Lajme

Ministrja Hajdari largon nga puna zyrtarin që sinjalizoi aferën e rezervës shtetërore


Ilustrim

Ermal Kutllovci, punonjës në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) të Kosovës, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të martën, njoftoi se u largua nga puna për shkak të ngritjes së zërit mbi keqpërdorimin e rezervës shtetërore nga institucioni që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari – rreth 10 milionë euro dyshohet se u keqpërdorën gjatë procesit në fjalë.

“Për informimin e drejtë e të sinqertë për gjithsecilin, unë jam zyrtari i cili i ka thënë JO një procesi të kundërligjshëm e me shumë të panjohura, siç ishte procesi i furnizimit me produkte për Rezervën Shtetërore në Vitin 2022”, shkroi Kutllovci, ndërsa shtoi se ministrja Hajdari edhe “kërcënoi hapur”, duke i thënë “mbylle gojën” pasuar nga inicimi i procedurës disiplinore.

“U trondita me sjelljen dhe tendencën e ministres Hajdari për të ndaluar e cenuar fjalën dhe mendimin e lirë e sidomos për çështjen e procedurës së furnizimit të rezervës shtetërore. Diskutimi im e shqetësoi dhe nervozoi tejmase, saqë e humbi tërësisht kontrollin dhe kërkoi hakmarrje para të gjithëve”, shkroi Kutllovci, i cili u shkarkua të martën nga pozita në MINT.

Ai nënvizoi se “urdhri politik” i ministres Hajdari u përfill “absolutisht nga komisioni disiplinor”, i cili, sipas tij, nxori një “vendim skandaloz” për shkëputjen e marrëdhënies së punës, madje e cilësoi “vendim arbitrar të diktuar e imponuar nga një presion i paparë politik” vetëm pse ngriti zërin për dallaveret e ministres së MINT-it rreth blerjes së rezervës shtetërore.

“Për gjithë ecurinë se çfarë ka ndodhur në realitet, mbase për konsistencën e qëndrueshme për të mirën e përgjithshme shumë shpejtë do e keni të pasqyruar në detaje”, paralajmëroi ai, duke i bërë thirrje organeve kosovare të drejtësisë dhe komisionit hetimor të Kuvendit të Kosovës ta zbardhin të vërtetën mbi keqpërdorimet gjatë procesit të blerjes së rezervës shtetërore.

Autoritetet e Kosovës arrestuan tre persona në gusht të vitit të kaluar nën dyshimet se kanë bërë keqpërdorime sa u përket blerjeve të rezervave shtetërore – vaji dhe gruri i paguar për rezervat shtetërore nuk mbërriti kurrë në Kosovë – ndërsa të njëjtit u liruan më vonë për t’u mbrojtur në liri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore