Kosova

Kurti takohet me Borrell dhe Lajçak, diskutojnë marrëveshjen kornizë dhe vendimin për targat


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me përfaqësuesin e Lartë për Politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe përfaqësuesin të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajçak.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Kurti, përmes një cicërime në rrjetin social Twitter’.

“Përpara Samitit të sotëm vjetor të Procesit të Berlinit, u takova me Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak për të diskutuar marrëveshjen kornizë të përqendruar në njohjen reciproke dhe çështje të tjera. Plaçkitja dhe djegia e veturave në veri të Kosovës është krim dhe duhet dënuar nga të gjithë”, ka shkruar Kurti.

Përmes një njoftimi edhe Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur detaje nga takimi.

“Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër, vendimi i fundit i Qeverisë për targat ilegale, çështja e energjisë dhe çështje tjera aktuale ishin temat qendrore të takimit”.

Në lidhje me zbatimin e vendimit për targat ilegale, kryeministri Kurti tha se “nëpërmjet sekuencimit në tri etapa dhe shkallë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka treguar vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend. Ndërkaq bëri thirrje që dëmtimi dhe djegia e veturave me targa RKS në veri të vendit të dënohet nga të gjithë”.

Sa i përket çështjes së energjisë, kryeministri foli për rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të udhërrëfyesit për energji, ndaj të cilit dakordim Republika e Kosovës dhe institucionet vartëse kanë treguar përgjegjshmëri të lartë duke përmbushur obligimet tona në kohë rekord.

Gjithashtu, takimin e ka bërë të ditur edhe Borrell.

“Mirë që takova kryeministrin Albin Kurti përpara Procesit të Berlinit. U diskutua për situatën në veri të Kosovës. Veprimet përçarëse, si djegia e makinave, janë të papranueshme, marrëveshjet e dialogut duhet të respektohen. Ftojmë të gjithë të veprojnë me përmbajtje. Ne diskutuam gjithashtu rrugën përpara për normalizimin”, ka shkruar ai.

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, ka pranuar që ta shkallëzojë vendimin për targat, duke mos i konfiskuar veturat me tabela ilegale, por fillimisht duke i qortuar, më pas në një afat tjetër gjobitur.

Shkallëzimi tjetër do të jetë vendosja për dy muaj e tabelave provuese dhe vetëm pas 21 prillit të vitit 2023. Kurti tha se do të konfiskohen targat ilegale KM.

“Për tri javë duke filluar nga 1 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Më pas, deri me 21 janar do të shpërndahen gjoba. Dhe pastaj, nga 21 janari, do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas secilës datë me 21 prill nuk mund të ketë, sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, shpjegoj Kurti në mbledhje të qeverisë.

Kryeministri e ka pranuar se ky ndryshim vendimi po vjen, si përgjigje e qeverisë “për ndjeshmërinë e shtuar edhe ndërkombëtare sa i përket paqes dhe sigurisë”.

Megjithatë për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, ShBA-të, prapë kanë shprehur pakënaqësi.

“SHBA-të janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për të bërë çfarë i kanë kërkuar partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në një komunikatë për media menjëherë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Se me vendimin e Qeverisë së Kosovës ShBA-të kanë mbetur të zhgënjyer e ka përsëritur edhe Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken, këtë të premte, përkundër se Qeveria pranoi që ta zbus vendimin për targat dhe të mos shkojë me konfiskime të veturave, por me qortime e gjoba.

Blinken duke folur për mediumin The Pavlovic Today, në intervistë me gazetaren Ksenija Pavlovic McAteer, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë “të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën e partnerëve ndërkombëtarë”, për ta shtyrë vendimin për 10 muaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore