Shqipëria

Lëvizja Socialiste për Integrim bëhet “Partia e Lirisë”


LSI-ja nisi konventën e saj të pestë që nga formimi si forcë politike në vitin 2004 duke ndryshuar emrin nga “Lëvizja Socialiste për Integrim” në “Partia e Lirisë”.

Lajmi u bë i ditur nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari, i cili bazuar mbi ndryshime statutore, propozoi ndryshimin e emrit të partisë.

Pas dorëheqjes së kryetares Monika Kryemadhi, Braimllari gjithashtu i propozoi Konventës Kombëtare krijimin e Komitetit Organizator.

Ky i fundit, do të ketë për detyrë që të drejtojë partinë dhe ta përfaqësojë atë në të gjitha nivelet.

Si drejtues i Komitetit Organizator u zgjodh ish-lideri i LSI-së Ilir Meta, dhe zëvendëskryetar Agim Nesho.

Në fjalën hapëse, Braimllari u shpreh fillimisht se ky organizim ka të njëjtën rëndësi si themelimi i Partisë.

“Konventa Kombëtare që mbahet sot, ngjan për nga momenti kritik, me mbledhjen e parë të themelimit të saj, në vitin 2004. Për fat të keq, situata është rënduar më shumë se kurrë, ku demokracia shqiptare është sërish në rrezik të madh”.

Pas fjalës hapëse u zgjodhën edhe Kryesia e konventës, të cilët do të jenë Eriona Bixha, Jorida Prifti dhe Georges Gostivishti.

Fjala e Ilir Metës

Në fjalën e tij, ish-Presidenti i Shqipërisë dhe njëkohësisht themeluesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha se sovraniteti i Shqipërisë, së bashku me pavarësinë e Kosovës, janë në rrezik.

Ai gjithashtu premtoi që vjeshta do të sjellë llogaridhënien.

Meta, i cili ka qenë në rolin e Kryeministrit, Kryetarit të Parlamentit dhe të Presidentit tha se detyra e tij si Kryetar i Shtetit ishte ajo ku ndihej më mirë.

“Përfundova mandatin e parë si president dhe në këtë mënyrë pata eksperiencën e të provuarit të tre pozicioneve më të larta në këtë shtet, të kryeministrit, kryetarit të parlamentit dhe presidentit. Dikush më pyeti, nga këto të 3, ku je ndjerë më mirë? Pa diskutim, në detyrën e presidentit dhe mezi pres të rikthehem pas 25 vitesh për të përmbushur mandatin e dytë”.

Sipas ish-Presidentit, situata politike dhe ekonomike në Shqipëri kërkon ndërhyrje urgjente të të gjithë qytetarëve, pasi “kjo klasë politike” nuk mund të marrë përgjegjësi për ta.

“Na duhet shumë punë që Shqipëria të ketë një qeverisje normale dhe të gumëzhijë nga zërat e gëzuar e fëmijëve dhe të rinjtë. Situata kërkon ndërhyrje urgjente të të gjithë qytetarëve, të cilët duhet të marrin përgjegjësi pasi nuk mund më t’ia delegojnë përgjegjësitë e tyre kësaj klase politike”.

Në pesë vite si President, shtoi Meta, “kam qenë në një lartësi ku kam parë çdo gjë dhe fitova një këndvështrim të ri që më mungonte”.

Sipas ish-Presidentit, sovraniteti i Shqipërisë dhe pavarësia e Kosovës është në rrezik prandaj “kam një plan të mirëllogaritur për të ekzekutuar pluralizmin politik në Shqipëri”.

Ilir Meta deklaroi se Kryeministri shqiptar Edi Rama nuk është patriot, por bën “lojra me harta të Kosovës”.

“Ju mendoni se u nxeh vërtetë me kryeministrin e Kosovës dhe e hodhi në gjyq? Jo, mori porosi që të bëj një lajm ndërkombëtar. Kaq mjafton për të kuptuar kush është standardi ynë. Pastaj u tërhoq, sepse tha se u nxitova, jo u tërhoq se në gjyq ishin dhe dëshmitarët dhe do dilte se ky miku bëj lojëra me harta të Kosovës”.

“Mirë tregton pasuritë tonë, dhe do të tregtojë dhe hapësirat tona, por me Kosovës ça ka ky?”, pyet Meta.

Ish-Presidenti gjithashtu ngriti pyetjen për rolin e Presidentit serb, Aleksander Vuçiç në zgjedhjet parlamentare.

“Apo ju duket rastësi që presidenti i Serbisë na ndërhyri në fushatë elektorale në Shqipëri. Ç’punë ka ai kush do të fitojë në Shqipëri?”.

Duke vënë theksin në ekonominë e Shqipërisëm, Ilir Meta përmendi raportet e shumta ndërkombëtare të cilat e nxjerrin Shqipërinë si vendin më të varfër në rajon.

“Shqipëria ka nivelin më të ulët të shpenzimeve publike në rajon të prodhimeve të brendshme bruto. Shqipëria ka barrën më të lartë të biznesit në rajon.  Jemi vendi me ekonominë më pak prodhuese. Kemi pagën më të ulët në të gjithë rajonin. Shqipëria me nivelin më të lartë të çmimeve sipas Eurostat”, renditi Meta.

Sipas ish-Presidentit, janë rreth 64 mijë familje në 2021 në ndihmë ekonomike me një varfëri ekstreme, “me ndihmë mesatare mujore 9 mijë e 200 lekë”.

“Është rritur tej çdo fantazie kosto e jetesës prej rritjes galopante të çmimeve dhe mos rritjes së pagave”, vijoi ai.

Gjithashtu Meta përmendi edhe largimet nga Shqipërisë, ku tha së “për azilantët jemi kampion”.

“Sipas të dhënave, për periudhën janar 2019-gusht 2021, në raport me popullsinë nga Shqipëria kërkojnë 10 herë më shumë azil se nga Bosnja, 4 herë më shumë se nga Kosova, 12 herë më shumë se nga Mali i Zi dhe 9 herë më shumë krahasuar me Serbinë”.

Lajmi në përditësim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore