

Një nxënës i vitit të dytë në Gjimnazin Ekonomik (për hir të privatësisë, po e quajmë K.) tregonte me zë të lartë se si një mësuese e shkollës së tij kishte telefonuar të ëmën për ta njoftuar se atë ditë nuk kishte shkuar në shkollë.
Ishte tejet i acaruar. Me fytyrën të mbuluar thjesht me një shall rreth gojës dhe me kapuç në kokë, mbante në dorë dy gurë që dukeshin si copa të shkëputura nga trotuaret pranë Ministrisë së Arsimit.
“Nuk na kanë dëgjuar asnjëherë. Çfarë duhet të bëjmë ne që të na dëgjojnë? E kuptoj se nuk kam të ardhme! Jam i lodhur nga të gjithë”.
Si ai, kishte shumë të tjerë në protestë. Të rinj që nuk kishin treguar frikë të përballeshin edhe me Policinë.

Dikush, pa u stepur, bërtet teksa laget nga uji me presion i Policisë: “Nuk jemi opozita, jemi studentët! Duam të drejtat tona!”.
Atyre nuk u pëlqen fakti që, atë mëngjes, kryeministri u ishte drejtuar si njerëz të nxitur nga opozita, ndonëse, në fakt, ai iu referua personave që kishin shkatërruar pronën publike dhe jo të gjithë protestuesve.
Por duket se nuk u pëlqen as diçka tjetër: Flamingot!
Në horizont shfaqet Arben Kola, me një flamur në dorë. Ai është një prej organizatorëve të protestës që ka zgjatur më shumë se 130 ditë para Kryeministrisë. Edhe ai lihet i vetëm nga studentët. Thuajse askush nuk i bashkohet thirrjeve të tij për t’u afruar më shumë me Policinë, përballë Ministrisë së Arsimit.

Disa thonë se kjo protestë është një zgjatim i protestave të Flamingove. Por mjafton të zbresësh në rrugë për të kuptuar se kjo nuk pasqyrohet në pjesën më të madhe të diskursit të të rinjve që protestojnë.
Një video që u bë virale mbrëmjen e 15 tetorit tregon një vajzë që, mes lotësh, i shpjegon Policisë se nuk po gjejnë dot më një mënyrë tjetër për t’u dëgjuar. Po atë vajzë, në emisionet televizive më të ndjekura të mbrëmjes së vonë, e pret një “moral” se çfarë nuk duhet të bëjë në këtë protestë dhe si duhet të sillet.
Ndërsa ajo merr leksione morali në ekran, dhjetëra nxënës e studentë përballen me Policinë rrugëve të Tiranës. Disa shoqërohen, të tjerë arrestohen, ndërsa ka edhe pamje për të rinj që merren me forcë nga mjete pa shenja identifikimi dhe nga persona civilë, të paidentifikuar.

Nga ana tjetër, opozita shfaqet “në mbrojtje të kauzës”, por njëkohësisht merret me akuza ndaj fraksioneve të ndryshme, duke u përpjekur të përcaktojë se kush përfaqëson kauzën e duhur dhe kush jo.
Ky është problemi që pushteti nuk arrin ta kuptojë te rinia e sotme. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për pushtetin qeverisës. As vetëm për politikën. As vetëm për Policinë. As për të ashtuquajturit “Flamingo”. Bëhet fjalë për çdo pushtet, përfshirë edhe atë mediatik.
E gjithë dhuna është shqetësuese, vërtet. Vandalizmi është shqetësues.
Por klithma që të rinjtë lëshojnë sot nuk është klithma e vandalëve. Është klithma e atyre që janë rritur pa zë, të përndjekur nga hija e padukshme e një pushteti shumë të dukshëm, që kërkon t’u vërë dorën mbi gojë për t’i detyruar të heshtin.
Ka një ndryshim thelbësor, rrënjësor, mes kësaj gjenerate dhe asaj të mëparshme.
Ndërsa milenialët zgjodhën të iknin, shpesh pa u dëgjuar, Gen Z duket se ka hyrë në një fazë tjetër: atë të çlirimit nga kompleksi i vetes përballë pushtetit. Nuk kërkon më thjesht një rrugëdalje. Kërkon të dëgjohet.

Dhe nëse pushteti nuk e kupton se zgjidhja nuk është t’i akuzosh të rinjtë për protestat e tyre, t’i rrahësh pa hesap e pa kontroll përmes Policisë, të mos i dëgjosh dhe, mbi të gjitha, të përpiqesh t’i heshtësh, atëherë nuk ka kuptuar asgjë nga rrëfimi i një proteste që zgjati 130 ditë në qetësi dhe që, prej katër ditësh, është shndërruar në një protestë të dhunshme.
Dikush duhet t’ia thotë!