

Në krimet ndaj grave që ndodhin edhe në vende të tjera të botës, arsyeja shpesh është individuale, çështje karakteri, krime pasioni nga xhelozia etj. Por, në rastin e Arlindës dhe të shumë grave të tjera në Kosovë, krimi është edhe shoqëror, i shkaktuar nga normat shoqërore të ndërtuara për dekada dhe pothuajse fare të paluftuara. Krim i shkaktuar nga mosreagimi ynë, nga mosluftimi i këtyre normave.
Natyra e krimit, dorasi, bisedat dhe rrethanat tregojnë më shumë se Arlinda është vrarë sepse ka guxuar të dalë nga normat dhe kodet e pashkruara mesjetare. Ka guxuar të largohet nga një martesë e dhunshme, ka guxuar ta kërkojë djalin e vet dhe ka guxuar ta kërkojë pasurinë e vet. Shteti dhe shoqëria nuk kemi guxuar ta mbrojmë.
Ish-burri i saj i thotë në telefon: “Ku ke ni ti te shqiptarët nana me marrë djalin? Ajo ndodh veç kur baba heq dorë”. Përfshirja e vjehrrës, kunatave dhe, përfundimisht, kunatit tregon se ata e kanë dënuar Arlindën me vdekje, sepse ua ka prekur “reputacionin dhe nderin” e familjes, në një rreth superkonservator që i përforcon këto bindje çdo ditë.
Arlinda e ka kuptuar këtë dhe, porsi personazhi kryesor në Life of David Gale, ka vendosur të vetëmohohet dhe të sakrifikohet për një kauzë shoqërore. Prandaj ka dokumentuar çdo gjë, prandaj e ka parashikuar fundin e saj çdo herë, për të na treguar të gjithëve sa dritëshkurtër dhe sa të pabrengosur jemi. Na ka zhveshur komplet.
E ka “lodhur” çdo zyrtar, çdo prokuror e çdo gjykatës, pikërisht që të mos ia thotë dikush atë që ia tha ministrja: “E veç në derën time s’ke trokitur”. Edhe sikur të kishte trokitur, faji i njëjtë do ta kishte gjetur.
Sepse shoqëria nuk e ka luftuar mjaftueshëm këtë pabarazi dhe këto norma mesjetare. Unë jam i bindur se të gjithë ata zyrtarë do të suspendohen, shkarkohen e shahen nëpër rrjete, e ndoshta edhe znj. Gërvalla do të tërhiqet. Por problemi është edhe te ne. Edhe te e qeshura me batutën. Edhe te heshtja kur shohim gjëra në rrethin tonë. Edhe te përkufizimi i “burrnisë” dhe i “nderit”.
Ajo që po më jep shpresë janë protestat dhe gjeneratat e reja. Ato që nuk po i pranojnë këto norma. Që nuk na dëgjojnë kur flasim për këto gjëra, që nuk na e pranojnë moralizimin e vonshëm të gjeneratës sime. Aq sa po më vjen marre t’u dal përballë. Por, në të njëjtën kohë, po më gëzon brenda fakti se shpresë ka, ndonëse rruga është e gjatë dhe e mundimshme.
Arlinda ndoshta nuk do të jetë viktima e fundit e këtyre gërmadhave të shoqërisë sonë. Por ajo është flaka e madhe që ndriçon rrugën. Ajo e pagoi këtë shumë shtrenjtë, me sakrificën më të madhe. Neve na e zvogëloi edhe sakrificën, edhe punën që kemi për të bërë.
Andaj, flisni, protestoni, lajmëroni rastet dhe kërkoni përgjegjësi. Sa më shumë, sa më zhurmshëm.