Euro 2020

Granit Xhaka nuk e mohon transferimin te Roma


Pas super ndeshjes së mbrëmshme, Granit Xhaka foli në konferencën për media, ku la të kuptohet, se transferimi i shumë përfolur te Roma, mund edhe të ndodhë.

“Të shohim gjërat në vazhdim, të gjithë e dinë që Roma është një klub i madh, por momentalisht unë jam lojtar i Arsenalit. Pas Kampionatit Evropian do të mendoj për të ardhmen. Është mirë të mësosh gjuhë të reja, kështu që në të ardhmen mund të mësoj edhe gjuhën italiane”, tha Xhaka.

Futbollisti me prejardhje nga Kosova, ishte fantastik në kualifikimin e Zvicrës në çerekfinale, pasi mposhtën Francën, vetëm pas ekzekutimit të penaltive.

Xhaka, ishte i papërmbajtshëm në festën e tij, pas këtij suksesi historik të Zvicrës, teksa tha se bashkë me shokët ata kishin shkruar historinë e përfaqësueses së Zvicrës.

“Çdo njeri do të krenohet me ne, pasi që kemi shkruar historinë e Zvicrës. Ne u rikthyem në lojë kur po humbnim me 3:1 kundër një ekipi të fortë siç është Franca. Tani në çerekfinale do të përballemi kundër Spanjës dhe jemi të vetëdijshëm se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë”, përfundoi kapiteni i Zvicrës.

Kujtojmë që Zvicra do të përballet në çerekfinale me Spanjën, të premten në ora 18:00 dhe në këtë sfidë nuk do të jetë i pranishëm Xhaka, për shkak të kartonëve të verdhë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore