Lajme

Qeveria ndan 4 milionë euro shtesë për ndërtimin shtëpive në Veri


Ilustrim: Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 198-të të saj ka miratuar vendimin për ndarjen e 4 milionë eurove shtesë për subvencionimin e ndërtimit të shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve pakicë në katër komunat në Veri: Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin-Potok.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky vendim do t’i shërbejë rritjes së mirëqenies së qytetarëve.

Në anën tjetër ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se kjo është një kërkesë shtesë për të përmbushur nevojat që kanë qenë gjatë fazave të mëhershme të aplikimit për ndërtim apo rindërtim të shtëpive nga komunitetet pakicë.

Gjatë mbledhjes Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe vendimin për shpronësimet shtesë për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Gjilan.

Ministrat kanë miratuar edhe draftin e Programit kombëtar për integrimin Evropian 2024-2028 si dhe draftin e Deklaratës së prioriteteve afatmesme të Qeverisë 2025-2027.

Qeveria ka themeluar edhe grupin punues ndërinstitucional për përgatitjen e pjesëmarrjes së Kosovës në EXPO 2025.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore