Kosova

INPO kërkon nga Kuvendi shfuqizimin e vendimit për këmbimin e pronave


Kuvendi i Kosovës.

Organizata joqeveritare INPO, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që ta shfuqizoj vendimin për këmbimin e pronave të paluajtshme komunale që dyshohet se është bërë mes ish-klientit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe biznesmenit Rrahman Haradini.

Kërkesën INPO e ka bërë përmes një komunikate për media.

“Organizata INPO fton Kuvendin e Komunës së Prishtinës që të shfuqizoj Vendimin Nr. 01-020/04-236518/23 të datës 26.12.2023, për këmbimin e pronës së paluajtshme komunale me pronën e paluajtshme në pronësi të Rrahman Haradinit dhe Shaban Konxhelit me qëllim të ruajtjes së ligjshmërisë dhe parandalimit të shpërdorimit eventual të pronës së paluajtshme komunale”.

“INPO ka bërë vlerësimin e vendimit për këmbimin e pronave mes komunës dhe personave fizik, dhe ka gjetur një varg shkeljesh dhe mos plotësim të kushteve ligjore, të cilat mund ti lexoni në linkun më poshtë”, thuhet në komunikatë.

Të enjten, ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) pezulloi vendimin e Komunës së Prishtinës për të kryer një këmbim ndërmjet pronës komunale dhe pronës private.

Në vendimin e MFPT të enjten mbi pezullimin e ekzekutimit të vendimit të Kuvendit të Komunës së Prishtinë lidhur me procedurën e vlerësimit të pronave të paluajtshme të cilat janë objekt i këmbimit, thuhet se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) tërhoqi ligjshmërinë e lëshuar dhe çështja është rikthyer për rivendosje në Kuvendin Komunal.

Procedura e vlerësimit, sipas MFPT-së, do të nisë kur të mënjanohen pengesat ligjore të evidentuara nga MAPL-ja. Prokuroria e Shtetit ka nisur edhe një hetim parapenal për vendimin e komunës së Prishtinës për këmbimin e pronës së kryeqytetit në lagjen “Prishtina e Re” me një tokë në Badoc e që dyshohet të jetë në pronësi të ish-klientëve të kryetarit Rama.

Në anën tjetër, kryetari i kryeqytetit mohoi të ketë pasur shkelje ligjore në procesin e këmbimit midis pronave komunale dhe pronave private në një konferencë për shtyp të enjten, ndërsa raportimet e mediave mbi rastin i cilësoi tendencioze për qëllim të denigrimit të qeverisjes së kryeqytetit.

(KOHA raportoi për herë të parë për dhënien e rreth 7 hektarëve në “Prishtina e Re” një biznesmeni kosovar, në këmbim të rreth 10 hektarëve që ky i fundit i kishte në pronësi në Badoc, vendbanim afër Graçanicës).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore