Gjenerata Z po e mund Ramën në lojën e tij

Me meme dhe flamingon si simbol, të rinjtë shqiptarë ia kanë marrë Ramës fjalën e fundit.
Agon Maliqi
Loading Icons...
test12

Gjenerata Z po e mund Ramën në lojën e tij

Agon Maliqi
Loading Icons...

Kryeministri socialist i Shqipërisë, Edi Rama, i vënë nën trysni nga një lëvizje protestuese kundër qeverisjes së tij — e cila mori vëmendje ndërkombëtare kryesisht për shkak të lidhjeve me interesa biznesore të familjes Trump — mund të jetë udhëheqësi më i orientuar nga estetika dhe më i vetëdijshëm për imazhin në botë.

Qoftë duke veshur atlete në samitet e NATO-s, qoftë duke i kthyer panelet e konferencave në skena për batuta stand-up që bëhen virale, tani 61-vjeçari Rama ka ditur të tërheqë vëmendjen e mediave shumë përpara se influencerët të bëheshin fenomen — dhe si të nxirrte pushtet prej të qenit një komunikues efikas, ndonëse shpesh intimidues.

Prandaj ngjan krejt e natyrshme që sfida më e madhe ndaj sundimit 13-vjeçar të Ramës të ketë ardhur nga protestues të Gjeneratës Z, të zhdërvjellët dhe me vetëbesim, të cilët, duke përdorur hiperprodhimin e meme-ve nga inteligjenca artificiale, si armë estetike, ia kanë përmbysur talentet e shumta kryeministrit — duke e shtyrë atë në territorin e një“OK boomer”.

Artist dhe piktor për nga formimi profesional, Rama u ngjit në pushtet në fillim të viteve 2000 si kryebashkiak i Tiranës, duke kultivuar imazhin e një “anti-politikani” ekscentrik, që u bërtiste burokratëve dembelë para kamerave dhe rehabilitonte fasadat e rrënuara komuniste të qytetit me vizatime shumëngjyrëshe. Ai promovonte filozofinë se arti në hapësirat publike mund ta nxisë transformimin e komunitetit.

Si kryeministër, Rama i ka kushtuar shumë vëmendje transformimit jo vetëm të Tiranës dikur të zymtë, por edhe bregdetit mesdhetar të Shqipërisë. Rrokaqiejt vezullues, resortet luksoze dhe hapësirat publike të modernizuara e të ringjallura e kanë kthyer një nga vendet më të varfra të Evropës në një pikë të nxehtë turistike, duke tërhequr po ashtu vëmendjen e disa prej arkitektëve dhe artistëve më të njohur në botë.

Të rinjtë e Shqipërisë kanë qenë më pak të impresionuar nga piktori i kthyer në politikan. Por përbuzja e tyre shihej më shumë në statistikat e emigrimit sesa në protesta rruge. Deri tani. Ngjashëm me mënyrën se si Pranvera Arabe u ndez nga videoja virale e një shitësi ambulant tunizian që i vuri flakën vetes, një incident i vetëm i çoi në pikën e vlimit frustrimet e grumbulluara prej kohësh të të rinjve shqiptarë.

Kur banorët lokalë dhe ambientalistët në fshatin bregdetar të Zvërnecit — vendi ku është planifikuar ndërtimi i një resorti të ri turistik të lidhur me Jared Kushnerin, një fond me bazë në Katar dhe oligarkë lokalë — protestuan kundër rrethimit të një plazhi publik pranë një zone të mbrojtur natyrore, dy roje private sigurie e tërhoqën zvarrë nëpër rërë njërin prej banorëve, ndërsa policia lokale vështronte. Zemërimi publik ishte i menjëhershëm.

Ajo që nisi si protestë e izoluar në një fshat të largët u zhvendos shpejt në kryeqytet, duke u rritur me një shpejtësi të tillë sa mediat kryesore, kryesisht të vetëcensuruara, nuk mund ta mbanin më jashtë mbulimit. Kanë kaluar gati katër javë dhe demonstratat tani mbahen çdo ditë, me flamingon — shpend vendas në Shqipëri dhe i rrezikuar nga ndërtimi i resortit — si simbol bashkues. Protestat janë njëkohësisht të zemëruara — duke kërkuar përmbysjen e të gjithë establishmentit politik dhe mediatik — dhe festive. Si në shumë kryengritje të tjera të Gjeneratës Z, solidariteti politik është përhapur përmes humorit dhe memeve. Një brez shqiptarësh që më parë kishte qenë i heshtur po ndien një dinjitet të ri dhe një ndjenjë të re veprimi politik.

Mediat perëndimore i kanë paraqitur ngushtë demonstratat si të drejtuara kundër projektit të Kushnerit — një shpjegim ky më i thjeshtë për lexuesit e tyre. Edhe “fermat autoritare” të botëve në rrjete sociale janë vënë në lëvizje, duke e paraqitur rebelimin, në njëfarë mënyre, si të drejtuar kundër kolonializmit amerikan dhe atij izraelit.

Por problemet e vërteta lidhen krejtësisht me qeverisjen e brendshme. Dhjetëra mijëra shqiptarë të të gjitha prirjeve ideologjike — liberalë, nacionalistë, ambientalistë, marksistë, influencerë mode, madje edhe teoricienë periferikë konspiracioni — mblidhen çdo mbrëmje sepse ndihen të përjashtuar dhe të braktisur nga një elitë që kujdeset për veten, përfshirë edhe opozitën formale në parlament, Partinë Demokratike, e cila për vite me radhë ka zhvatur asetet publike përmes marrëveshjeve të errëta e klienteliste me interesa të veçanta. Miratimi i resortit të Kushnerit ishte vetëm shembulli më i fundit dhe më i dukshëm.

Rama është përpjekur të argumentojë se projektet e turizmit luksoz si ai i Kushnerit janë e ardhmja e ekonomisë. Protestuesit nuk e pranojnë këtë. Shqipëria mbetet ende një vend i varfër, ndërsa një model zhvillimi i mbështetur shumë te ndërtimi dhe turizmi ka pasuruar vetëm ata me lidhje të forta, duke i përjashtuar qytetarët e zakonshëm edhe nga kënaqësitë e thjeshta të pushimeve verore në bregdet. Për më tepër, sektori i turizmit po përdor punëtorë migrantë me paga të ulëta për t’i mbajtur kostot të ulëta, ndërkohë që vetë shqiptarët emigrojnë drejt Perëndimit në kërkim të punës.

Korrupsioni i përhapur në qeverinë e Ramës është bërë gjithashtu i padurueshëm për qytetarët. Refuzimi i fundit i Ramës për t’ia hequr imunitetin parlamentar ish-zëvendëskryeministres së tij, e cili përballet me aktakuzë, po krijon një pengesë të madhe në përparimin e Shqipërisë në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo shihet edhe si kërcënim më i gjerë ndaj reformave të popullarizuara për sundimin e ligjit, të kërkuara nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat Rama deri vonë i kishte përqafuar si të vetat.

Bilanci i protestave të Gjeneratës Z nëpër botë ka qenë dukshëm i përzier, ndërsa në Shqipëri zgjedhje të rregullta nuk ka deri në vitin 2029. Por këto demonstrata kanë një të arritur një të rëndësishme: ia kanë dëmtuar reputacionin kryeministrit karizmatik si dikush që gjithmonë arrin të dalë nga çdo situatë përmes fjalëve. Përpjekjet e tij për t’i tallur pjesëmarrësit në protesta si influencerë jashtë realitetit dhe për ta përvetësuar simbolin e tyre duke veshur me ironi një bluzë me flamingo, në rastin më të mirë, kanë dështuar.

Një brez në ngritje po mëson si ta shndërrojë pakënaqësinë publike në mobilizim elektoral. Dhe për herë të parë në karrierën e tij të gjatë, Rama duket i paaftë ta thotë fjalën e fundit. Kjo ende mund t’i kushtojë.

Ky shkrim është botuar në origjinal me titullin “Albania’s Gen Z protests are beating a charismatic leader at his own game” në Washington Post.