

Demokratët fituan bindshëm jo thjesht për shkak të ekonomisë, Iranit, Izraelit, Palestinës apo Epsteinit. Ata fituan edhe për shkak të secilës prej këtyre çështjeve veç e veç, por mbi të gjitha për shkak se ato kanë qenë të lidhura me njëra-tjetrën, duke krijuar një ortek të vërtetë politik.
Te një pjesë e konsiderueshme e amerikanëve, Donald Trump dhe republikanët nuk kanë arritur ta justifikojnë luftën kundër Iranit si një veprim në interes të Amerikës. Pikësëpari, për shkak se Trump ka ardhur në pushtet me premtimin se nuk do të nisë luftëra të reja dhe se fokusin kryesor do ta ketë te vitaliteti ekonomik brenda Amerikës. Në SHBA, Irani gjerësisht shihet si kërcënim, por sipas tyre, modeli i Barack Obamës për “karantinimin” e Iranit përmes marrëveshjes shumëpalëshe ishte shumë më i mirë, si politikisht, ashtu edhe ekonomikisht.
Lufta me Iranin e ka dëmtuar aq shumë Trumpin në sytë e amerikanëve, sepse si rezultat i kësaj lufte është rritur ndjeshëm kostoja e jetesës. Vendimi për luftë, kësisoj, ishte një shkelje flagrante e një premtimi me rëndësi të madhe jo vetëm për amerikanët në përgjithësi, por edhe për votuesit republikanë në veçanti, sepse jo vetëm që po lufton jashtë, por edhe po e varfëron Amerikën brenda.
Një përqindje e lartë e amerikanëve besojnë se vendimi për luftë kundër Iranit është marrë në masë të madhe nën ndikimin e Izraelit dhe AIPAC-ut (lobit pro-izraelit në SHBA). Shumë qytetarë amerikanë konsiderojnë se Izraeli ka “tepër shumë ndikim” në shtetin amerikan. Në elektoratin demokrat, një opinion i tillë ka ekzistuar prej kohësh, por që nga lufta me Iranin, ai është përhapur edhe në mesin e kampit republikan.
Figura të rëndësishme opinionbërëse në kampin republikan, si Tucker Carlson, Candace Owens, Megyn Kelly, Dave Smith, Nick Fuentes etj., haptazi kanë dalë kundër Trumpit dhe kundër luftës në Iran, duke e parë atë si një luftë që nuk u shërben aspak interesave të Amerikës, por vetëm ambicieve të Izraelit për okupim, luftë dhe hegjemoní rajonale në Lindjen e Mesme. Lufta në Iran, në sytë e tyre, është e dëmshme jo thjesht për shkak se ka rritur koston e jetesës, por mbi të gjitha për shkak se SHBA-ja e ka dorëzuar sovranitetin në duart e një shteti tjetër. Pra, lufta me Iranin ka prekur thellë krenarinë, integritetin dhe dinjitetin e sovranistëve, sipas të cilëve është cenuar rëndë sovraniteti amerikan.
Sipas sondazheve, 60% e të rriturve në SHBA kanë qëndrim negativ ndaj Izraelit, një rritje nga 53% sa ishte vitin e kaluar. Në të dyja partitë politike, shumica e të rriturve nën moshën 50-vjeçare tashmë e vlerësojnë negativisht Izraelin dhe Netanyahun. Për herë të parë, më shumë se gjysma e amerikanëve (gjithsej 56%) shprehen se ndihma ushtarake e SHBA-së për Izraelin duhet ose të zvogëlohet (21%), ose të ndërpritet tërësisht (35%) — një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin 2012, kur gjithsej 38% mendonin kështu.
Në anën tjetër, sondazhet e New York Times dhe Universitetit Siena tregojnë se 37% e votuesve të regjistruar anojnë nga palestinezët, krahasuar me 35% që mbajnë anën e Izraelit. Të pavarurit po ashtu po shkëputen gjithnjë e më shumë nga konsensusi tradicional pro-izraelit. Një anketë e Gallup-it tregon se të pavarurit anojnë nga palestinezët me një epërsi prej 11 pikësh përqindjeje (41% kundrejt 30%). Te gjeneratat e reja (Gen Z), epërsia është edhe më e thellë. Një sondazh i NBC News zbuloi se 74% e tyre janë më shumë me palestinezët sesa me Izraelin.
Por kjo nuk është e tëra. Rreth 40% e hebrenjve në Amerikë besojnë se ajo që po ndodh në Gaza është gjenocid. Por pritni. Situata bëhet edhe më shokuese kur kuptohet se 50% e hebrenjve amerikanë të moshave më të reja (18–34 vjeç) besojnë se Izraeli po kryen gjenocid.
Sipas New York Times, hiç më larg se në tetor të vitit 2023, votuesit anonin nga izraelitët në këtë luftë me një epërsi prej 48 pikësh përqindjeje. Mirëpo, gjenocidi në Gaza e ka përmbysur këtë. Që kur kjo pyetje u shtrua për herë të parë në vitet 1980, kjo është hera e parë në histori që palestinezët gëzojnë epërsi.
Kjo njëherësh tregon edhe për trendin, për cunamin që po vjen.
Sot nuk mund të bësh gjenocid dhe bota ta kuptojë vite më pas. Në kohën e telefonave të mençur, informacioni shpërndahet shumë më shpejt dhe kjo është arsyeja kryesore pse në SHBA ka një tërmet politik te brezi i ri, i cili do të dominojë politikën në dekadat në vazhdim.
Pra, shkurt, humbësit më të mëdhenj këtu janë Trump, Izraeli, AIPAC-u dhe lobet që besojnë se me para mund të blejnë politikanë që marrin vendime në shpërputhje me atë që i premtohet elektoratit. Ndikimi i madh i Izraelit në politikën amerikane ka marrë një goditje të fortë. Izraeli dhe lobi i tij dhanë miliarda dollarë për të mposhtur kandidatë të caktuar demokratë, por amerikanët kishin plane të tjera.
Jo vetëm që kandidatët e mbështetur nga AIPAC-u nuk fituan në shtetet historikisht të luhatshme (swing states), por humbën edhe në ato shtete ku nuk kishin humbur prej 40 vjetësh, si në Teksas, një bastion pothuajse shekullor i republikanëve.
Për më tepër, në Miçigan, njërin nga shtetet më të rëndësishme politike në SHBA, fitoi Abdul Sayed, një mysliman i majtë dhe kundërshtar i Izraelit, i cili premtoi të kundërtën e asaj që ka bërë Trump: denoncoi luftën kundër Iranit jo vetëm si politikisht të gabuar, por edhe ekonomikisht të dëmshme. Ai po ashtu e ka akuzuar Izraelin për gjenocid dhe ka shprehur solidaritet me popullin palestinez. Me fjalë të tjera, ka promovuar pikërisht atë disponim që edhe ashtu po dominon në mesin e qytetarëve amerikanë.
Ai kështu bëhet senatori i parë mysliman në Amerikë, pak muaj pas kryetarit të parë mysliman të Nju-Jorkut, Zohran Mamdanit. Të dy fituan përkundër fushatës së egër të islamofobisë, gjatë së cilës u quajtën edhe terroristë. Të dy fituan kundër milionave e miliardave të shpenzuara nga AIPAC-u kundër tyre. Madje, Mamdani disa nga fitoret më të thella i kishte arritur në lagjet e Nju-Jorkut me shumicë dërrmuese hebreje. Bruklini është fjalë për fjalë vendi më hebre në botë dhe Mamdani e fitoi atë me 17 pikë përqindjeje dallim. Ai fitoi në çdo lagje të madhe hebreje në Nju-Jork me epërsi dyshifrore, përveç Borough Park. Ai fitoi edhe në Crown Heights, ku ndodhet selia e qendrës botërore Chabad-Lubavitch, me një epërsi prej 26 pikësh përqindjeje.
Por nuk mbaron këtu. James Talarico, senatori i ri i Teksasit, në një shtet historikisht me mbështetje të fortë për Izraelin, deklaroi me krenari se nuk pranon para nga AIPAC-u dhe fitoren e tij e përshkroi si një përsëritje të betejës së famshme biblike mes Davidit dhe Goliatit.
Me fjalë të tjera, në SHBA po ndodh një revolucion politik.
Izraeli jo vetëm që po i humbet amerikanët në përgjithësi, por trendet e fundit po tregojnë se po i humbet edhe miqtë e tij republikanë e, mbi të gjitha, edhe vetë hebrenjtë e Amerikës, të cilët gjithnjë e më shumë po distancohen nga sjellja gjenocidale e Izraelit.
Për fund, nuk duhet harruar e as injoruar skandali Epstein, i cili ka tronditur opinionin amerikan dhe e ka dëmtuar edhe më shumë imazhin e politikanëve të afërt me Izraelin. Donald Trump është prekur drejtpërdrejt nga ky skandal dhe mosveprimi e mungesa e llogaridhënies nga ana e tij ia kanë ulur edhe më shumë popullaritetin, madje edhe në mesin e votuesve republikanë.
Me pak fjalë, Amerika jo vetëm që votoi kaltër, por edhe ia bëri të zezë ditën AIPAC-ut. Partia Republikane, në anën tjetër, praktikisht e ka ngritur flamurin e bardhë dhe nuk do të mund ta marrë veten nëse nuk ndjek hapin e qytetarëve amerikanë, të cilët po flasin e po votojnë qartë e prerë.
Për fund, një parashikim: Jon Ossoff, senatori demokrat nga shteti i Xhorxhias, do të jetë presidenti i ri amerikan në vitin 2028.