Kosova

Infermierët paralajmërojnë grevë: Pagesa për kujdestari u rrit veç 2 euro


Ilustrim.

Në rast se kërkesat për rritje të pagesës për ndërrimet e natës dhe pagesa për kujdestaritë për të shtunën e të dielën nuk merren parasysh infermierët e sektorit publik kanë paralajmëruar se do të hyjnë në grevë.

Nënkryetari i Shoqatës Sindikale të Infermierëve nga Qendra e Klinikës Universitare të Kosovës (QKUK), Mentor Sejdiu, gjatë një intervistë për televizionin publik u shpreh se ata si Sindikatë, janë të diskriminuar me Ligjin për Pagat.

“Edhe sot ka qarkulluar një tabelë për pagesën për kujdestari ku shihet edhe aty një diskriminim nga ata që për dëshirën e vet e rregulluan kujdestarinë me Ligjin për Pagat, por për infermierët asgjë”, tha Sejdiu.

Teksa ka bërë të ditur se kanë thirrur në takim kryetaren e sindikatës, Tevide Imeri.

Me të cilën deklaroi se do të bisedojnë dhe do të dalin me një përfundim se çfarë të bëjnë.

“Për infermierët, pagesa është vetëm 20 euro ndërrimi i natës, siç ka qenë edhe më herët, kurse të shtunën e të dielën nuk ka pagesa, dhe vazhdon avazi i vjetër”, tha Sejdiu.

Nga kryeministri kërkoi që t’i mbajë fjalët që i ka dhënë për barazi për të gjithë.

“Duhet t’i gjejë këta njerëz e t’i vendos para drejtësisë e jo vetëm për këtë pabarazi ndaj infermierëve, por edhe për stafin tjetër mbështetës”.

Ai shtoi se ndërrimi për tetë orë është paguar më parë 18 euro e tash paguhet 20 euro.

“Ta marrim shembull emergjencën ku ata që kanë punuar për interesa të veta, një ndërrim të natës e kanë 300 euro. Me Ligjin për Paga, 155% është rritur paga për mjekët, kurse për infermierët është 20 euro”, tha ai, duke shtuar se edhe infermierët e mjekët punojnë në një vend dhe pacientin e kanë të njëjtë.

“Është diskriminim total”, tha Sejdiu.

Stafi mjekësor i Kosovës, vazhdimisht kishte paralajmëruar për protesta për shkak të pakënaqësive të tyre.

Madje në muajin tetor të 2022 ndaj tyre u kërkua që të zbatojnë disa urdhëresa të cilat nga Shoqata Sindikale e Punëtorëve Shëndetësorë në QKUK konsideroheshin si diskriminuese për “infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësorë në QKUK”.

Disa nga këto rregulla ishin kontrollimi i punëtorëve shëndetësorë përmes pajisjeve teknologjike me pretendimet se deri tani është abuzuar me pauzat dhe oraret e punës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore