Ballkoni i Albinit

Varfërinë e gjeti si problem dhe e thelloi. Inflacionin s’e gjeti, por e krijoi. Pra, aty ku ka problem, thelloje. Aty ku nuk ka, krijoje. Ky është albinkurtizmi.
Fiton Dibrani
Loading Icons...
test12

Ballkoni i Albinit

Fiton Dibrani
Loading Icons...

Duhet të kem qenë shtatë a tetë vjeç kur, më shumë për t’u tallur sesa për të provuar diçka, po e gjuaja me kokrra rrushi – që kishte arritur deri në ballkonin e katit të dytë – shokun e vëllait tim, Besnikun, ulur në ballkonin e katit të parë. Dy a tre herët e para e bëra pa u vërejtur, por pastaj babai, që po ashtu ishte ulur atje poshtë, më pa. “Prej kah po vjen ky rrush, o’ Besnik?” – i tha, pas një copë herë. Besniku, që ishte dy a tri vjet më i ri se unë, çoi kokën lart dhe pa edhe një herë, si për ta konfirmuar atë që siç duket kishte kohë që po e mendonte, dhe i tha: prej “navaje”, axhi Agim. E kishte fjalën prej havasë, pra prej qiellit. Qeshën të gjithë, sepse përveç vëllait, që po rrinte me të, afër kishte qëlluar edhe nëna ime. Qesha edhe unë, i fshehur prapa fletëve të rrushit, në ballkonin e katit të dytë. “Fitoni po të gjuan prej ballkonit, Besnik, se prej “navaje”, veç shi e borë mundet me ra”, i tha babai, pasi kishin pushuar të qeshurat.

Besniku atëherë ishte fëmijë. Për të, “navaja” kishte ende trajtën e një vendi të mundshëm, prej nga mund të binte rrushi, dhe kushedi çfarë tjetër, ashtu siç binin shiu e bora. Ky është një nga ato keqkuptime që u lejohet vetëm fëmijëve. Të rriturit, ndërkaq, e dinë, ose duhet ta dinë, se ajo që bie nga lart, në të shumtën e rasteve, hidhet për hesap të dikujt. Ai që e pret poshtë mund të habitet, mund edhe të gëzohet për një çast. Por ai që e hedh nga lart, zakonisht e ka mbaruar llogarinë e vet para se gjëja të bjerë. Mjafton të kujtoni dhjetëra filma dhe seri televizive, në të cilat hajdutët që vjedhin bankat hedhin një pjesë të plaçkës, qoftë për të vjedhur më shumë, qoftë për të shpëtuar kokën, apo për ndonjë llogari tjetër të tyren.

1.

Para një jave dhe vetëm dy javë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme, qeveria në detyrë vendosi t’i shpërndajë 100 milionë euro. Në arsyetimin që shefi i saj, Albin Kurti, e paraqiti, u tha se këto para po u jepeshin qytetarëve për t’u përballur me inflacionin. Pra, punëtorë të sektorit privat, pensionistë, fëmijë e studentë, do t’i marrin njëherësh nga 100 euro. Para 7 qershorit, natyrisht. U përmendën edhe shtesat për lehona, ato për fëmijë dhe të tjera që pushteti gjashtëvjeçar i Lëvizjes Vetëvendosje ka financuar. Dhe sikur të mos mjaftonin këto, ditë më parë, në një mbledhje elektronike, qeveria vendosi t’i ndajë 2 milionë euro për t’i financuar biletat e avionëve për mërgimtarët.

Zgjedhjen që bëri, për t’i shpërndarë ato miliona, pushteti mund ta emërtojë si të dojë. Mund ta quajë ndihmë, lehtësim, solidaritet, kujdes për qytetarin, madje edhe politikë sociale. Por kur një qeveri në detyrë, dy javë para zgjedhjeve, hap arkën e shtetit në këtë mënyrë, të gjithë emrat fillojnë të bien një nga një dhe mbetet vetëm emri: blerje. Madje, për të qenë të saktë, këtij emri duhet t’i shtohet edhe një mbiemër: klasike. Vendimi i të premtes së shkuar për ato 100 milionë euro është blerje klasike e votës.

Ngjashëm pushteti pati vepruar edhe në dhjetorin e vitit të shkuar, pak para zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit. Dhe po njëjtë para zgjedhjeve lokale të tetorit e balotazhit të nëntorit. Të dy herët qenë ndarë nga 100 euro, me po të njëjtat arsyetime. Pak a shumë me të njëjtat shprehje qenë arsyetuar edhe 100 eurot e dhëna në dhjetor të 2024-ës. Të tjerat, në dhjetor të 2023-ës. Në maj të 2023-ës. Në shtator e nëntor të 2022-ës. Në prill të 2022-ës. Dhe në nëntor të 2021-ës. Ato që fillimisht quheshin pako të ringjalljes ekonomike, përfunduan si pako të përballjes me inflacionin. Shpeshherë, gjuha, siç thoshte Kadareja, më mirë se gjithçka tjetër, jep dritën ose mjerimin e një kohe.

2.

Në esenë me titull “The Optimum Quantity of Money”, ushtrimin përmes të cilit përpiqet të shpjegojë se cili mund të jetë efekti i ndihmës së njëhershme financiare, Milton Friedman e nis me një fjali që pastaj do të kthehej në një prej togfjalëshave polarizues për mënyrën e përballjes me ekonomitë në krizë: Helicopter Money. Në thelb, kjo shprehje, e nxjerrë nga një metaforë e Friedmanit, nënkupton aktin e printimit të parasë nga banka qendrore dhe shpërndarjen universale të saj te qytetarët, për të rritur artificialisht kërkesën. Pra, si tek eseja e Friedman, ku paratë hidheshin nga helikopteri, edhe në këtë rast ato, në njëfarë mënyre, bien nga qielli. Me kalimin e kohës, “Helicopter Money” ka përfshirë një spektër më të gjerë të politikave, si financimi i përhershëm i deficitit buxhetor, pagesat direkte nga banka qendrore te qytetarët apo sektori privat, dhe në formën më joklasike edhe transferet e njëhershme fiskale.

Ky ushtrim teorik mbi efektet e rritjes së sasisë së parasë nuk ka qenë asnjëherë propozim politik publik. Megjithatë, është përdorur nga qeveritë, në kohë krizash. Më i fundit ishte rasti i krizës së viteve 2020-2022, pasojë e pandemisë së shkaktuar nga virusi SARS-CoV-2, sëmundja e shkaktuar nga i cili është njohur gjerësisht si COVID-19. Për shkak të uljes së ndjeshme të kërkesës, rrjedhojë e pasigurisë, ekonomitë pësuan ngërç. Zgjidhja për kapërcimin e këtij problemi u kërkua tek eksperimenti teorik i vitit 1969. Prej SHBA-së deri te Kosova, shtetet përdorën forma të ndryshme të “Helicopter Money”, kryesisht në trajtën e transfereve fiskale. Përmes një nisme ligjore që do të quhej CARES Act (The Coronavirus Aid, Relief, and Economic Security), SHBA-ja do t’i injektonte përnjëherë në ekonomi 2.2 trilionë dollarë apo rreth 10% të Bruto Produktit të Brendshëm.

Pasojat do të vinin shpejt. Rritja e përnjëhershme e sasisë së parasë do ta ulte vlerën e saj. Prej 1.8% sa kishte qenë më 2019 dhe pastaj 1.2% më 2020, inflacioni në SHBA do të arrinte në 4.7% më 2021 dhe madje në 8.0% më 2022. Në analizën e titulluar “Why Is U.S. Inflation Higher than in Other Countries?”, botuar në mars të 2022-ës, Rezerva Federale e San Francisco-s do të përfundonte se injektimi i përnjëhershëm i parasë në sasi aq të madhe gjatë 2020-ës ishte shkaktari kryesor i rritjes së inflacionit për të paktën 3 pikë të përqindjes. Me probleme të ngjashme do të përballeshin edhe ekonomi të tjera, ku qe përdorur politika e njëjtë, si Brazili, ku inflacioni do të rritej për gjashtë dhe madje shtatë pikë të përqindjes në dy vitet pas pandemisë.

Ndonëse nuk ka ndonjë studim të detajuar, tri injeksione të tilla (në nëntor 2021, prill 2020, shtator-nëntor 2022), përmes transfereve të njëhershme fiskale, mund të kenë ndikuar – përveç luftës në Ukrainë – në rritjen e inflacionit në Kosovë gjatë 2022-ës dhe 2023-ës, marrë parasysh kohën kur janë dhënë dhe periudhat në të cilat ka pasur rritje të inflacionit.

Sikur të ishin politika ekonomike, “pakot” e Albin Kurtit do të ishin tejet problematike. Sepse transferet e tilla fiskale nuk përdoren për ta kontrolluar inflacionin. Ato bëjnë të kundërtën. E shtojnë përnjëherë paranë në qarkullim, e rrisin kërkesën dhe, kur ekonomia nuk arrin t’i përgjigjet me prodhim, e posaçërisht kur është e orientuar krejtësisht në import, siç është ekonomia kosovare, e shtyjnë edhe më lart çmimin e gjërave. Këtë e ka treguar përvoja e vendeve që e provuan në përmasa shumë më të mëdha dhe këtë, në një masë më të vogël, mund ta ketë ndier edhe Kosova.

Prandaj, arsyetimi se qindra milionë euro po shpërndahen për ta luftuar inflacionin do të ishte marrëzi ekonomike, sikur të mos ishte diçka më e thjeshtë dhe më e vjetër: blerje. Blerje e paqes sociale, shpeshherë. Dhe blerje e votës herë-herë.

3.

Nga krejt tregimi i Albin Kurtit, e vërtetë është veç një gjë: inflacioni është rritur. Shumë madje. Në prill, Kosova ishte vendi i tretë me inflacionin më të lartë në Europë, pas Rumanisë dhe Ukrainës.

Dhe në periudhën maj 2025-prill 2026 Kosova ka qenë e katërta në Europë për nga mesatarja e inflacionit. Është po ashtu vendi me inflacionin më të lartë krahasuar me fqinjët. Për dallim, Shqipëria, në muajin prill, ishte në top-dhjetë vendet me inflacionin më të ulët në Europë.


Rritja e inflacionit nis në tremujorin e parë të vitit të shkuar dhe bëhet veçanërisht shqetësuese pas tremujorit të dytë. Në atë që duhet të ketë qenë politikë e rregullatorit të tregut për të injektuar para në ekonomi, përgjatë gjashtë muajve të parë të 2025-ës, bankat rrisin ndjeshëm kreditimin, për pothuaj 10% krahasuar me vitin paraprak, teksa depozitat nuk ishin rritur as për gjysmë përqind. Efektet e kredidhënies agresive mund të vërehen në normat e inflacionit, të cilat pas tremujorit të dytë nisin të rriten me shpejtësi. Dhe deri në fund të vitit inflacioni arrin në 5.3%.

Që prej janarit të vitit të shkuar deri tani janë bërë edhe katër pagesa të njëhershme në vlerë mbi 200 milionë euro. Në tetor-nëntor. Në dhjetor. Në mars. Dhe tani në maj. Në fillim të vitit të shkuar, inflacioni ishte 1.5% (për muajin janar). Pa prekur gjysmën e këtij viti, inflacioni ka arritur në 7.5% (për muajin prill). Ndikimi i dy transfereve të fundit, në formën e “pagës së 13-të” dhe “pakos kundër inflacionit”, mund të matet qartë tek në tremujorin e tretë të këtij viti.


Rritja e theksuar e inflacionit vërehet edhe nëse analizohet Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit. Po që se për vit bazë e merrni 2016-ën, muajin prill – me indeks 100, në mars të këtij viti indeksi i përgjithshëm del të ketë arritur në 142.6. Pra, që ta thjeshtojmë, për të blerë gjërat që atëherë kushtonin 100 euro, në mars të këtij viti u janë dashur 142 euro e 60 centë. Kur këtë analizë e bëjmë veçanërisht tek ushqimet, gjejmë se rritja është akoma më e theksuar. Indeksi ka arritur në 162.4. Pra, nëse një vizitë në dyqanin e lagjes, në prill të 2016-ës, ju kushtonte 100 euro, në mars të 2026-s ju ka kushtuar 162 euro e 40 centë. Pas qershorit, do t’ju kushtojë edhe më shumë.

Krejt ky inflacion bie mbi qytetarët e dytë më të varfër të Europës. Kur matet Bruto Produkti i Brendshëm për kokë banori në vlerë nominale, në krejt Europën, veç ukrainasit janë më të varfër se kosovarët. Para një dekade ishin edhe moldavët.

Atëherë dallimi me Shqipërinë ishte 374 dollarë. Tani është 3,330 dollarë. Kosovarët tani janë 7,027 dollarë më të varfër se serbët, teksa para dhjetë vjetësh dallimi ishte 2,193 dollarë. Përveç Bullgarisë, vend që është nën sanksione të rënda ndërkombëtare, të gjitha nëntë vendet e tjera, përveç Kosovës, por që bashkë me të përbëjnë top-dhjetën me qytetarët më të varfër në Europë kanë përparuar ndjeshëm.

Edhe Ukraina, që ka katër vjet në luftë, e ka ngushtuar distancën midis BPV-së për qytetarin e saj dhe BPV-së për kokë të qytetarit kosovar. Kosovarët janë të varfër dhe nuk po bëhen më të pasur. Këtë nuk e ndryshojnë dot as vendimet parazgjedhore, as konferencat e shpeshta dhe as hallakatjet nëpër platforma sociale për 100 eurot në “pakot” e njëpasnjëshme me miliona që hidhen nga ballkoni qeveritar i Albinit, të cilat as e luftojnë inflacionin dhe as e zbusin varfërinë.

4.

Aq shumë probleme ka ekonomia e këtij vendi, sa i bie të zgjatem shumë, po të mundohem ta tjerr hollë e hollë temën e bilancit tregtar, aq më tepër që deficiti tregtar vitin e shkuar kaloi 6 miliardëshin. Prejse Albin Kurti me të vetët janë në pushtet, importet janë rritur si asnjëherë tjetër. Në vitin që qe bërë kryeministër, importet qenë 4.6 miliardë. Pas pesë vjetësh albinkurtizëm, arritën në 7 miliardë euro. Teksa eksportet janë rritur për më pak se 200 milionë euro (prej 755 në 942).

Përveç inflacionit, ky është një tjetër shenjues i qartë dhe i pagabueshëm që kemi të bëjmë me një ekonomi që konsumon shumëfish më shumë sesa prodhon. Dhe është një tjetër tregues i mungesës së krejtësishme të logjikës ekonomike në vendimet e qeverisë për të hedhur miliona dhe madje qindra miliona në mënyrë të përsëritur. Kur një ekonomi e tillë merr një tjetër shtytje artificiale për konsum efekti nuk vërehet tek prodhimi vendor, sepse prodhim vendor pothuaj nuk ka. Vërehet te importi. Te mallrat që vijnë nga jashtë, te zinxhirët tregtarë, te distributorët, te karburantet, te ushqimet, te gjithçka që Kosova e blen e nuk e prodhon. Dhe që bëhet akoma më e shtrenjtë.

Pushteti këtë e di. E di shumë mirë. E di se në një vend të varfër, ku çmimet janë rritur shumë, ku paga nuk e ndjek dot shportën e konsumit dhe ku shumica e familjeve jetojnë duke i shtyrë muajt njëri pas tjetrit, 100 euro nuk janë pak. Jo sepse janë shumë, por sepse varfëria i bën të duken shumë. Pikërisht këtu qëndron cinizmi i krejt kësaj politike, që nuk e lufton, por e përdor varfërinë si mjet, dhe inflacionin si arsyetim.

Varfërinë e gjeti si problem dhe e thelloi. Inflacionin s’e gjeti, por e krijoi. Pra, aty ku ka problem, thelloje. Aty ku nuk ka, krijoje. Ky është albinkurtizmi.

Deri në telashin e radhës dhe ndoshta në zgjedhjet e radhës, kur Albini të dalë sërish në ballkon dhe t’ju hedhë një tjetër 100-ëshe, për t’ju marrë shumë më tepër, t’i gëzoni 100-euroshat, që janë telashi vetë.