Kosova

KDI për largimin e zyrtarit të MINT-it nga puna: Të vërtetohet vendimi për shkarkimin e tij


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka reaguar pas largimit nga puna të sinjalizuesit publik Ermal Kutllovci, i cili ka qenë i përfshirë në zbulimin e skandalit lidhur me rezervat shtetërore, duke kërkuar që të vërtetohet vendimi për shkarkimin e tij.

KDI-ja, përmes një komunikate për media ka thënë se është duke përcjellur me shqetësim zhvillimet në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

“Duke marrë për bazë interesin e lartë publik në lidhje me rastin e keqpërdorimeve me rezerva shtetërore për të cilat janë duke u zhvilluar hetime nga organet përkatëse, është thelbësore që MINT të demonstrojë se vendimi për shkarkimin e Kutllovcit është i bazuar vetëm në shkelje disiplinore dhe nuk vjen si një përgjigje ndëshkuese ndaj aktivitetit të tij sinjalizues”, thuhet në komunikatën e KDI-së.

Ky institut ka bërë thirrje që masat ndëshkuese të mos shqiptohen ndaj atyre që sinjalizojnë mbi keqpërdorimet dhe parregullsitë.

“KDI bën thirrje që masat e tilla ndëshkuese të mos shqiptohen nga institucionet ndaj punonjësve që sinjalizojnë mbi keqpërdorimet dhe parregullsitë në vendin e punës, e aq më pak kur të njëjtit raportojnë mbi çështje që prekin interesin publik. Sinjalizuesit në Kosovë kanë mbrojtje të garantuar me ligji nga çdo veprim i dëmshëm që vjen si pasojë e sinjalizimit”.

Ermal Kutllovci, punonjës në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) të Kosovës, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të martën, njoftoi se u largua nga puna për shkak të ngritjes së zërit mbi keqpërdorimin e rezervës shtetërore nga institucioni që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari – rreth 10 milionë euro dyshohet se u keqpërdorën gjatë procesit në fjalë.

Autoritetet e Kosovës arrestuan tre persona në gusht të vitit të kaluar nën dyshimet se kanë bërë keqpërdorime sa u përket blerjeve të rezervave shtetërore – vaji dhe gruri i paguar për rezervat shtetërore nuk mbërriti kurrë në Kosovë – ndërsa të njëjtit u liruan më vonë për t’u mbrojtur në liri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore