

Po vazhdojmë me i grah pak me këtë vallen e madhe të pankartave e parullave, ku secili krye n’veti e merr një flamur në dorë, të UÇK-së apo Kuq e Zi, plot fjalë të mëdha në gojë bashk me një hall të vogël politik në xhep.
Nuk ka aspak dert që më nuk po flasim e bërtasim për korrupsionin si plagë reale, as për mjedisin si pasuri të përbashkët e as për bregdetin si amanet të fëmijëve shqiptarë. Këtu po flasim e bërtasim për atë zanatin e vjetër shqiptar, ku çdo punë që nis quhet vjedhje, çdo gur që vendoset quhet betonizim, çdo investitor quhet grabitqar, çdo projekt quhet komplot e ku çdo hap përpara duhet ndalë derisa të kënaqet korri i vajtuesve profesionistë.
Po, korrupsioni ekziston dhe po, shteti duhet ta luftojë. Po, drejtësia duhet të godasë edhe atje lart, madje sidomos lart. Por kur drejtësia godet ministra, kryebashkiakë, deputetë e zyrtarë të lartë, nuk mund të thuash njëkohësisht se shteti është krejt i kapur dhe drejtësia po punon. Ose shteti është bunker i mbyllur, ose dera e drejtësisë ka fillu të hapet. Të dyja bashkë janë vetëm poezi proteste flamingosh e jo logjikë shteti.
Sa për betonizimin, po le të ndahet një herë lloçi nga betoni.
Shqipëria nuk ka pasë koloni, nuk ka pasë perandori, nuk ka dhe nuk ka pasë pasuri të grabitura nëpër kontinente të tjera. Shqipëria ka pasë emigrantë, djersë, para të mbledhura rrugëve të botës, kapital të kthyer në vend dhe një ëndërr të vonuar për të mos mbetë gjithmonë stacion autobusi mes Lindjes dhe Perëndimit.
Zhvillimi nuk është mëkat. Turizmi nuk është tradhti. Hoteli nuk është armik i kombit. Investimi nuk është pushtim. Shqetësimi i vetëm serioz duhet të jetë nëse ndërtohet me mend, me ligj, me standard, dhe me respekt ndaj natyrës?!
Shqipëria nuk guxon të mbetet muze i varfërisë vetëm e vetëm që disa shpirtra të ndihen moralisht të pastër.
Ne kemi atë specien tonë të dashur kombëtare që e do Shqipërinë si fotografi. E do aq shumë sa nuk e lë të lëvizë. E do malin pa rrugë, portin pa anije, fshatin pa ekonomi, por me pamje të egër ama fantastike për Instagram. E pastaj qan pse ikin njerëzit.
Ky lloj romantizmi ka çmim shumë të shtrenjtë.
Nëse protesta ngrihet për të kërkuar ligj, transparencë dhe standard, ajo është e dobishme. Por nëse protesta bëhet strehë e thashethemeve, e gjysmë të vërtetave, e histerisë kundër çdo zhvillimi dhe e kuzhinave që nuk e duan Shqipërinë më të fortë, atëherë ajo nuk është ndërgjegje qytetare. Në të vërtetë është vetëm se një frenë e vjetër mbi një makinë që më në fund, shyqyr që ka nis të ecë.
Dhe meqë jemi te kjo opera patriotike me pankarta, daulle dhe parulla që riciklohen më shpesh se plastika, nuk mund të mos tërheqë vëmendjen edhe një detaj.
Një detaj i vogël.
Aq i vogël sa mezi shihet me sy të lirë.
Një pjesë e korit që ka zbritur në Tiranë për ta shpëtuar Shqipërinë nga Edi Rama vjen nga Kosova.
Deri këtu, gjithçka është në rregull.
Shqipëria është e të gjithëve.
Duhet të jetë.
Por njeriu nganjëherë ka të drejtë edhe të habitet.
Jo shumë, vetëm pak.
Për arsye se derisa në Tiranë po zhvillohet beteja e madhe kundër një hoteli, një resorti, një vinçi apo një kantieri, matanë kufirit ende vazhdojnë disa beteja të tjera disi më pak romantike.
Beteja për t’i mbajtur të rinjtë në vend.
Beteja për t’i ruajtur aleancat me miqtë ndërkombëtarë.
Beteja për ta kthyer optimizmin nga fjalët në realitet.
Beteja për ta bindur qytetarin se politika mund të prodhojë diçka më shumë sesa zemërim e inat kronik.
Por siç duket, këto janë punë të vogla.
Problemi i madh i kombit shqiptar qenka një hotel buzë detit.
Po duket se e ardhmja e kombit ka mbetur e varur nga një vinç.
Ballkani gjithmonë ka prodhu paradokse të shumta, por ky është ndër më të bukurit.
Të mos arrish ta bindësh lagjen tënde, por të nisesh për ta bindur kombin.
Të mos arrish ta rregullosh oborrin tënd, por të marrësh përsipër hartën globale.
Të mos arrish ta shuash zjarrin në shtëpinë tënde, por të shfaqesh si ekspert ndërkombëtar i tymit që del nga oxhaku i fqinjit.
Megjithatë, këtu nuk është thelbi. Thelbi nuk është kush proteston, por për çka po proteston.
Plot protesta hapin rrugë.
Por ka edhe protesta që bëhen si ata gurët e mëdhenj që dikush i lë në mes të udhës vetëm që të mos kalojë askush.
Ka njerëz që e duan Shqipërinë si fotografi, asi si kartolinë e bukur.
Të qetë e të fjetur.
Si ato kartolinat e vjetra që marrin ngjyrë të verdhë nga vjetërsia.
Por vendet nuk jetojnë në kartolina por në kohë. Ato lëvizin e ndërtojnë. Ato shpesh gabojnë e rrëzohen. Por ngrihen përsëri dhe ecin.
Shqipëria nuk ka luksin të mbetet një peizazh i ngrirë që ushqen nostalgjinë e varfërisë.
Shqipëria nuk mund të konservohet në kavanozin e romantizmit folklorik vetëm që disa të ndihen më të pastër se të tjerët.
Për shkak se zhvillimi nuk është mëkat e as turizmi nuk është tradhti.
Investimi nuk është pushtim e as hoteli nuk është armiku i kombit.
Shqetësimi i vetëm serioz duhet te jetë nëse ndërtohet me ligj, me standard dhe me respekt për natyrën.
Kaq.
Gjithçka tjetër është zhurmë e cila ka një zakon të vjetër. Bën shumë bujë në moment, por nuk lë asgjë pas.
Ndërkaq rrugët mbeten. Edhe portet. Edhe aeroportet.
Mbeten edhe investimet.
Edhe vendet e punës.
Pra zgjedhja është e thjeshtë.
Mes Shqipërisë që numëron vinçat dhe vendet e punës.
Mes Shqipërisë që frikësohet nga çdo investim dhe Shqipërisë që kërkon standarde për çdo investim.
Mes Shqipërisë që ankohet dhe Shqipërisë që ndërton.
Unë jam me këtë të fundit.
Me Shqipërinë që lëviz.
Me Shqipërinë që ndërton.
Me Shqipërinë që nuk kërkon leje për të ëndërruar.