Kosova

Kurti për punësimin e “militantëve”: Të pakënaqurit mund të ankohen


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mohuar në mënyrë kategorike raportimet e disa mediave në Kosovë, se të punësuarit e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës kanë lidhje familjare apo janë militantë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nuk ka punësim të militantëve, ka komisione të cilët bëjnë një vlerësim pasi që ka teste edhe me shkrim edhe intervistim dhe gjithashtu ka edhe të drejtë ankese, nëse ka pasur ndonjë parregullsi apo padrejtësi ankesa dhe shqyrtimi do ta rregullojë”, ka thënë Kurti gjatë vizitës së tij në Radion në gjuhën rome në Prizren “Romano avazo”, kështu duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit.

Mjaftë e zëshme në lidhje me pretendimet se në KEK janë punësuar militantë të Lëvizjes Vetëvendosje, ishte edhe deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vlora Dumoshi, e cila përmes një statusi në rrjetin e saj social në Facebook kishte shkruar se “KEK-u po prodhon punësimin e familjarëve të Lëvizjes Vetëvendosje”.

“Trafostacioni i parë i qeverisë Kurti pas një procesi transparent hapi dyer të reja, për axhallarët e dajët në kapjen e Korporatës Energjetike të Kosovës. Tani, distribucionet e KEK – ut, fillojnë nga selia qendrore e Albin Kurtit. Në çdo vend ky titull mbanë emrin KAPJE. Asnjë kalkulim për 12 muaj nuk po ua ndal armatën e kushërinjve. Kjo bandë me mburrje trajton rritjen ekonomike në Republikë”, kishte shkruar Dumoshi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore