Absurditeti i “Po shitet Shqipëria!”

Shtetet nuk ndërtohen vetëm mbi procedura strikte burokratike. Në momente përcaktuese, ato funksionojnë mbi një parim më të lartë, që quhet “Raison d’État” (Arsyeja e Shtetit).
Besir Bajrami
Loading Icons...
test12

Absurditeti i “Po shitet Shqipëria!”

Besir Bajrami
Loading Icons...

Paramendoni për një moment italianët dhe grekët t’i ndalonin investimet e huaja me protesta dhe anarki, nëpërmjet parullave se “po shitet Italia!” dhe “po shitet Greqia!”

Në Itali, vetëm gjatë 30 viteve të fundit, ka rreth 280 investime të mëdha të huaja në hotele dhe resorte, duke përfshirë rreth 65 projekte që kanë prekur ose janë ndërtuar në kufi të zonave të mbrojtura natyrore apo parqeve kombëtare bregdetare (si në Sardenjë dhe Pulia).

Por kjo është vetëm maja e ajsbergut, sepse nëse këtyre u shtojmë investimet vendase, ndërtimet e paligjshme të legalizuara më vonë dhe komplekset e vogla të vilave luksoze, numri i ndërhyrjeve në ekosistemet delikate bregdetare kalon në mijëra raste përgjatë 30 viteve të fundit.

Sipas raporteve të organizatës Legambiente, vetëm në një vit regjistrohen mbi 10 mijw deri në 12 mijw ndërtime në zona sensibile mjedisore në zonat bregdetare, shumë prej tyre vila apo hotele të vogla në zona të mbrojtura (veçanërisht në jug, si në Pulia, Kalabri, Siçili dhe Kampanja).

Në Greqi, vetëm gjatë 30 viteve të fundit, llogariten rreth 310 investime strategjike dhe të huaja në resorte e komplekse luksoze, duke përfshirë rreth 85 projekte të shtrira në zona të mbrojtura ose ekosisteme ishullore delikate (veçanërisht në ishujt Kyklade, Kretë dhe rrethinat e bregdetit të Peloponezit) që kanë shkaktuar beteja ligjore për mjedisin.

Nëse edhe për Greqinë përfshijmë ndërtimet e paligjshme (aftheira), të cilat ndër vite janë toleruar dhe më pas legalizuar nga qeveritë e njëpasnjëshme, atëherë jo vetëm 310 projekte, por mijëra ndërhyrje në zona pyjore dhe ekosisteme ishullore (Natura 2000, si referencë). Shumë zhvillues të vegjël privatë kanë marrë toka në Kretë apo Ciklade për të ndërtuar vila luksoze që më pas jepen me qira.

Nëse në këto shifra llogarisim edhe “beach clubs” apo strukturat e drurit dhe betonit të lehtë që janë vendosur në dunat e rërës dhe zonat e folezimit të breshkave (si në rastin e plazhit të Zakynthos në Greqi apo bregdetit të Toskanës), numri i ndërhyrjeve kalon në mijëra.

Sa investime të huaja strategjike në turizëm kemi ne?

Ne kemi nja… nja 1 investim të huaj, edhe atë që pritet të bëhet, ku ende po punohet që të realizohet projekti final për të kërkuar miratim, dhe u kall dynjaja!

E ironia është se ky investim pritet të jetë një model se si duhet të investohet në harmoni me natyrën, për dallim nga betonizimi që vetë shqiptarët që protestojnë ia kanë bërë vendit gjatë periudhës së tranzicionit.

Për këtë investim punojnë njerëzit më të ngritur të globit që merren me këto punë, me arkitektë dhe inxhinierë ndërkombëtarë sipas standardeve të “sustainable design”, dhe nga ana tjetër institucionet shtetërore janë Këshilli Kombëtar i Territorit, AZHT dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, që garantojnë interesin publik dhe përputhshmërinë ligjore mjedisore (që është edhe kusht në procesin integrues të vendit), duke i dhënë fund epokës së ndërtimeve të mëparshme pa kriter.

Ndërkohë që pikërisht kundër betonizimit pa kriter të një pjese të bregdetit nga privatët shqiptarë, kjo qeveri mori disa masa përmirësuese, me forcimin e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) me aksione për prishjen e ndërtimeve pa leje në zona bregdetare, rishikimin dhe pezullimin e disa lejeve ndërtimore në zona të ndjeshme gjatë procesit të rregullimit të planeve urbane, hartimin e planeve të integruara të menaxhimit të bregdetit dhe zonave të mbrojtura, si dhe përfshirjen e zonave të reja në mbrojtje që kufizojnë automatikisht zhvillimin ndërtimor në to.

“Po shitet Shqipëria…” – bërtasin naivët e manipuluar!

Por në Zvërnec është tokë private që para kohës së komunizmit, pronë e familjeve Shehu, Kanina, Mehilli, Suli, Todi, Koka, Duka, Frashëri, etj.

Një pjesë e saj është bërë zonë e mbrojtur e kategorisë 5, ku në bazë të standardeve evropiane  lejohet zhvillimi (investimi nuk e prek lagunën).

Është bërë zonë e mbrojtur nga kjo qeveri, që ka bërë përmirësime marramendëse për mjedisin, ku nga 5% e ngriti në 25% të territorit të Shqipërisë në zonë të mbrojtur. E shpalli lumin Vjosa si Park Kombëtar, revokoi 40 kontrata të hidrocentraleve (HEC) përgjatë tij dhe degëve të tij, si dhe ndaloi TEC-et tradicionale dhe dhjetëra leje të tjera mjedisore në lumenj si Valbona, investoi në landfille dhe infrastrukturë trajtimi, forcoi kontrollin e ndotjes së ajrit dhe monitorimit mjedisor, si dhe harmonizoi legjislacionin mjedisor me direktivat e Bashkimit Evropian për standarde më të larta mjedisore në vend, gjë që sot njihet edhe nga vetë Komisioni për Zgjerim i BE-së.

Shpalli moratorium për gjuetinë e disa shpendëve (prandaj edhe shfaqet pelikani kaçurrel që nuk ka ekzistuar më herët në këto vise) dhe disa kafshëve, mbolli pyje, etj.

Ishulli i Sazanit ka 570 hektarë (1400 akra), dhe vetëm në 45 hektarë do të bëhet investimi, që do të jetë investim i përbashkët me shtetin dhe toka mbetet e shtetit. Ndërsa bunkerët dhe tunelet joefektive aty do të shërbejnë si muze për vizitorët. Të tillë bunkerë nga koha e komunizmit ka kudo nëpër Shqipëri.

Pra, parullën nuk e keni faktikisht të vërtetë!

Po kush pyet për të vërtetën në këtë histeri kolektive?!

Ndërkohë, në Itali apo Greqi, sado që të protestojnë ambientalistët apo anarkistët, shteti nuk lëkundet aq lehtë. Ai mbahet fort nga një elitë e mirëfilltë shtetformuese, e cila e orienton kombin drejt përfitimit strategjik dhe nuk e djeg të tërën për të pjesshmen.

Shtetet nuk ndërtohen vetëm mbi procedura strikte burokratike. Në momente përcaktuese, ato funksionojnë mbi një parim më të lartë, që quhet “Raison d’État” (Arsyeja e Shtetit). Kur interesi kombëtar dhe ekonomik është madhor, ai ka përparësi ndaj barrierave burokratike. Nëse përfitimi zhvillimor tejkalon rreziqet, atëherë shteti gjen vullnetin dhe mekanizmat për ta bërë të mundur një projekt të tillë.

Tek ne, përkundrazi, shteti duket se mund të rrënohet lehtësisht nga protestat dhe histeria e momentit, një simptomë e anarkisë (që rëndom e ushqejmë ne si popull) dhe e mungesës së një elite që mbron themelet e Republikës. Në demokracitë perëndimore, populizmi përplaset me institucionet.

Tendencat për anarki janë fenomen universal, por te shqiptarët bëhen vdekjeprurëse, sepse na mungon një shtyllë kurrizore institucionale që të shërbejë si qendër rëndese. Në vende si SHBA, sado e zhurmshme apo e çmendur të jetë turma, populizmi përplaset pas murit të hekurt të institucioneve; populli aty thjesht zgjedh midis opsioneve që elita e mbrojtjes së kombit ia lejon brenda “zgjedhjes së lirë”.

Ndërsa në Shqipëri, në mungesë të kësaj elite mbrojtëse, kemi thjesht një “Deep Swamp” (kënetë të thellë), një mjedis absurd ku një influencues TikTok-u mund të marrë më shumë vëmendje dhe “vota” se një shtetar i sprovuar, dhe ku themelet e shtetit dridhen sapo dikush bën thirrje për anarki. Prandaj na imponohen liderë populistë si Kurthi në Kosovë, dhe prandaj shtetarët si Rama mund të tronditen më lehtë, nëse janë të pavëmendshëm ndaj populizmit.

Kjo brishtësi brenda nesh nuk është diçka e re. Historikisht, një ndër arsyet e hezitimit të fuqive europiane për të mbështetur shtetformimin shqiptar pas rënies së Perandorisë Osmane (përtej faktorëve gjeopolitikë e fetarë), ishte pikërisht pamundësia e prijësve tanë për të folur me një zë të vetëm dhe për të garantuar kontroll efektiv mbi territorin. Shoqëria ishte e copëtuar në fise dhe secili kërkonte zërin e vet të pavarur, pa iu nënshtruar një autoriteti qendror.

Ndonëse ky fragmentarizim i skajshëm sot mund të romantizohet nga këndvështrimet anarkiste (siç po lavdërohet rëndom kjo turmë nga interesat populiste apo të majta ndërkombëtare), për një burrështeti me ambicie institucionale kjo dëshmon vetëm mungesën e thellë të kulturës shtetndërtuese.

Një shtet serioz nuk mund të mbahet peng nga një turmë që e ka fuqinë ta rrëzojë dhe ta tërheqë vazhdimisht në greminë, pavarësisht se këtë e bën nëpërmjet karremit të ambalazhuar pas parullave të bukura për “progres”, “mbrojtje të mjedisit”, apo edhe më keq, për “revolucion”.