Për të rifreskuar idetë mbi fjalën “racë” dhe çnjerëzimin e saj, duhet lexuar eseja e filologut Lino Leonardi.
E lidhur me tmerret e shekullit të XX, me persekutimet nazifashiste, me aparteidin dhe segregacionizmin, që u rishfaqën në raport me emigrantët, fjala lindi në Itali në mesjetë, pikërisht në fund të shekullit të XIII.
Përdorimi u bë më i gjerë midis fundit të shekullit të XVII dhe mesit të shekullit të XIX duke e transformuar në një ide moderne. Në atë kohë, autorë me ndikim si Linnaeus (suedez), Johann Friedrich Blumenbach (gjerman) dhe Arthur de Gobineau (francez) ishin ndër intelektualët që pretendonin se të gjithë anëtarët e një “pakice racore” zotëronin të njëjtat tipare (të klasifikuara si inferiore), të cilat do të transmetoheshin në mënyrë të pandryshueshme, si rrjedhim biologjikisht.
Prandaj, këta shkencëtarë argumentuan se individët me lëkurë të bardhë (anglo-saksonët) ishin biologjikisht superiorë ndaj individëve të “racave” të tjera. Kjo linjë e të menduarit u bë gjithashtu e njohur në literaturën e shkencave shoqërore dhe humane si “racizëm shkencor” dhe “darvinizëm social”, duke iu referuar teorisë së Çarls Darvinit për evolucionin e specieve.
Në atë kontekst historik, ideja e racës shërbeu jo vetëm për të shënuar dallimet midis grupeve shoqërore, por mbi të gjitha për të justifikuar pabarazitë, skllavërinë e imponuar ndaj individëve afrikanë, mungesën e të drejtave të njeriut, margjinalizimin dhe përjashtimin social dhe një marrëdhënie të pabarabartë pushteti.
Fjala, me prejardhjet e saj (racizëm dhe racist) dhe variantet e saj fonetike, janë përhapur në të gjitha gjuhët, me një ringjallje më të fundit.
Nga njëra anë, një shënim i vitit 1933, i nënshkruar nga studiuesi hebre austriak Leo Spitzer, e merrte si të mirëqenë derivimin nga latinishtja «ratio» (arsyeja), duke nënvizuar paradoksin sipas të cilit themeli i supozuar biologjik i teorive raciste kishte përdorur një term që i përkiste zonës së kundërt semantike, asaj të racionalitetit dhe transcensionit.
Nga ana tjetër, zbulimi i bërë në vitin 1959 nga Gianfranco Contini teksa studionte tekste të ndryshme antike, para së gjithash një poezi me titull L’Intelligenza, ku gjen “një kalë të një race ‘razzo’ të madhe”. Prej andej Contini e gjurmon origjinën e fjalës në frëngjishten e vjetër «haraz», që tregonte vendin për rritjen e kuajve, duke përcaktuar një herë e mirë origjinën shtazore të fjalës, të konfirmuar nga hetimet e mëtejshme nga Francesco Sabatini.
Sot, megjithatë, ne vazhdojmë të flasim për “racën” në sferën njerëzore: disa vite më parë, anëtari i Ligës Veriore Attilio Fontana pyeti veten, përballë migrimit, “nëse raca jonë e bardhë duhet të vazhdojë të ekzistojë…”. Një frazë që nuk harrohet lehtë.
“Raca” është më tepër një konstrukt social sesa një karakteristikë biologjike e pandryshueshme. Racat njerëzore nuk ekzistojnë dhe aq më pak një “racë e pastër”.
Racizmi sot është rend i ditës. Dhe për fat të mirë, edhe anti-racizmi.
Në vitin 2008, shkencëtarja e njohur italiane Rita Levi Montalcini, fituese e çmimit Nobel për mjekësi, në 70-vjetorin e ligjeve racore fashiste, së bashku me studiues të tjerë nënshkruan një deklaratë, ku ndër të tjera thuhej se.
“Racat njerëzore nuk ekzistojnë. Ekzistenca e racave njerëzore është një abstraksion që rezulton nga një keqinterpretim i dallimeve të vogla fizike midis njerëzve, të perceptuara nga shqisat tona, të lidhura gabimisht me dallimet psikologjike dhe të interpretuara në bazë të paragjykimeve shekullore”.
Aktualisht, megjithëse koncepti i vjetër “shkencor” i racës është braktisur nga shumica e studiuesve dhe shkencëtarëve në shkencat njerëzore dhe shoqërore, është e mundur të vërehet se përdorimi i termit “racë” vazhdon të jetë i pranishëm në shoqëritë tona. Dhe bashkë me të, për fat të keq, edhe racizmi.
Në futbollin e të rinjve psh., fyerjet raciste janë thuajse të përditshme.
Të gjitha sa thamë mund të duken të vjetra. Por një pyetje është e re: me shembujt e brutalitetit të ashpër, arrogancës dhe paturpësisë që vijnë çdo ditë nga lart (shumë lart), si mund t’u mësojmë të rinjve respektin?