Qitja pikën.

Kur ta sheh, fillimisht të duket si formulë republikane. E shkurtër. Ritmike. E përpiluar me mbetë në memorien kolektive të fushatës. Por sloganet politike nuk analizohen gjithmonë përmes tingullit dhe rimës së tyre
Afrim Haliti
Loading Icons...
test12

Qitja pikën.

Afrim Haliti
Loading Icons...

Mua personalisht më fascinon (mos)kreativiteti i sloganeve në fushatat zgjedhore. Disa prej tyre janë aq të zbrazëta e aq pa substancë sa që në memorien kolektive mbesin për vetëm disa javë. Disa të tjera në anën tjetër, pa e kuptuar as vetë autorët e tyre, e zbulojnë në mënyrë të pavullnetshme krejt arkitekturën psikologjike të një lëvizjeje politike. “Krejt për shtet, shtet për krejt. Qitja pikën.” i takon mu kësaj kategorisë së dytë.

Kur ta sheh, fillimisht të duket si formulë republikane. E shkurtër. Ritmike. E përpiluar me mbetë në memorien kolektive të fushatës. Por sloganet politike nuk analizohen gjithmonë përmes tingullit dhe rimës së tyre. Ato analizohen përmes raportit që kanë me historinë, me mbamendjen dhe me sjelljen politike të atyre që i artikulojnë këto slogane.

Kudo që kam parë, shumë shpesh sloganet nuk janë fare përshkrim i realitetit por një lloj tentative për ta maskuar atë realitet.

“Krejt për shtet.”

Kjo fjali, në vetvete, do të kishte me pasë peshë po të vinte nga një traditë politike që e ka trajtuar shtetin e Kosovës si kulm të projektit të vet historik. Por pikërisht këtu na shfaqet problemi. Si ta marrësh seriozisht një patos të tillë shtetëror nga një subjekt që për vite të tëra ka pasur raport pothuajse alergjik me vetë simbolikën e republikës së Kosovës?

Nuk është fare sekret se Vetëvendosje për një kohë të gjatë ka refuzuar ta përqafojë plotësisht identitetin simbolik të shtetit të Kosovës. Flamuri shtetëror, sot e kësaj dite iu mungon në tubime. Himni trajtohet me ftohtësi. Vetë akti i pavarësisë së vitit 2008 nuk u perceptua kurrë si përmbushje historike, por si njëfar kompromisi i paplotë. Në diskursin e tyre vazhdimisht ka ekzistuar një tension mes Kosovës reale dhe një ideali tjetër abstrakt kombëtar që e relativizonte republikën ekzistuese.

Kjo, thjeshtë nuk është vetëm çështje ceremoniale për shkak se shtetet nuk mbahen gjallë vetëm me institucione administrative. Shteti nuk është vetëm polici, tatim, qeveri dhe kufi. Shteti ekziston edhe si ndjenjë metafizike e përbashkësisë. Si besim emocional se ai rend politik meriton besnikëri morale. Prandaj kombet ndërtojnë simbole, himne, rituale dhe solemnitet publik. Jo për folklor, por për kohezion psikologjik.

E kur një parti politike e trajton këtë dimension me përbuzje ose ambivalencë për vite të tëra, e pastaj papritur fillon të flasë në emër të absolutizmit shtetëror, gjithmonë ka me lind pyetja legjitime se a kemi të bëjmë me evolucion filozofik, apo vetëm me aproprim oportun të shtetit tani që shteti është bërë instrument pushteti?

Ka dallim të madh mes ndërtimit të shtetit dhe posedimit të tij.

Ndërtuesit e shtetit rëndom e pranojnë shtetin edhe atëherë kur nuk e kontrollojnë. Ata e respektojnë republikën edhe kur i humbin zgjedhjet. Ata e ndiejnë shtetin si kategori mbi partinë. Ndërsa ata që e shohin shtetin kryesisht si instrument të pushtetit, fillojnë ta duan republikën vetëm kur republika u bindet atyre.

E ky është problemi më i madh filozofik i këtij slogani.

Pjesa e dytë “shtet për krejt”, bie ndesh me vetë kulturën politike që Vetëvendosje ka ndërtuar ndër vite.

Për arsye se “shtet për krejt” nuk është vetëm slogan social. Është edhe koncept civilizues. Do të thotë shtet edhe për ata që nuk të votojnë. Edhe për ata që të urrejnë. Edhe për ata që të kundërshtojnë çdo ditë. “Shtet për krejt” presupozon aftësinë morale për ta pranuar legjitimitetin e kundërshtarit, apo jo?

E çka realisht kemi parë këto vite?

Kemi parë një kulturë politike të ndërtuar mbi antagonizëm permanent moral. Një ndarje pothuajse manikeiste të shoqërisë në “ne” dhe “ata”. Populli dhe tradhtarët. Të ndershmit dhe kriminelat. Patriotët dhe armiqtë e shtetit. Dmth është krijuar një klimë ku kundërshtari politik nuk shihet më si rival legjitim në demokraci, por si deformim etik i shoqërisë që patjetër duhet poshtëruar publikisht.

Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme për një republikë.

Demokracitë nuk rrënohen vetëm nga korrupsioni ekonomik. Ato rrënohen edhe nga absolutizmi moral. Nga momenti kur një parti fillon të besojë se vetëm ajo përfaqëson virtytin, ndërsa të gjithë të tjerët janë devijim moral.

E pastaj politika pushon së qeni garë idesh dhe shndërrohet në ceremoni nënshtrimi.

Mu për këtë arsye slogani “shtet për krejt” tingëllon si hipokrizi kur vjen nga një diskurs që për vite e ka ushqyer psikologjinë e përjashtimit publik. Është e pamundur të predikosh unitet, ndërkohë që gjysmën tjetër të shoqërisë vazhdimisht e trajton si trup armiqësor.

Republika serioze nuk ka nevojë për adhurues por për qytetarë të dinjitetshëm.

Në fund, jo për nga bukuria e as hipokrizia, vjen pjesa më simptomatike e sloganit: “qitja pikën.”

Në mentalitetin tonë popullor kjo frazë duket triumfuese. Akt force. Vulosje definitive e diçkaje. Mirëpo në filozofinë politike kjo është sigurisht pjesa më shqetësuese e gjithë formulës.

Për shkak se demokracia, në vetvete, është sistem pa pikë përfundimtare.

Demokracia nuk është roman që mbyllet nga një protagonist. Është proces i pafund korrigjimi. Alternance. Vetëpërmbajtjeje. Dyshimi reciprok. Asnjë parti demokratike nuk guxon ta perceptojë veten si fund të historisë politike të një vendi.

Por pikërisht këtë nëntekst e bart “qitja pikën”, apo jo?

Është gjuha e një force që gradualisht fillon ta imagjinojë veten si instancë përmbyllëse të republikës. Jo si pjesë e lojës demokratike, por si kulm i saj. Si autoritet moral suprem. Si fund i debatit.

Historia politike është plot me shembuj kur lëvizjet që filluan duke pretenduar se po e shpëtonin popullin, përfunduan duke e identifikuar veten me vetë popullin. Prej aty lindin kultet politike. Prej aty lind ideja se kushdo që të kundërshton ty, po e kundërshton shtetin. Kombëtarën. Popullin. Moralitetin, e çka jo tjeter!

Kështu arrihet tek pika ku republika fillon të deformohet.

Më kujtohet, si lexim, një episod i vjetër nga filozofia politike franceze. Kur  Montesquieun e kishin pyetur se cili është rreziku më i madh për republikat, ai nuk kishte folur as për ushtri të huaja, as për ekonomi. Ai kishte folur për momentin kur pushteti fillon të humbë ndjenjën e kufirit ndaj vetvetes. Kur nuk e kupton më dallimin mes “unë qeveris shtetin” dhe “unë jam shteti”.

Shumë sisteme politike nuk janë shkatërruar nga mungesa e patriotizmit por nga teprica patologjike e tij, ose më saktë, nga monopoli mbi interpretimin e patriotizmit.

Atdheu nuk është pronë metafizike e askujt. As e partive. As e liderëve. E assesi e militantëve.

Republika është marrëveshje e përbashkët mes njerëzve që nuk mendojnë njësoj, por megjithatë pranojnë të jetojnë nën të njëjtin rend kushtetues.

E kur një parti fillon të sillet sikur vetëm ajo ka të drejtë ta përkufizojë shtetin, patriotizmin dhe moralin publik, aty nuk fillon forcimi i republikës por kolonizimi emocional i saj.