuk qëndron te vendimet e tua, por te të gjithë ata që nuk arrijnë t’i kuptojnë ato.
Te gazetarët, analistët, PSD-ja (nuk e kuptova fare pse PSD), deputetët e LDK-së dhe ndonjë qendër e padukshme komanduese. Vetëm te vetja dhe kryetari nuk u ndal intervista.
Por rezultati zgjedhor është bashkëbisedues i pakëndshëm. Nuk mund ta ndërpresësh, nuk mund t’ia ndryshosh pyetjen dhe nuk ndikohet nga toni i përgjigjes në TV. Rezultati dhe numrat vetëm numërohen.
Prandaj, kur humben një palë zgjedhje, mund të ketë ndikuar rasti. Kur humben dy palë, mund të fajësosh kundërshtarin. Kur humben tri palë zgjedhje, fillon të flasë modeli. Ai model që e krijove që në fillim.
Në intervistën tënde, rezultati pothuajse mungonte. Në vend të tij u shfaqën gazetarët, deputetët e pabindur dhe partitë që, sipas teje, organizojnë gjithçka nga prapaskena.
Është një botë politike me një fjalor fajësues shumë komod: kur partia nuk të ndjek, dikush po e manipulon. Kur deputetët nuk të votojnë, dikush po i organizon. Kur gazetarët të kritikojnë, janë mercenarë dhe kur rezultati bie, fajin e ka atmosfera mediatike.
Vetëm kryetari Lumir nuk ka faj.
Por frika që dukej në intervistë nuk ishte frikë nga analistët apo nga ndonjë komplot mediatik. Ishte dhe shihej frika se humbja e ardhshme nuk do të mund të shpjegohet më si aksident. Sepse humbja e katërt nuk kërkon analist. Kërkon vetëm procesverbal.
Edhe Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së e paraqite si dëshmi legjitimiteti. Formalisht mbijetove. Politikisht zbulove se gjysma e partisë nuk të dëshiron më kryetar.
E kisha shkruar më herët se me 170 vota kundër shkarkimit dhe 152 pro tij, ti nuk e bashkove LDK-në. Vetëm mbete në detyrë. Ka dallim ndërmjet fitores së një lideri dhe pamundësisë së kundërshtarëve të tij për ta rrëzuar.
LDK-ja ka një kulturë demokratike që duhet respektuar. Debaton, voton dhe lejon pakicën të flasë. Por kjo kulturë ka edhe një dobësi: nganjëherë duron aq shumë, sa tolerancën e shndërron në vetëdëmtim.
Pikërisht kjo ndodhi në Kuvend. Ti nuk mbijetove përmes një vizioni që e bashkoi partinë, por përmes një ekuilibri interesash, frikës nga e panjohura dhe hakmarrjeve të vjetra.
Në qendër të këtij ekuilibri ishte Lutfi Haziri.
Ai nuk të shpëtoi vetëm ty. Ua ktheu kundërshtarëve projektin që dikur ia kishin imponuar. Ironia e politikës është se ndonjëherë hakmarrja nuk kryhet duke e rrëzuar kundërshtarin, ty në këtë rast si fitues korruptiv, por duke të mbajtur në karrigen ku do të vazhdosh të konsumohesh.
Prandaj përmbledhja është e thjeshtë:
Lumiri fitoi. LDK-ja humbi. Albini qeshi.
Lutfi Haziri fitoi hakmarrjen. Vjosa Osmani fitoi ndikimin. Albin Kurti fitoi kohën dhe opozitën. Ti fitove votimin.
Humbësi mbeti LDK-ja.
Edhe arsyetimi për marrëveshjen me Albin Kurtin kishte të njëjtin problem. Ti kishe të drejtë të negocioje me të. Edhe Bekim Sejdiu mund të jetë kandidat i respektueshëm. Problemi nuk është personaliteti i tij, por mandati politik i marrëveshjes.
Ti u more vesh me Kurtin dhe pastaj zbulove se nuk ishe marrë vesh me partinë tënde.
Marrëveshjen e bëre me Albinin, kurse votat mendove se do të vinin me protokoll, sepse shihej nga avioni se të gjithën e bëre për veten dhe Vjosën.
Kur nuk erdhën votat, filloi kërkimi për tradhtarët, mercenarët dhe skenaristët. Por deputetët e LDK-së nuk janë pronë e gazetarëve dhe as e partive të tjera. Ata janë përgjegjësi politike e kryetarit të tyre. Ti, në emision, nuk kuptove se ofendove njerëzit më të fortë në karakter që LDK-ja i ka. Ti amnistove “tradhtinë” e Vjosës me modelin e Lumirit të padenjë.
Prandaj, nëse nuk arrin t’i bindësh partinë, nuk mund ta kërkosh autorin e mosbindjes nëpër studio televizive.
Albin Kurti mund të ta ketë ngritur kurthin. Por ti hyre vetë në të, me bindjen se marrëveshja personale e dy kryetarëve do të bëhej automatikisht vendim i një partie të tërë.
Dhe kur kjo nuk ndodhi, fajin e morën ata që e treguan kurthin, jo ai që hyri në të.
Pastaj erdhën akuzat ndaj meje dhe Berat Buzhalës. The se po ndërtojmë një agjendë me deputetët e LDK-së. Ky nuk është më koment për analizat tona. Është pretendim për një veprim konkret politik. Për dijeninë tënde, ka muaj, të mos them vite, që s’kam takuar deputet të LDK-së ose PDK-së.
Prandaj kërkesa ime është e thjeshtë: nëse ke mesazhe, biseda, takime, pagesa, tenderë, kontrata apo çfarëdo përfitimi që dëshmon një marrëveshje politike ose financiare, publikoji.
Në tërë karrierën time nuk ekziston një politikan shqiptar që ka komunikuar me mua për tenderë apo për para në këmbim të një qëndrimi. Kam krijuar institucione mediale, shoqata gazetarësh, dokumentarë dhe më shumë se dhjetë mijë emisione e intervista. Nuk më ka ndihmuar dhe nuk më ka paguar asnjë politikan me tender apo përfitim të fshehtë.
Nuk ka një njeri të tillë.
Marrëdhëniet me partitë kanë qenë vetëm për reklama gjatë fushatave zgjedhore. Reklama është kontratë tregtare. Nëse nuk e di, mercenarizmi është pagesë e fshehtë për opinion të porositur.
Dallimi është i madh, sidomos kur fjala “mercenar” përdoret si zëvendësim për provën.
As marrëdhënia ime me PSD-në, as me ndonjë parti tjetër, nuk ekziston në formën që përshkrove. Është një gënjeshtër pa shije, e prodhuar nga nevoja për të krijuar një qendër komanduese jashtë LDK-së.
Është më lehtë të thuash se Batoni organizon deputetët sesa të pranosh se Lumiri s’ka autoritet dhe nuk arrin t’i organizojë më.
Nuk dua të lëndoj asnjë gazetar dhe nuk do t’i bëj ata temë të këtij reagimi. Por nuk mund ta shpallësh mercenarizmin një sëmundje që fillon vetëm te kritikët e tu.
Unë e kam parë nga afër modelin që është ndërtuar: njerëz të medias që afrohen me oferta prej dy mijë eurosh për të folur në studio në shërbim të një agjende politike. Nuk po i përmend emrat, sepse përgjegjësia kryesore nuk është e atyre që tundohen. Është e politikanëve si ti që e ndërtojnë tregun e tundimit dhe më pas dalin në televizion për të mbajtur ligjërata kundër mercenarizmit. Nuk njoh asnjë politikan që ka guxim të më ofrojë shpërblim për bindjen time.
Prandaj, kjo ishte pjesa më elegante e intervistës sate kur flisje për mercenarin, duke qenë i qartë që ti je njeriu që ndihmoi në krijimin e modelit të analistit me tarifë, tani zemërohesh sepse jo të gjithë analistët janë në listën e pagesës tënde. Vetëm për këto dy fakte, ardhjes në krye të LDK-së në mënyrë korruptive dhe blerjen e analistëve në studio, nuk do të duhej të ishe as edhe një min në krye të LDK-së.
Problemi im me ty nuk ka qenë kurrë personal. Nuk të kam kundërshtuar sepse u bëre kryetar. Të kam kundërshtuar për mënyrën dhe modelin përmes të cilit u bëre kryetar.
Nëse dëshiron, mund t’i përmend edhe biznesmenët që, sipas informacioneve të mia, kanë blerë vota për ty. Por edhe kjo nuk është pika kryesore. Mund të fitosh një post përmes një sistemi interesash lobimi dhe procedura mund të mbetet formalisht legjitime. Ajo që nuk mund të blesh është autoriteti politik.
Autoriteti ndërtohet me rezultate, dhe pikërisht këtu është problemi yt: ke ende postin, por jo autoritetin që kërkon të shfaqësh.
Prandaj të duhet një armik i jashtëm. Një gazetar që ta quash mercenar, një parti që ta quash komanduese dhe një deputet që ta paraqesësh si të manipuluar.
Sepse është më lehtë të shpikësh një qendër komanduese jashtë LDK-së sesa të pranosh se brenda LDK-së nuk të binden më të gjithë.
Pika kryesore e intervistës, pra, nuk ishte sulmi ndaj gazetarëve. Ishte përpjekja për ta zhvendosur përgjegjësinë politike nga kryetari te të gjithë të tjerët.
Por kritika nuk e prodhon humbjen. Gazetarët mund ta komentojnë rezultatin, mund të gabojnë për të dhe mund edhe të jenë të padrejtë. Por nuk e krijojnë rezultatin. Rezultatin e prodhojnë votuesit.
Kutia e votimit nuk ka agjendë mediatike. Nuk është anëtare e PSD-së, nuk koordinon deputetë dhe nuk merr nga dy mijë euro për të folur në studio.
Takimi për qeverinë ishte fotografia më e saktë e kësaj historie: Albini, një mendje që politikën e luan si krim të përsosur, Lumiri, një mendje e zënë peng nga modeli korruptiv, dhe në mes Vjosa, duke pritur qetësisht ta arkëtonte dividendën politike të të dyve.
Dhe Luta që vetëm numëron. Dhe kur numëron tri humbje, nuk ka nevojë për përkthyes.
Ka nevojë për përgjegjësi.