

“Revolucioni i Flamingove” ka marrë vëmendje të madhe ndërkombëtare dhe është një prej ngjarjeve të rëndësishme në Shqipëri që nga rënia e komunizmit. Derisa po ecja mes turmës së protestuesve në Vjenë në solidaritet me Revolucionin e Flamengove, ndër të tjera protestuesit thërrisnin edhe ‘Shqipëri Etnike’. Aty e kuptova që në fakt të gjithë së bashku po marshonim për Shqipëri Etike.
Revolta qytetare në Shqipëri më ringjall shpresën që do të ngrihemi nga apatia dhe do të çlirohemi nga cinizmi i përqafuar si pasojë e keqpërdorimit të normave dhe parimeve mbi të cilat e ndërtojmë shtetin dhe institucionet politike. Në këtë ‘blog’ shpreh arsyet se pse kjo ngjarje më ka frymëzuar kaq shumë, dhe pse shënon një moment të rëndësishëm shprese për demokracinë dhe shtetin e drejtë në Shqipëri.
“Revolucioni i Flamingove” nuk është shpërthim i rëndomtë qytetar që fillon e mbaron me kundërshtimin ndaj investimit të paraparë në Zvërnec e Sazan. Arsyet e mobilizimit qytetar tejkalojnë qëllimet në vetvete legjitime për mbrojtjen e ambientit dhe habitatit natyror. Ato zgjatohen drejt kundërshtimit të politikës së përçudnuar të shtetit si fasadë, arrogancës së pushtetit, ngushtimit të hapësirës demokratike (dhe jo vetëm) dhe rrëshqitjes larg demokracisë.
Pavarësisht progresit të shënuar ndër vite, Shqiptarët jetojnë në një shtet ku qytetarit i është ngushtuar hapësira dita-ditës. Shteti dhe institucionet i ngjajnë godinave në qendrën e Tiranës, ku fasadat nga rruga duken të bukura, por të njëjtat ndërtesa duken sikur do të rrënohen nën peshën e kohës nëse shihen nga përbrenda rrugicave.
Përderisa qytetarët që shkojnë çdo ditë në administratë, shkolla, spitale, dhe punë, i ndjejnë në lëkurën e tyre pasojat e shtetit fasadë, ai shfaqet lakuriq kur thirret të veprojë në emergjenca publike. Në rastet e tilla del që shteti nuk ka as strategji, as protokolle operacionale, as makineritë e përshtatshme (e.g. helikopterët teknikisht në gjendje të fluturojnë), dhe as qentë kërkues blerja dhe trajnimi i të cilëve sigurisht figuron në pasqyrat buxhetore. Ky është shteti fasadë, që duket por bën pak gjëra. Ai është i thyer dhe jofunksional përbrenda.
Ekonomia shqiptare prodhon numra pozitivë por mirëqenie negative. Turizmi nuk ndjek ndonjë model të zhvillimit të qëndrueshëm, dhe shumë prej investimeve “strategjike” në turizëm kanë dalë të jenë projekte për zhvillimin e patundshmërive që u shërbejnë oligarkëve dhe parave të zeza të krimit dhe jo investime në turizëm. Sipas analizave të fundit, edhe projekti i Zvërnecit është një i tillë. Qytetari mbijeton në një ekonomi të vërshuar nga paratë e zeza që kanë destabilizuar tregun e lirë dhe konkurrencën duke i fryrë çmimet dhe vështirësuar jetën.
Korrupsioni dhe thellimi i hendekut të pabarazisë bëjnë që qytetarët të largohen nga Shqipëria sikur nga një vend që është në prag të kolapsit dhe jo një vend që po përjeton zhvillim ekonomik. Shqipëria është një ndër rastet me shkallën më të lartë të migrimit në raport me popullsinë, si dhe me shkallën më të lartë të ikjes së trurit.
Sipas të dhënave të RCC-së, mes 42 dhe 49% e Shqiptarëve e konsiderojnë emigrimin jashtë vendit (shih f. 17). Sipas shifrave të INSTAT-it, me përjashtim të vitit 2020, nga viti 2018 deri më 2022 kanë emigruar rreth 40 mijë Shqiptarë në vit. Prej vitit 2017 deri më 2024, mbi 5000 persona kanë hequr dorë nga shtetësia e Shqipërisë. Sipas projeksionit të popullsisë për vitet 2019-2031, Shqipëria humb mbi 5% të popullsisë ose 116,431 banorë. Kjo ka implikime serioze për ekonominë në përgjithësi dhe kufizon rritjen e sektorëve të tërë të ekonomisë.
Këto janë pak a shumë kushtet në të cilat flamingot sollën protestat dhe vendosmërinë e shqiptarëve për të kërkuar një shtet të drejtë dhe qytetarë. Andaj edhe kërkesat tejkalojnë Zvërnecin, Sazanin, apo flamingot e Nartës, pasi Shqiptarët kanë më shumë se një arsye për tu revoltuar: ata duan një Shqipëri Etike.
Në dritën e rrethanave të paraqitura më sipër, qytetarët shqiptarë janë dyndur në rrugë kundër një modeli qeverisjeje që nuk i merr parasysh interesat e qytetarëve. Në një demokraci që premton sundim të ligjit dhe shtet të së drejtës, sa herë që shteti largohet nga parimet mbi të cilat është ndërtuar, ngre krye një tension i vjetër e filozofisë politike: si të mbrojmë shtetin dhe qytetarin nga tendencat dominuese të tiranëve, diktatorëve, oligarkëve?
Protestat qytetare janë rezultat i këtij tensioni. Ato janë kundër ndikimit të politikave publike nga interesa private të boshtit të të korruptuarve dhe të bankrotuarve moralisht e politikisht. Është kundërshtim i rrëshqitjes së shtetit nga duart e qytetarëve, dhe realizimit të interesave private në kurriz të resurseve publike dhe interesit publik.
Së pari, protesta qytetare po e revitalizon skenën politike në Shqipëri, duke dalë jashtë truallit të politikëbërjes ndërmjet partive tradicionale (PS-PD). Qytetarët, po e marrin politikën në duart e tyre duke e dëshmuar se mund të organizohen dhe janë në gjendje të artikulojnë qëndrimet e tyre për të mbrojtur interesat e përbashkëta, pavarësisht dallimeve ideore që mund të kenë. Kjo krijon shpresë për lëvizje të reja qytetare, të cilat mund të prodhojnë alternativa zgjedhëse jashtë binomit PS-PD.
Së dyti, qytetarët po dalin në rrugë për ti kërkuar llogari pushtetit arrogant që nuk i përmbush detyrat bazike ndaj qytetarit. Qytetari nuk qëndroi indiferent ndaj pamjeve ku banditë me maska të punësuar nga një kompani private, jo që shanë, fyen, dhe tërhoqën zvarrë qytetarët duke i rrahur para kamerave, por sulmuan edhe policinë e shtetit me ‘pepper-spray’ duke konsumuar vepër penale ndaj forcave të rendit në transmetim ‘live’. Shteti nuk reagoi, as nuk i arrestoi në vend, as nuk u ngriti aktakuzë pastaj, por qytetarët u përgjigjën njëzëri.
Së treti, revolta që nisi në Zvërnec shpejt u masivizua dhe zbarkoi në rrugët e kryeqytetit, duke ofruar një shembull të jashtëzakonshëm të mobilizimit qytetar, kurajos civile, dhe civilitetit. Për më tepër, transferimi i revoltës në qendër inspiroi revolta gjithandej ku resurset ishin marrë me pahirë. Rrethojat filluan të bien kudo ku qytetari ishte anashkaluar nga vendimmarrja, si dhe ndjenja e komunitetit dhe kauzat në interesin e përbashkët qytetar po ringjallen.
Së katërti, revolta artikulon kundërshtimin qytetar ndaj modelit të ‘ekskluzivitetit’, ku vlera përcaktohet nga (pa)mundësia e qasjes. Ngushtimi i hapësirës publike, apo neglizhenca ndaj atyre që kanë mbetur publike, nuk pi më ujë për qytetarin shqiptar. Ai kërkon shërbime publike, hapësira publike të qasshme, investime dhe zhvillim të qëndrueshëm pa kosto të rënda sociale dhe mjedisore.
Së pesti, qytetari po kundërshton fuqishëm keqpërdorimin e kornizës ligjore që mundëson lehtësime procedurale dhe shpronësim të kollajshëm për mundësimin e “investimeve strategjike”. Në kontekstin e Shqipërisë, ku problemi me pronat nuk është i zgjidhur dhe persona të lidhur me krimin po kapin hapësirën afariste, mundësitë e keqpërdorimeve janë të pafundme. Qytetari po kërkon përfshirje, llogaridhënie dhe proces të rregullt ligjor.
Qytetari po kërkon, Shqipëri Etike!