Lajme

Pagesa e rrymës për komunat serbe në Veri – Gjykata shfuqizon vendimin


Ilustrim

Qytetarëve të Republikës së Kosovës nuk do t’u faturohet pagesa e mbi 40 milionë euro, shpenzime të energjisë elektrike për katër komunat veriore të Kosovës, të banuara kryesisht me serbë.

Katër komunave, me shumicë serbe në Veri të Kosovës, Qeveria nuk është e obliguar që t’ua paguajë më energjinë elektrike.

Kështu së paku thotë aktgjykimi i shkallës së parë, asaj të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila “ka shfuqizuar dhe shpallur të jashtëligjshëm, vendimin e ZRRE-së”, që të ndërmarrë veprime që e obligojnë Shërbimin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) në Prishtinë, që të bëjë kthimin e shumës së faturave, respektivisht kompensimin e dëmit të konsumatorëve për shfrytëzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës, për periudhën kohore nga 06.02.2012 deri më 20.10.2017, në vlerë prej 40 milionë e 855 mijë e 480 euro (40.855.480 euro).

Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë për shfuqizim të vendimit të ZRRE-së, për pagesë të energjisë elektrike në katër komunat veriore në Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë, departamenti për çështje civile, ka aprovuar kërkesën e Avokatit të Popullit, i cili në këtë rast ka paditur Zyrën e Rregullatorit për Energji në Prishtinë, në seancën e shqyrtimit, e cila është mbajtur më 15 shtator, por aktgjykimi i këtij rasti u bë publik këtë të hënë.

Avokati i Popullit ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që “të anuloj vendimin e ZRRE-së të datës gjashtë shkurt 2012 si të kundërligjshëm dhe të detyrohet që ZRRE që veprohet në bazë të ekspertizës që të ndërmarrë veprime që e obligojnë Shërbimin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS)”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“E cila duhet që të bëj kthimin e shumës së faturuar, respektivisht kompensimin e dëmit të konsumatorëve për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të republikës së Kosovës në vlerë mbi 40 milion euro, për energjinë e pa shpenzuar por të ngarkuar qytetarëve të republikës së Kosovës, jashtë katër komunave veriore të Kosovës”, shkruan në aktvendim.

Nëse nuk ankimohet për të vazhduar procesin gjyqësor në shkallën e dytë, në Gjykatën e Apelit, ky aktgjykim bëhet i plotfuqishëm.

Kuvendi i Kosovës ndan 11 milionë euro për pagesën e rrymës në Veri

Më 6 maj të këtij viti, 61 deputetë të Kuvendit të Kosovës kishin votuar rekomandimin e Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, që t’iu alokohen mjetet financiare prej 11 milionë eurosh Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut-KOSTT, për arsye të pagesës së faturave të energjisë elektrike për serbët që jetojnë në katër komunat Veriore të Kosovës.

Pas këtij vendimi, i menjëhershëm kishte qenë reagimi i opozitës.

Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar Qeverinë Kurti se, në kundërshtim me zotimet e saj, ka miratuar këtë vendim, duke shtuar se e njëjta Qeveri kishte anuluar shtesat prej 30 eurove për pensionistët.

Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, Qeveria Kurti po ndërmerr veprime, të cilat i kishte kundërshtuar si opozitë.

Ndërsa në reagimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ishte thënë se 11 milionë euro është shuma, të cilën duhet ta paguajnë “shumica e qytetarëve të Kosovës”, për një “pakicë e cila vetë dhe në bashkëpunim me Serbinë”, sfidon institucionet tona.

Në anën tjetër Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas miratimit të vendimit kishte deklaruar se ishte i imponuar, por që sipas tij me këtë vendim “nuk është se energjia e papaguar do të paguhet prej nesh”.

“Jemi në situatë të pafavorshme, nëse nuk kishim ndërmarrë diçka të tillë. Prandaj në njërën anë ka qenë një veprim i imponuar, ndërkaq në anën tjetër nuk është se energjia e papaguar do të paguhet prej nesh. Borxhi është borxh, nuk eliminohet, por ne po e menaxhojmë situatën”, kishte thënë Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore