Kosova

Mund ta them lirisht, numri i armëve në Veri nuk është zvogëluar, thotë Sarrazin


Manuel Sarrazin

Armë në Veri ka tani ashtu siç ka pasur edhe më herët, ka deklaruar i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, derisa ka folur për arsyetimin e Qeverisë së Kosovës për bllokimin e disa importeve nga Serbia, duke përdorur si argument çështjen e sigurisë dhe ndalimin eventual të futjes së armëve përmes këtyre importeve.

Sarrazin në intervistën e tij për emisionin Interaktiv, pohoi se Qeveria e Kosovës ka pranuar që në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) të përfaqësohet vetëm me emrin “Kosovo” dhe me fusnotë, pa Republikë, por megjithatë nuk po pranon që të heq bllokadën për disa produkte që vijnë nga Serbia.

Gjermani ka thënë se nuk pajtohet që kjo masë i ndihmon situatës së sigurisë, meqë siç i kanë thënë atij burimet gjermane në Kosovë, numri i armëve në Veri vazhdon të jetë i njëjtë.

“Mund të them lirshëm dhe sinqerisht se më është thënë nga njerëzit se nuk ka më pak armë në Veri për shkak të ashtuquajturës ndalesë sigurie”, tha Sarrazin i cili brenda tetë ditësh ishte dy herë në Kosovë për ta bindur qeverinë ta pranojë kompromisin, ndryshe Kosova mbetet jashtë Procesit të Berlinit.

Sarrazin pohoi se “arsyetimi (i qeverisë së Kosovë) po ndryshon cdo javë”, kur u pyet se çka saktësisht po i thotë kryeministri Albin Kurti në takimet e përbashkëta.

“Ne i marrim shumë seriozisht shqetësimet e sigurisë, por më duhet të them se kjo ndalesë e tregtisë nuk është duke ndihmuar vërtetë në aspektin e sigurisë. Nuk e kuptoj pse disa mallra po lejohen e disa jo. A mendoni se në disa lëndë të para nuk mund të fshihen armë?”, deklaroi Sarrazin.

I dërguari gjerman shtoi se ka tashmë “më tepër se një vit pune” për të arritur pajtim, por nuk po ndodhë.

Kjo edhe për faktin se, siç tha ai, kushtëzimet e Kosovës “vazhdimisht po ndryshojnë” po ashtu.

Deri më tani Kosova në CEFTA përfaqësohej nga UNMIK-u.

Për çështjen e urës s’i besoj Qeverisë, më shumë po e përdor për ndarje se bashkim – thotë Sarrazin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore