PALIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS

Kushtetuta, ajo zonja paksa e mërzitshme që politikanët e përqafojnë në ceremoni dhe e lënë në shi sapo të fillojnë pazaret, e ka menduar presidentin si prodhim të një shumice më të gjerë.
Afrim Haliti
Loading Icons...
test12

PALIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS

Afrim Haliti
Loading Icons...

Kosova po kërkon president.

Në të vërtetë, një pjesë e politikës kosovare po kërkon diçka tjetër: një kapak institucional për një tenxhere që po zien, një dry për derën nga mund të hyjë e papritura, një njeri që do të ulet në majën e shtetit jo medoemos për ta drejtuar historinë, por për t’u siguruar se historia, kur të trokasë, do ta gjejë karrigen të zënë.

Emri është Bekim Sejdiu.

Marrëveshja mban firmën politike të Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut. Ndërkaq, bekimin e ka jep Vjosa Osmani. Pengesa janë gjashtë deputetë të LDK-së, të cilët, për çudi të madhe në këtë republikën tonë ku vota kërkohet të jetë e fshehtë vetëm nga populli, por kurrsesi nga kryetari, kanë vendosur të mendojnë para se të votojnë.

Kaq ka mjaftuar që mbi ta të bjerë një breshëri qortimesh, mallkimesh partiake, leksionesh për shtetin dhe atij turpërimi publik që Vetëvendosja prej kohësh e ka shndërruar në industri të rëndë, ndërsa LDK-ja Abdixhikiane, me një zell rishtari, po përpiqet ta mësojë brenda pak ditëve.

Këtu nis e krejt meseleja, e jo te Bekim Sejdiu.

Zgjedhjet e 7 qershorit ia dhanë Vetëvendosjes 53 ulëse. E nxorën të parën, por nuk e bënë të vetme. Populli ia dha Kurtit timonin, por nuk ia dha as veturën, as rrugën, as të drejtën për t’i hedhur pasagjerët nga dritarja. Ky dallim, që në demokraci quhet kufizim i pushtetit, në albinkurtizëm përkthehet si padrejtësi ndaj fituesit.

Kushtetuta, ajo zonja paksa e mërzitshme që politikanët e përqafojnë në ceremoni dhe e lënë në shi sapo të fillojnë pazaret, e ka menduar presidentin si prodhim të një shumice më të gjerë. Dy të tretat në dy raundet e para. Shumica e të gjithë deputetëve në të tretin. Votim i fshehtë. Nëse dështon edhe raundi i tretë, Kuvendi shpërndahet.

Pra, hartuesit e Kushtetutës nuk e kanë vendosur kutinë e fshehtë për zbukurim. E kanë vendosur aty sepse, të paktën për ato pak minuta, deputeti duhet të jetë njeri e jo zgjatim anatomik i kryetarit.

Sot, ndërkaq, po kërkohet e kundërta. Kutia le të mbetet e fshehtë, por ndërgjegjja duhet dorëzuar te dera. Vota është personale vetëm derisa përputhet me urdhrin kolektiv. Po nuk u përputh, deputeti shndërrohet sakaq në rrënues të shtetit, sabotues të Republikës, hallkë të errët, pengmarrës të së ardhmes. Njëfarë kushtetutshmërie çapraze që nënkupton se liria garantohet mirëpo bindja urdhërohet.

Bekim Sejdiu mund të jetë jurist i mirë, profesor i nderuar dhe diplomat i denjë. Nuk kam asnjë arsye t’ia zhbëj biografinë. Por një kandidat nuk bëhet konsensual ngaqë dy kryetarë dalin në fotografi dhe ia vënë këtë mbiemër. Konsensusi nuk është kollare që i lidhet emrit. Konsensusi duhet të jetë pajtim. Kur gjashtë nga tetëmbëdhjetë deputetët e partisë që pretendohet se e propozoi thonë jo, atëherë kemi kandidat të marrëveshjes e jo kandidat të konsensusit.

Ka ndryshim. Të madh bile.

Vjosa Osmani thotë se e njeh Sejdiun prej njëzet e pesë vjetësh, se ka punuar me të gjatë mandatit të saj dhe se ai e njeh shtetin nga afër. Mirë. Ndoshta çdo fjalë e saj, çuditërisht është e vërtetë. Por pikërisht kjo afërsi e rrëzon përrallëzën e kandidatit që na paskësh ardhur nga një hapësirë e paanshme, i paprekur nga orbitat politike. Pavarësia nuk është vetëm mungesa e librezës por do të thotë aftësi për t’u larguar nga dora që të vendosi aty.

Deri më sot, për këtë largësi kemi vetëm urime.

Gjashtë deputetët, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri, po thonë se nuk duan t’ia zgjasin jetën politike një pushteti të cilin e kundërshtuan para votuesit. Ymeri e tha pa pambuk diplomatik se nuk do ta votojë zgjatjen e kapjes së Kosovës nga Vetëvendosja; Kurtin e quajti argat të mafisë energjetike ndërsa për Sejdiun tha se tek ai nuk sheh pavarësinë që do të krijonte baraspeshë.

Akuzat sigurisht që duan prova. Por pyetja e saj nuk zhduket duke ia kontrolluar tonin: përse LDK-ja duhet t’ia dhurojë Kurtit edhe hallkën presidenciale, pasi u kërkoi qytetarëve votën me premtimin se do të ishte kundërpeshë e tij?

Përgjigjja e Abdixhikut është se LDK-ja nuk po hyn në qeveri, se do të mbetet në opozitë dhe se refuzimi i gjashtë deputetëve nuk e rrëzon Kurtin, por e çon Kosovën në zgjedhje. Tingëllon esëll. Madje shtetëror. Vetëm se pushteti nuk banon vetëm në ndërtesën e Qeverisë. Presidenti emëron gjyqtarë, bashkëvendos për majën e inteligjencës, përfaqëson vendin jashtë dhe, sipas Kushtetutës, garanton edhe funksionimin e institucioneve.

Nuk është vetëm protokoll por çelës rezervë i shtëpisë.

Abdixhiku edhe këtë po do t’ia jep Kurtit, duke na siguruar se vetë do të vazhdojë të flejë në opozitë.

Për ta kuptuar ngutjen, duhet të largohemi pak nga aritmetika dhe të shohim kalendarin. Më 16 shtator, në orën 10:00, Gjykata Speciale në Hagë kanë caktuar shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Juridikisht do të lexohet një vendim. Politikisht mund të hapet ose një humnerë, ose një udhë.

Një dënim eventual e forcon ndjenjën se historia e luftës po gjykohet larg Kosovës, në një sallë ku vetë liria e saj rri në bankën e të akuzuarve. Një pafajësi, në anën tjetër e kthen Thaçin në një simbol të rikthyer, jo patjetër në një politikan të rikthyer, por gjithsesi në diçka që për Albin Kurtin mund të jetë edhe më trazuese: në dëshmi të gjallë se historia nuk nisi me Vetëvendosjen dhe nuk mbaron dot me të.

Të dyja mundësitë lëvizin pllakat tektonike të legjitimitetit.

Nuk ka provë se Kurti, Abdixhiku dhe Osmani janë ulur diku dhe kanë thënë: ta zgjedhim presidentin para vendimit të Hagës. Kush e pohon këtë si fakt, shpik. Mirëpo politika nuk lexohet vetëm nga procesverbali i mbledhjeve. Lexohet edhe nga funksioni i veprimit. Dhe funksioni i marrëveshjes është ky: ta ngrijë për pesë vjet majën institucionale të Kosovës përpara se 16 shtatori të sjellë një të panjohur të madhe.

Kjo sipas meje është mbyllje preventive e kohës.

Bekim Sejdiu, në këtë lexim, është më shumë se kandidat. Është një pritë institucionale ndaj së papriturës, një digë e urtë juridike përballë shkulmës historike, një lloj firewalli kohor që siguron se çkado që të dalë nga Haga do ta gjejë në Presidencë vazhdimësinë e rrethit të Osmanit dhe në Qeveri vazhdimësinë e Kurtit.

Republika e një dite më parë është mu kjo, dmth shteti që nxiton ta mobilojë të nesërmen para se e nesërmja të ketë hyrë në dhomë.

Prandaj gjashtë deputetët e LDK-së janë problem. Jo pse janë gjashtë, por pse po e lënë kohën hapur.

Jemi dëshmitarë se një votë mund të blihet siç ishte blerë për Vjosen, një votë edhe shkëmbehet, bindet apo edhe kërcënohet me listën e ardhshme. Mirëpo një ndërgjegje që nuk pranon të bëhet plaçkë e partisë shumë lehtë krijon precedent. Ajo ka fuqinë t’ua përkujtojë të tjerëve se kryetari administron partinë, ama nuk zotëron njerëzit e saj. Në një sistem të etur për rreshtim, ky është mëkat më i madh edhe se korrupsioni. Është mosbindje.

Abdixhiku i nxori emrat publikisht dhe ua vari në qafë zgjedhjet e reja. Osmani tha se disa prej tyre do të refuzonin çdo kandidat, ndoshta edhe presidentin e LDK-së. Të tjerë u turrën me porcione morali, mirënjohjeje dhe disipline. Janina Ymeri u përgjigj se deklaratat e Abdixhikut tash do të shfaqen në videot propagandistike të Vetëvendosjes.

Kjo fjali e zhvesh skenën. LDK-ja nuk ka hyrë vetëm në marrëveshje me Vetëvendosjen por ka hyrë në sintaksën e saj. Sipas saj kundërshtari nuk gabon por tradhton. Deputeti nuk mendon por bllokon. Pikëpyetjet e tyre meritojnë dënim. Abdixhiku, duhet me qenë budalla nëse nuk e dinë se duke përdorur fjalorin e Kurtit kundër njerëzve të vet, nuk bëhet më i fuqishëm por vetëm një kopje e shëmtuar e Albin Kurtit.

Këtu arrijmë te një rrënim më i thellë se vetë humbja e zgjedhjeve.

Partia nuk shkatërrohet vetëm kur i ikin votat. Mund të humbësh sot por nesër të bëhesh shumicë. Partia shkatërrohet kur i zhduket arsyeja për të ekzistuar, kur emri i mbetet vetëm si logo, kurse karakteri i del nga dritarja. LDK-ja supozohej të ishte shtëpia politike e durimit institucional, e orientimit perëndimor, e njëfarë qytetarie që nuk e ngatërronte shtetin me zhurma e piskama. Kishte mëkate të mjaftueshne, plogështi të çuditshme, feude dhe kompromise të mykura. Por megjithatë kishte temperament.

Tani po shndërrohet në shtëpi transitore. Vjosa Osmani u ngrit në LDK, u përjashtua, mori me vete një pjesë të madhe të kapitalit elektoral, iu bashkua listës së Kurtit dhe u bë presidente. Në vitin 2021 tha se më nuk kishte kthim prapa. U kthye në vitin 2026, pasi Kurti nuk ia garantoi mandatin e dytë.

Kronologjia ka një vrazhdësi që propaganda nuk e lyen dot. Me Osmanin kandidate për kryeministre, LDK-ja mori rreth 25 për qind në vitin 2019. Pas largimit të saj dhe bashkimit me Kurtin, ra në 12.7 për qind në vitin 2021. Osmani mori Presidencën. Kurti i mori votat. LDK-ja mori faturën. Pesë vjet më vonë, kur streha e parë më nuk e mbajti, Vjosa Osmani u kthye te shtëpia që kishte lënë pas.

Kjo nuk është medoemos tradhti. Mbase është edhe më e stërholluar: politikë pa moral. Ideja nuk ka më njerëz për të, ndërkaq njerëzit kanë ide sipas nevojave përsonale.

Abdixhiku, ndërkohë, fare nuk e rindërtoi LDK-në. I vuri njëfar proteze. Vjosen e bëri bartëse të listës dhe kandidate për presidente, veten kandidat për kryeministër. Dy ambicie u mbështollën komikisht me celofanin e bashkimit dhe ladruan posht e lartë me një veturë. Rezultati e ngriti paksa përqindjen por përsëri e la të tretën. Përmirësim, pak po. Ama ringjallje, jo.

Pas humbjes erdhën thirrjet për dorëheqje. Në votëbesimin e brendshëm, 152 delegatë kërkuan drejtim tjetër. Abdixhiku mëzi e ruajti karrigen. Por LDK-ja mbeti ende e humbur në kohë e në hapësirë.

Kështu merr formë teoria e shtëpisë transitore. Vjosa Osmani hyn kur i duhet rruga për Presidencë. Abdixhiku qëndron për ta ruajtur kryesinë dhe kandidaturën e përjetshme për kryeministër. Albin Kurti nuk kërkon fare të banojë aty; i duhet vetëm korridori i saj që çon te votat presidenciale. Të tre flasin për sakrificat që po i bëjnë për Kosovën. Në anën tjetër, me një përpikëri thuajse matematikore, secili përfundon te pozita që i leverdis vetes.

Gjatë fushatës, Vjosa Osmani tha se politika e Kurtit kishte ngritur mure ndërmjet njerëzve dhe nuk njihte vizion tjetër përveç kontrollit të plotë. Më 14 gusht tha se Kurti kërkonte ta nënshtronte e ta poshtëronte LDK-në, e jo ta trajtonte si partnere. Pak javë më vonë, ajo mbron marrëveshjen që i jep Kurtit rezultatin institucional që kërkon, madje edhe i qorton deputetët e LDK-së që nuk po pranojnë t’ia dorëzojnë.

Dy mundësi ka. Ose fjala “nënshtrim” ishte fishek elektoral pa barut. Ose nënshtrimi u pranua dhe tani quhet interes shtetëror. Por asnjëra nuk e nderon.

Abdixhiku e kishte quajtur të pamundur bashkëpunimin me Kurtin. Kinse edhe refuzoi poste qeveritare. Tha edhe se LDK-ja nuk do të bëhej patericë. Por kur gjashtë deputetë po i thonë jo marrëveshjes, i gjori iku te Kurti për t’i treguar se nuk i kishte votat, pastaj u kthye i trimëruar te publiku për t’i fajësuar deputetët e vet. Kryetari i LDK-se përfundoi duke i dhënë kryeministrit raport për defektet e disiplinës së partisë që vetë e udhëheqë. Po, e di që duket komike, por ky është nënshtrim par excellence. Jo bash si në filma i ulur në gjunjë por asi nënshtrimi politik që dmth pranim i hierarkisë së tjetrit; ai momenti kur nis ta shohësh botën nga nevoja e superiorit. Halli i Abdixhikut bëhet si t’ia sigurojë Kurtit presidentin pa u dukur sikur janë bashkuar.

Osmani e Abdixhiku pretendojnë të flasin si kundërshtarë të Kurtit, por lëvizin si satelitë të tij. Herë afrohen, herë largohen, herë shahen me konspiracione e pastaj prapë kthehen në orbitë. Por qendra mbetet Kurti e këta dytë vetëm e ndryshojnë largësinë.

Kjo është tragjedia e LDK-së së sotme. Jo se nuk ka njerëz. Ka. Jo se nuk ka votues. Ka edhe votues. Jo se nuk ka histori. Ka aq shumë sa shpesh mbytet në të. Tragjedia është se udhëheqësit e saj po ia japin me qira identitetin kujtdo që u garanton një takim, një kandidaturë, një mandat të mundshëm ose edhe thjesht edhe një shansë më shumë mbi karrige.

Energjia pastaj, në këtë histori, hyn si një metaforë tinëzare. Janina Ymeri aludoi për një “hall të madh”, për “bixhozin e shtetit” dhe për tregtinë e rrymës. Mediat kanë raportuar se bashkëshortja e Abdixhikut është bashkëpronare në AMPERA GROUP, kompani e regjistruar me veprimtari që përfshinë tregtinë me energji. Abdixhiku asokohe e ka quajtur këtë baltosje të orkestruar, ka mohuar ushtrimin e tregtisë, ndërsa ZRRE-ja është cituar se kompania nuk ka aplikuar për licencë.

Pa prova të tjera, sigurisht se këtu duhet ndalur sepse dyshimi nuk është aktgjykim. Por politika nuk jeton ekskluzivisht nga kodi penal. Jeton edhe nga hija që krijohet ndërmjet fjalës dhe interesit. Kur kryetari i LDK-së opozitare negocion me pushtetin që deputetja e tij e akuzon për mafie energjetike, ndërsa familja e tij ka hyrë në një shoqëri të regjistruar në atë sektor, ai i detyrohet publikut jo me nervozizëm, por me transparencë.

Heshtja nuk dëshmon domosdoshmërisht faj, ama prodhon mjegull.

Ndoshta Abdixhiku edhe nuk ka asnjë hall të fshehtë. Ndoshta halli i tij është shumë më banal: ka mundësi që dëshiron të duket si burrështetas dhe ka harruar që është udhëheqës i një partie relativisht të vogël opozite. Mund të ketë menduar se po e përdor Kurtin për ta dërgur një emër të LDK-së në Presidencë. Kurti, më i regjur në mjeshtërinë e përpirjes së aleatit, mund të ketë kuptuar se po përdor një emër të LDK-së për ta çuar LDK-në në disiplinën e vet.

Ky është shkëmbimi. Abdixhikut i mbetet fotografia, Osmanit vazhdimësia. Por Kurtit medoemos rezultati. Ndërkaq votuesit i mbetet vetëm amnezia totale.

Gjashtë deputetët e prishin këtë skenografi të “bukur”. Ata e nxjerrin në dritë faktin se një kompromis i bërë mbi kokën e votuesit dhe pa votën e deputetit nuk është konsensus. Është ujdi e kryetarëve. Mund të jetë e ligjshme. Mbase edhe praktike por nuk është fare e shenjtë dhe askush nuk ka detyrë morale t’i përkulet.

Kosova mund të shkojë përsëri në zgjedhje. Sejdiu hipotetikisht mund edhe të zgjidhet. Mund edhe të dalë president shumë më i pavarur se ç’e druajnë kundërshtarët. Por këto mundësi nuk e rrëzojnë teorinë, sepse teoria nuk parashikon rezultatin. Ajo shpjegon vetëm ngutjen, përçartjen dhe mnerën ndaj gjashtë votave.

Më 16 shtator, në Hagë do të lexohet një aktgjykim. Në ndërkohë në Prishtinë po zhvillohet një tjetër gjyq, paksa më i heshtur por goxha përcaktues: a është deputeti përfaqësues i popullit apo noter i kryetarit? A është presidenti kundërpeshë apo polisë sigurimi pesëvjeçare e pushtetit? A është LDK-ja ende ide, apo vetëm një adresë ku politikanët marrin postën para se të zhvendosen te ambicia tjetër?

Përgjigjja në këto pyetje nuk fshihet te emri i Bekim Sejdiut. Fshihet te arsyeja pse një sistem i tërë, me kryeministër, ish-presidente, kryetar partie, zëdhënës, moralistë me mëditje dhe njerëz nga “soba me kompjutera” duhet të hidhet mbi gjashtë njerëz para se ata të kenë hedhur votën e fshehtë.

Kur këta tremben nga gjashtë ndërgjegje, hallin nuk e kanë te gjashtë votat por te e nesërmja.