Kosova

LDK-ja do të dorëzojë kallëzim penal për punësimet e “militantëve të pushtetit në KEK”


Lidhja Demokratike e Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka paralajmëruar se do të dorëzojë kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në lidhje me punësimet e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Këtë e bërë të ditur LDK-ja përmes një komunikate dërguar mediave, kjo parti ka bërë të ditur se dorëzimi i kallëzimit penal do të bëhet në orën 14:00, një ditë pasi që Prokuroria njoftoi për nisjen e hetimeve për punësimet në KEK.

Ilustrim.

Me 5 prill, Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes një komunikate për media ka konfirmuar se pas raportimeve, kanë filluar hetimet në lidhje me punësimet e reja në një konkurs të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Prokuroria ka bërë të ditur se do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të këtyre pretendimeve, konform dispozitave ligjore në fuqi.

Ndryshe, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se plot 4668 qytetarë tanë kanë aplikuar për 128 vende pune në Korporatën Energjetike të Kosovës, por sipas tij, “ky aplikim i tyre nuk kishte fare rëndësi, sepse vendet e punës ishin të parandara për 40 familjarë e 80 militantë partiak të partisë në pushtet”.

“Ky është modeli i pushtetit në vend. Kapje e nepotizëm masiv i çdo vendi e çdo ndërmarrje pa dallim; dhe atë hapur e pa brengë. Ata që e arsyetojnë kapjen, që normalizojnë zëvendësimin e një kapësi me tjetrin, le t’iu flasin sot të katër mijë aplikantëve që janë refuzuar sepse s’kishin parti. Le t’i bindin tani – ata e familjet e tyre – se dëshpërimi e ikja nga ky vend nuk është alternativë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Ai ka shtuar se kanë ftuar Prokurorinë të nis hetimet mbi këtë proces skandaloz e korruptiv.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mohuar në mënyrë kategorike raportimet e disa mediave në Kosovë, se të punësuarit e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës kanë lidhje familjare apo janë militantë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nuk ka punësim të militantëve, ka komisione të cilët bëjnë një vlerësim pasi që ka teste edhe me shkrim edhe intervistim dhe gjithashtu ka edhe të drejtë ankese, nëse ka pasur ndonjë parregullsi apo padrejtësi ankesa dhe shqyrtimi do ta rregullojë”, ka thënë Kurti gjatë vizitës së tij në Radion në gjuhën rome në Prizren “Romano avazo”, kështu duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore