Kosova

Ndahen edhe afër 130 mijë euro për ndërtimin e shtëpive në Veri


Veriu i Kosovës.

Ministria e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, sërish ka marrë vendim që të ndajë mjete shtesë për ndërtimin e shtëpive në Veri.

Kontrata është publikuar në faqen e Komisonit Rregullativ të Prokurimit Publik më 11 shtator, teksa vlera e saj është 128 mijë euro.

Në bazë të kontratës parashihet që të ndërtohen rreth 11 shtëpi në atë pjesë.

Kontrata e publikuar në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik

Edhe më 2 prill, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 198-të të saj kishte miratuar vendimin për ndarjen e 4 milionë eurove shtesë për subvencionimin e ndërtimit të shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve pakicë në katër komunat në Veri: Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin-Potok.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se ky vendim do t’i shërbejë rritjes së mirëqenies së qytetarëve.

Në anën tjetër ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se kjo është një kërkesë shtesë për të përmbushur nevojat që kanë qenë gjatë fazave të mëhershme të aplikimit për ndërtim apo rindërtim të shtëpive nga komunitetet pakicë.

Vendimi për rindërtimin dhe renovimin e shtëpive në Veri, që janë dëmtuar në periudhën e luftës 1998-1999, ishte marrë më 27 shtator të 2023-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore