Përballje

Kosova sfidohet nga Zvicra në testin miqësor


Sot (e marte) Kosova do ta zhvillojë testin e dytë miqësor për muajin mars, ku përballë do të ketë Zvicrën.

Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Letzigrund” të Cyrihut me fillim nga ora 18:00, ku pritet të jetë një përkrahje e madhe nga tifozët kosovarë.

Në fakt, sipas asaj që raportohet nga mediat zvicerane dhe ato kosovare, pritet që stadiumi të jetë i mbushur me mbi 50 për qind me tifozë verdhekaltër.

Interesant pritet të jetë ky duel edhe për faktin se për Zvicrën do të luajnë futbollistët nga Kosova: Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka e Andi Zeqiri.

Derisa edhe më speciale ndeshja do të jetë për Xhakën, i cili ndaj Kosovës do ta luajë ndeshjen e 100-të me fanellën e Zvicrës.

Sa i përket ekipit të Kosovës, kjo do të jetë vetëm ndeshja e dytë nën drejtimin e trajnerit francez, Alain Giresse.

Derisa Dardanët vijnë në këtë sfidë me një moral të lartë, pas fitores 5:0 ndaj Burkina Fasos në Prishtinë katër ditë më herët.

Ndërsa zviceranët vijnë në këtë përballje pas humbjes në miqësoren e kaluar nga Anlgia me rezultat 2:1.

Sa i përket mungesave, Kosova edhe në këtë sfidë do të jetë pa dy futbollistët titullarë si: Arbër Zeneli dhe Elbasan Rashani, ndërsa te ekipi helvetik nuk do të ketë ndonjë mungesë të theksuar.

Kjo ndeshje do të shërbejë për një përgatitje sa më të mirë të Dardanëve për Ligën e Kombeve dhe ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore