Si mund ta ridefinojë energjia rolin e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor

Një raport i ri i Departamentit të Shtetit specifikon një ndryshim në qasjen amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor, larg nga promovimi i demokracisë dhe zgjerimi i BE-së dhe NATO-s.
Agon Maliqi
Loading Icons...
test12

Si mund ta ridefinojë energjia rolin e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor

Agon Maliqi
Loading Icons...

Që kur administrata Trump mori detyrën në janar të vitit 2025, vëzhguesit në Ballkanin Perëndimor dhe përtej tij kanë vrarë mendjen nëse politika e SHBA-së ndaj rajonit të Evropës Juglindore do të ndryshonte. Për dekada me radhë, nën administratat sa demokratike aq edhe republikane, strategjia e SHBA-së u përqendrua në mbështetjen për anëtarësimin përfundimtar të rajonit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si dhe në investimet për të forcuar qeverisjen demokratike, pavarësinë energjetike dhe integrimin e tregut rajonal. Edhe pse angazhimi i SHBA-së ka rënë që nga kulmi i tij i viteve ’90-ta — kur Uashingtoni adaptoi një rol plotësues ndaj udhëheqjes evropiane (përveç në siguri dhe mbrojtje) — kjo shtyllë strategjike mbeti konsistente.

Mandati i dytë i Trump-it ka përmbysur disa nga këto parime thelbësore. Ka një lloj vazhdimësie politike në degën legjislative të SHBA-së, siç është kodifikuar përmes Aktit dypartiak për Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor, dhe në Pentagon, i cili nuk ka ndryshuar qëndrimin e forcave të SHBA-së në rajon. Por Departamenti i Shtetit ka marrë një qasje ndryshe në linjë me ndryshimet më të gjera globale. Këto u artikuluan qartë në një raport të fundit të Departamentit të Shtetit dërguar Kongresit, i cili e përcakton qëllimin e SHBA-së efektivisht”stabilitetin… si një mjet për të ndjekur bashkëpunimin ekonomik”.

Siç pritej gjerësisht, promovimi i demokracisë dhe shtetndërtimi janë braktisur, ashtu si edhe anëtarësimi në BE dhe zgjerimi i NATO-s. Në rrafshin operacional, Shtetet e Bashkuara nuk koordinohen më me evropianët përmes formatit të QUINT-it — grupimi i Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara. As nuk ndërhyn aktivisht në menaxhimin e punëve të përditshme të Ballkanit, duke i lëvizur Shtetet e Bashkuara drejt një qasjeje që synon “fuqizimin e aktorëve lokalë për të zgjidhur sfidat e tyre”.

Kjo qasje më e qetë e SHBA-së ndaj rajonit, e shoqëruar me faktin se Departamenti i Shtetit ende nuk ka ambasadorë të konfirmuar nga Senati atje, kanë krijuar përshtypjen e një mungese të drejtimit ose fokusit të qartë ndaj rajonit. Por shumë tregues flasin për një angazhim të konsiderueshëm të SHBA-së, megjithëse përmes një kornize tjetër strategjike. Fokusi qendror i SHBA-së sot duket se është në projektet e energjisë dhe infrastrukturës ekonomike, dhe me një fushëveprim gjeografik më të gjerë. Në mendësinë e administratës, Ballkani Perëndimor po absorbohet gjithnjë e më shumë në zonën më të gjerë të Evropës Jugore, Qendrore dhe Lindore, me të cilën zyrtarët e energjisë të administratës Trump kanë thurur lavde për “hapjen e një ere të re të bashkëpunimit”.

Energjia ruse jashtë, energjia amerikane brenda

Nën presidentin e SHBA-së Donald Trump, dominimi energjetik është shfaqur si një doktrinë strategjike e politikës së jashtme dhe të sigurisë së SHBA-së. Përpjekjet e SHBA-së për të zëvendësuar Rusinë si eksportuesi dominues i gazit natyror në Evropë, dukshëm janë bërë korniza kryesore përmes së cilës Uashingtoni sheh angazhimin dhe partneritetet e tij edhe në Ballkan. Rajoni ka nevojë për energji të besueshme për veten e tij dhe mund të shërbejë si një pikë hyrjeje/tranzicioni për të lëvizur gazin natyror të lëngshëm (LNG) të SHBA-së drejt Evropës Qendrore dhe Lindore. Energjia e besueshme është gjithashtu e nevojshme për të nxitur investimet private të SHBA-së në rajon, siç është projekti i shpallur së fundmi multimiliardë dollarësh i qendrës së të dhënave të inteligjencës artificiale në Kroaci. Administrata Trump ka shpërndarë instrumente të ndryshme financimi për të çuar përpara këtë qëllim të energjisë së besueshme, duke përfshirë Bankën e Eksport-Importit dhe Korporatën Ndërkombëtare të Financimit të Zhvillimit, për të mbështetur projektet e infrastrukturës energjetike nga Turqia në Poloni dhe Sllovaki.

Një nga projektet strategjike afatgjata në Ballkan është Korridori Vertikal i Gazit, i cili synon të kthejë portet greke dhe terminalet e LNG-së dhe Tubacionin Trans-Ballkanik në një qendër (hub) për rigazifikimin e LNG-së së SHBA-së dhe shpërndarjen e tij drejt veriut në të paktën shtatë vende, duke shpresuar që përfundimisht të arrijë në Ukrainë. Sapo të përfundojë, ky korridor do të ishte një alternativë ndaj tubacioneve që furnizojnë me gaz rus. Muajt e fundit, firmat amerikane të energjisë ExxonMobil dhe Chevron kanë nënshkruar gjithashtu marrëveshje me Greqinë për të eksploruar depozita të reja të gazit natyror pranë Detit Jon dhe Kretës. Në prill, Shqipëria, fqinji verior i Greqisë, nënshkroi një marrëveshje-kornizë gjashtë miliardë dollarëshe, njëzetvjeçare me firmën amerikane Venture Global dhe kompaninë greke Aktor për të importuar LNG amerikan, fillimisht përmes Greqisë, me plane për ta kthyer më vonë portin jugor shqiptar të Vlorës në një qendër importi dhe për të strehuar një termocentral të ri me bazë gazi.

Më në veri, terminali kroat i LNG-së në Krk është bërë një tjetër pikë strategjike hyrjeje për LNG-në e SHBA-së në rajon. Administrata Trump ka punuar me autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë (BiH) për të zhvilluar Interkoneksionin Jugor të Gazit nga Krk në BiH, gjë që do t’i siguronte kësaj të fundit një alternativë për varësinë e saj nga gazi rus që merr përmes Serbisë.

Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova pritet kryesisht të integrohen në korridoret energjetike të SHBA-së. Raporti i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, për shembull, liston disa projekte prioritare, duke përfshirë përmirësimet në termocentralet e Kosovës me bazë qymyri. Tashmë, Serbia po diversifikon burimet e saj të furnizimit me gaz, duke përdorur një rrugë alternative furnizimi përmes Greqisë dhe Bullgarisë. Ajo ka nënshkruar gjithashtu një marrëveshje për Bashkëpunim Strategjik me Shtetet e Bashkuara, me Uashingtonin që njëkohësisht kërkon të detyrojë Gazprom-in e Rusisë të shesë pjesën e tij kontrolluese në kompaninë serbe të energjisë NIS.

Drejt përplasjes me BE-në?

Administrata Trump qartazi e sheh këtë strategji përmes prizmit të përfitimeve për ekonominë dhe industrinë e SHBA-së. Por ajo është gjithashtu si një burim influence (leverage) për të arritur qëllime gjeopolitike, siç janë sigurimi i rreshtimit me interesat e SHBA-së/NATO-s, parandalimi i konkurrentëve dhe krijimi i stimujve për bashkëpunim rajonal. Kjo qasje u shfaq plotësisht këtë vitin e kaluar në BiH, ku pati një shkëmbim pezull të drejtpërdrejtë “dhëmb për dhëmb” midis Shteteve të Bashkuara dhe Milorad Dodikut, proksit të Kremlinit dhe trazirëbërësit secesionist. SHBA hoqi sanksionet ndaj Dodikut pothuajse ekzaktesisht në të njëjtën kohë me përparimet legjislative në projektin e Interkoneksionit Jugor të Gazit në BiH. Duke lëvizur nga gazi rus drejt LNG-së së SHBA-së, Shtëpia e Bardhë me sa duket supozon se rreshtimi politik i Dodikut do të rridhte gjithashtu në të njëjtin drejtim.

Nga një perspektivë e sigurisë, një prani më e madhe ekonomike e SHBA-së në rajon, dhe heqja e instrumenteve ruse të shtrëngimit, krijon një interes të veçantë për Uashingtonin që të mbetet i angazhuar në mbrojtjen e rendit rajonal që ndihmoi të formësohej. Në parim, ky është një zhvillim pozitiv për sigurinë rajonale, i cili mund të dobësonte pozicionin e aktorëve revizionistë si presidenti serb Aleksandar Vuçiq në kërkimin për të luajtur lojëra balancuese gjeopolitike midis Perëndimit dhe Rusisë. Për këtë qëllim, ishte inkurajuese që deklarata kryesore nga vizita e fundit në Beograd e Ambasadorit të SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker, ishte të vriste në sy nevojën që Serbia të rreshtojë drejtimin e saj strategjik me Perëndimin — një pikë e rëndësishme e vazhdimësisë së politikës së SHBA-së nga administrata Trump.

Megjithatë, ekziston rreziku që kjo strategji të përplaset me qëllimin jetik të rajonit për anëtarësim në BE. Investimet e mëdha në gaz bien ndesh me agjendën më të gjerë të gjelbër të BE-së për të hequr faza-faza gazin, duke i lënë kandidatët e Ballkanit Perëndimor — të cilët duhet të plotësojnë kritere dhe kërkesa specifike për t’u anëtarësuar në BE — të kapur në mes të zjarrit të ndarjeve SHBA-BE dhe atyre brenda BE-së për këtë çështion. Disa shtete anëtare të BE-së, përfshirë Greqinë dhe Kroacinë, janë pjesë e korridoreve të LNG-së së SHBA-së, dhe ato kanë tentuar të shtyjnë Brukselin të zbutë kufizimet në projektet e gazit, por mbetet ende për t’u përcaktuar se sa e suksesshme do të jetë kjo.

Së dyti, kjo strategji potencialisht kërcënon qeverisjen rajonale, pasi shumica e investimeve janë të strukturuara përmes marrëveshjeve të errëta qeveri-me-qeveri dhe legjislacionit special që u jep qasje të privilegjuar kompanive të parapërcaktuara të SHBA-së — siç ilustrohet nga shqetësimet e BE-së mbi rregullimin me lex specialis të BiH-së. Marrëveshje të tilla jokonkurruese dhe jotransparente rrezikojnë të shkaktojnë kosto financiare të pajustifikueshme për qytetarët në rajon dhe të përfitojnë rrjetet financiare të liderëve të fortë rajonalë (strongmen) të cilët minojnë demokracinë dhe rrugën e rajonit drejt BE-së.

Është e vështirë të vlerësohet se sa larg do të përparojë kjo agjendë e energjisë e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor dhe çfarë do të arrijë brenda mandatit të Trump-it. Pjesa më e madhe e asaj që ka ndodhur deri më tani përfshin nënshkrimin e marrëveshjeve-kornizë dhe fillimin e proceseve legjislative që do të kërkojnë kohë për t’u konkretizuar. Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor janë gjithashtu shumë të rrahur me lojërat transaksionale dhe përdorimin e proceseve labirintike për të blerë kohë dhe për të siguruar interesat e tyre (hedge their bets). Përballë kësaj strategjie të re ndaj rajonit, disa liderë të Ballkanit Perëndimor mund të përpiqen të fitojnë favorin e administratës Trump dhe të firmave të energjisë pro-Trump për përfitime politike afatshkurtra, aktualisht të vetëdijshëm se rrymat e politikës së SHBA-së mund të ripërtërijnë dhe ritrajtojnë edhe një herë prioritetet e politikës së jashtme amerikane. Por është e sigurt të supozohet se për momentin “doktrina e Trump-it për Ballkanin” ofron një parandalues kundër kërcënimeve të sigurisë afatshkurtër, ndërsa nuk zgjidh shumë nga sëmundjet afatgjata, dhe ndërlikon më tej një rrugë anëtarësimi në BE tashmë të vështirë.