Kosova

Lista Serbe reagon pas arrestimit të Nenad Orloviç: U kidnapua edhe një qytetar i ndershëm


Lista Serbe.

Lista Serbe ka reaguar pas arrestimit të Nenad Orloviç nga Policia e Kosovës, për shkak të dyshimeve që kishte ushtruar dhunë ndaj pjesëtareve të KFOR-it më 29 maj.

Përmes një komunikate për media Lista Serbe ka thënë se arrestimi i tij është bërë pabaza.

“Një tjetër serb i nderuar Nenad Orloviç, është rrëmbyer sot në vendin e tij të punës në Mitrovicë nga regjimi i Kurtit, vetëm pak orë pas bisedimeve të përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, me Kurtin në Bruksel”.

“Arrestimet e pabaza dhe arbitrare po përdoren si metodë e dëbimit të të gjithë serbëve nga Kosova para syve të gjithë bashkësisë ndërkombëtare që me heshtje i dha hapësirë ​​Kurtit të merret me serbët”.

Tutje nga kjo parti është thënë se ky është plan i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Nenadi i cili është familjar, baba i katër fëmijëve ka punuar me kohë të pjesshme në një lavazh për të qëndruar në Kosovën e tij dhe për të mbajtur fëmijët e tij. Arrestimi i tij vazhdon planin e Kurtit me të cilin gjysma e serbëve duhet të dëbohen dhe gjysma të arrestohen”.

Të premten, policia ka arrestuar N.O., apo njohur dryshe me nofkat si “Nemac” dhe “Rusi”, pasi ka siguruar prova që i njëjti ka sulmuar ushtarët e KFOR-it me 28 nëntor, në protestën e dhunshme para ndërtesës komunale në Zveçan.

“Si rezultat i punës dhe hetimeve intensive të realizuara nga Policia e Kosovës, sot në orët e paradites është arrestuar i dyshuari mashkull serb N. O., me vendbanim në Mitrovicë Veri, i njohur me nofkat ‘Nemac’ dhe ‘Rusi’, si i dyshuar për përfshirje në rast të sulmit dhe rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare – KFOR-it”, thuhet në komunikatën e policisë.

“Rusi” dyshohet të jetë personi i njëjtë, fotografia e të cilit, duke goditur me pendrek ushtarët e KFOR-it, u shpërnda në rrjete sociale.

Që nga 26 maji tensionet në Veri të Kosovës u rritën si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për të instaluar kryetarët e sapozgjedhur në ndërtesat komunale nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Ndërsa më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, u përkeqësuan edhe më tej, pasi shteti i Serbisë, arrestoj tre zyrtarët policorë të Kosovës.

Serbia po pretendon se policët nga Kosova u arrestuan thellë brenda territorit të saj.

Në anën tjetër Kosova tha se ata ishin brenda territorit të vendit.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur kryeministrit Kurti, tri kërkesa sa i përket tensioneve: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve.

Arrestohet personi që sulmoi KFOR-in në Veri, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore