

Një mik i imi, që prej kohësh merret me monitorimin e propagandës digjitale dhe mënyrën se si ndërtohen narrativat politike në rrjetet sociale në Kosovë, më përshkruante para disa ditësh një skenë që në fillim më dukej si fantazi politike, por që sa më shumë zhvillohej beteja mes Vjosa Osmani dhe Albin Kurtit, aq më shumë fillonte të dukej reale si betejë.
Ai fliste për një dhomë. Jo domosdoshmërisht fizike, por më shumë si një laborator emocional politik dhe si një hapësirë ku nuk prodhohen vendime shtetërore, por perceptime morale. Kjo dhomë është një vend ku disa të rinj, të bindur se e kuptojnë psikologjinë e turmës më mirë se vetë politika tradicionale, marrin urdhëra dhe kalojnë orë të tëra duke ndërtuar ritmin emocional të ditës së nesërme.
Ata mendojnë se nuk janë propagandistë klasikë, dhe as nuk kanë as gjuhën primitive të gazetave të viteve të nëntëdhjeta. Ata mendojnë se punojnë me logjikën moderne të “narrative engineering”, me teknikën që në shumë vende të botës është studiuar si prodhim algoritmik i emocioneve politike përmes mikrotargetimit psikologjik dhe amplifikimit digjital, më tregon ky miku im.
Ai më tregonte shembuj si në Izrael, në SHBA, në Britani, këto sisteme kanë marrë forma të ndryshme. Disa prej tyre u njohën publikisht pas skandaleve si Cambridge Analytica, ku politika nuk ndërtohej më mbi ideologjinë klasike, por mbi identifikimin e frikës, zemërimit dhe dyshimit si energji mobilizuese. Në këtë logjikë, vazhdon miku im, nuk ka më nevojë ta bindësh qytetarin për një të vërtetë. Mjafton ta fusësh kundërshtarin në zonën e dyshimit moral. Dhe sapo publiku fillon të ndjejë se “diçka nuk është në rregull”, procesi ka filluar.
Kaq mu desht ta kuptoja se kjo është arsyeja pse në Kosovë tradhtari nuk prodhohet më përmes një akuze direkte. Ai ndërtohet ngadalë, përmes pyetjeve, insinuatave, aludimeve, heshtjeve dhe ritmit të kontrolluar të dyshimit publik. Fillimisht dalin pyetjet. Pastaj dyshimet. Pastaj insinuatat për takime sekrete, për komunikime të fshehta, për biseda që askush nuk i ka dëgjuar, por që të gjithë fillojnë t’i imagjinojnë.
Dhe pikërisht këtu duket se ka hyrë sot marrëdhënia mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit, që largon nga debati publik të gjithë të tjerët sepse nuk kanë rrëfim.
Në sipërfaqe duket si konflikt pushteti, por në të vërtetë është betejë për monopolin moral të patriotizmit. Sepse në Kosovë pushteti nuk mjafton sepse sipas një logjike të pashkruar duhet të jesh edhe moralisht i pastër. Duhet të dukesh si ai që Serbia e urren më shumë dhe si ai që nuk ka lënë asnjë hije dyshimi mbi raportin e tij me të.
Prandaj sulmet mes tyre nuk po zhvillohen më vetëm në plan institucional apo politik, por në territorin më të ndjeshëm të Kosovës dhe atë në territorin e tradhtisë kombëtare.
Njëra palë, dmth Vjosa dhe ekipi i saj që kërkon algoritmin e vet, lë të kuptohet se dikush po negocion fshehurazi, se janë zhvilluar biseda te Kurtit mikut të saj të deridjeshëm, me Vuçiç, për të cilat publiku nuk di asgjë dhe se askush nuk e di çfarë është pranuar apo premtuar në ato takime. Pala tjetër e sheh Vjosa Osmanin si figurë që po largohet nga projekti moral dhe politik i saj dhe Vetëvendosjes dhe që po hyn gradualisht në orbitën e establishmentit që dikur vetë VV e kishte shpallur si problem të shtetit.
Dhe kështu, pa u thënë gjithçka drejtpërdrejt, fillon ndërtimi i tradhtarit të 7 qershorit.
Në këtë pikë ndodh paradoksi më i madh i shtetit të Kosovës. Serbia vazhdon të përcaktojë patriotin dhe tradhtarin në Kosovë pa marrë pjesë fare në zgjedhje. Mjafton një zyrtar serb ta sulmojë Kurtin dhe ai rritet menjëherë si figurë rezistence. Mjafton një portal anonim në periferi të botës serbe të publikojë një teori për atentat ndaj tij dhe, brenda pak orësh, krijohet aura e njeriut që Serbia e urren dhe e frikësohet.
Në psikologjinë kolektive të Kosovës kjo ka peshë enorme, sepse kujtesa e luftës dhe trushpërlarja e pasluftës vazhdon të funksionojë si sistem legjitimiteti moral. Për këtë arsye, kushdo që shihet si objekt sulmi nga Serbia fiton menjëherë kapital patriotik, ndërsa kushdo që flet më qetë, më institucionalisht apo pa histeri emocionale për Serbinë, fillon të futet gradualisht në zonën e dyshimit.
Dhe këtu fillon tragjedia psikologjike e Kosovës moderne. Që edhe pas luftës, edhe pas pavarësisë, edhe pas gjithë sakrificës historike, Serbia vazhdon të jetë matësi moral i politikës në Kosovë dhe sidomos për diasporën dhe për patriotizmin primitiv të shumicës së saj, dhe jo më përmes tankeve, as përmes policisë, por përmes traumës që vazhdon të jetojë në gjuhën publike të Kosovës.
Në të vërtetë, Serbia sot nuk ka nevojë të ndërhyjë gjithmonë drejtpërdrejt në politikën e Kosovës. Shpesh mjafton që diskursi publik të ndërtojë frikën nga Serbia dhe mjafton vetë nevoja e politikanëve shqiptarë për të provuar se nuk janë të afërt me të. Dhe pikërisht kjo nevojë prodhon patriotizëm agresiv, akuza për tradhti dhe kërkim të vazhdueshëm për armikun e brendshëm.
Në këtë klimë, opozitari klasik nuk mjafton më. Ai nuk prodhon emocion. Nuk mobilizon turmën, kurse tradhtari i ri duhet të vijë nga brenda. Duhet të jetë dikush që deri dje ishte pjesë e moralit patriotik dhe që sot duhet të nxirret prej tij. Dhe për këtë arsye beteja mes Albinit dhe Vjosës është shumë më e rëndë sesa duket. Sepse nuk është vetëm për pushtet, por është për përcaktimin moral të Kosovës së ardhshme.
Dhe ndërkohë, në atë laborator emocional politik, dikush vazhdon të prodhojë fjali, ritme dhe algoritme zemërimi për tradhtarin e radhës, ndërsa publiku fillon gradualisht të mësohet me idenë se dikush duhet patjetër të jetë fajtor, dikush duhet patjetër të jetë i shitur dhe dikush duhet patjetër të mbajë vulën morale të tradhtisë, saktësisht siç ma përshkruante miku im.
Prandaj pyetja “kush është tradhtari i 7 qershorit” nuk është më vetëm pyetje politike. Është pyetje për mënyrën se si Kosova vazhdon ta ndërtojë psikologjinë e saj publike përmes frikës, traumës dhe nevojës së pandalshme për të prodhuar armikun e radhës.