Zgjedhjet në Shqipëri

Kryemadhi: “Durrësi nuk mund të ngelet peng i 3-4 duarve”


Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Monika Kryemadhi, të dielën në një takim në Durrës, ka akuzuar drejtuesit politikë lokal, se ky qytet “po mbahet peng”.

“Durrësi nuk mund të ngelet peng i tre apo katër duarve të cilët nuk përfaqësojnë asgjë dhe nuk kanë një diplomë të shkollës së mesme në xhep”, shprehet ajo.

Sipas saj, njerëzit janë mësuar të jetojnë nën presionin e administratës me kërcënime si “do të të heq nga puna, do të të prish murin, do të prish shtëpinë”.

“Ju kanë gënjyer tetë vjet. Se i gënjyet një herë në tetë vjet, mos të ju vrasë ndërgjegjja për ta” iu drejtohet ajo të rinjve.

Kryemadhi ka prezantuar programin ‘Mëso dhe Fito’ i propozuar nga kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim (LRI), Floida Kërpaçi. Programi përmban pesë prioritete, të cilat sipas Kryemadhit, janë “të realizueshme jo për pesë muaj, por për pesë ditë”.

“Strategjia e LSI-së është e fokusuar te votuesit për herë të parë, tek studentet, tek gjimnazistët. Ata janë e ardhmja e vendit, për ta lidhur rininë shqiptare me Shqipërinë”, shprehet ajo.

Kryemadhi u ka bërë thirrje të rinjve për sensibilizim ndaj përfshirjes së tyre në vendimmarrje dhe politikë-bërje. Ajo është shprehur se “duhet kthyer” te modeli i politikanit, i cili ulet gjunjë me gjunjë me njerëzit, i dëgjon hallet e tyre, bisedon me ta dhe mundohet për ti zgjidhur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore