Kosova

Kosovë: ZRRE e arsyeton vendimin për pagesën e energjisë në veri, vendimin e gjykatës për 40 milionë euro do ta apelojë


Ilustrim

40 milionë euro kompania turke KEDS është e detyruar t’i kthejë te qytetarët me vendim të shkallës së parë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, pas një ankese që e kishte ushtruar Avokati i Popullit për pagesën e rrymës në veri të vendit.

Albanian Post ka kërkuar nga KEDS një përgjigje për këtë vendim të Gjykatës, por kanë rekomanduar që sqarime të kërkohen nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

“Ne jemi kompani e rregulluar. Kjo çështje ka të bëjë me ZRRE-në dhe të gjitha vendimet i takojnë këtij institucioni. Për çdo informate ju lutem drejtojuni ZRRE-së”, ka qenë përgjigja e KEDS-it përmes postës elektronike.

Në ZRRE kanë sqaruar se vendimi për pagesën e energjisë elektrike në veri të Kosovës ka qenë pjesë e shqyrtimeve tarifore.

Përkundër që Albanian Post ka kërkuar sqarime se si ka ardhur deri te ky vendim, që energjia e shpenzuar të mos paguhet nga qytetarët e veriut, ZRRE është thirrur në ligje dhe rregulla.

“Vendimi për pranimin e humbjeve të veriut nuk është vendim i vetëm po ka qenë pjesë e vendimeve të shqyrtimeve tarifore, në të cilat janë pranuar si pjesë e të hyrave të lejuara maksimale edhe humbjet energjisë elektrike të cilat kryesisht kanë qenë jashtë kontrollit të të licencuarve. Vendimet janë marrë, ashtu siç kërkohet me ligjet dhe rregullat për përcaktimin e tarifave dhe çmimeve të energjisë”.

“Proceset e shqyrtimeve tarifore zhvillohen pas aplikimit të operatoreve për aprovimin e të hyrave të lejuara maksimale. Aplikacionet/kërkesat janë shqyrtuar në ZRRE dhe janë publikuar gjithmonë për diskutim publik. Pra, përveç stafit të ZRRE-së secila pale dhe secili person ka pasur të drejtë të jap komentet e tij”, kanë thënë për Albanian Post nga ZRRE.

Sipas këtij institucioni, vendimi i gjykatës do të apelohet në instanca më të larta. NË ZRRE nuk kanë sqaruar për përgjegjësinë që kanë për një vendim që gjykata e konsideron të kundërligjshëm dhe qytetarët janë dëmtuar 40 milionë euro.

“Apelimi i vendimeve te Bordit të ZRRE-së është procedure e paraparë me Ligj dhe ZRRE do t’i procesojë ato sipas ligjeve në fuqi, të cilat po ashtu parashohin edhe apelimet e vendimeve të gjykatave ne instance më të larta”.

Nga ZRRE kanë thënë se të gjitha bordet, edhe të më hershmet, kanë qenë pro që energjia elektrike e shpenzuar në veri të vendit të paguhet me taksat e qytetarëve, e jo nga ata që e kanë shpenzuar.

“Shqyrtimet tarifore janë zhvilluar që nga themelimi ZRRE dhe gjatë kësaj periudhe kanë qenë Borde të ndryshme. Emrat e anëtarëve të secilit Bord mund t’i gjeni në nënshkrimet e vendimeve të cilat janë publike në faqen elektronike zyrtare të ZRRE”, kanë thënë nga ZRRE.

Kurse, Avokati i Popullit kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që “të anulojë vendimin e ZRRE-së të datës gjashtë shkurt 2012 si të kundërligjshëm dhe të detyrohet që ZRRE që veprohet në bazë të ekspertizës që të ndërmarrë veprime që e obligojnë Shërbimin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS)”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“E cila duhet që të bëjë kthimin e shumës së faturuar, respektivisht kompensimin e dëmit të konsumatorëve për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të republikës së Kosovës në vlerë mbi 40 milion euro, për energjinë e pa shpenzuar, por të ngarkuar qytetarëve të republikës së Kosovës, jashtë katër komunave veriore të Kosovës”, shkruan në aktvendim.

Ndërkaq, me 6 maj të këtij viti Kuvendi i Kosovës kishte ndarë 11 milionë euro për pagesën  e faturave të energjisë elektrike për katër komunat veriore.

Me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar rekomandimet e Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Industri Ndërmarrësi, dhe Tregtisë, që t’iu alokohen mjetet financiare dhe përgjegjësitë, që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT, të bëjë pagesën e faturave të energjisë elektrike për serbët që jetojnë në katër komunat veriore të Kosovës.

Ministria e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, para deputetëve të Kosovës e kishte arsyetuar vendimin e propozuar me arsyetimin se duhet të “respektohen marrëveshjet e arritura më herët”, dhe se “qeveria po diskuton me KOSTT-in, ZRRE-në dhe departamentet përkatëse brenda ministrisë për hartimin dhe arritjen e marrëveshjes  brenda gjashtë muajve me “Elektro Severin”.

Këtë vendim të ekzekutivit e kishin kundërshtuar ashpër tri partitë parlamentare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore