FSHF publikon dokumentat që vërtetojnë transfertat në llogaritë zyrtare të Tiranës

SHFLETO
Romario Ismailaj
27.11.2021 15:13
Loading Icons...

Prej disa ditësh qendrën e vëmendjes në mediat sportive shqiptare e ka marrë çështja e bllokimit të llogarive bankare të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF).

E përditshja sportive “Panorama Sport” publikoi një artikull më 24 nëntor ku thuhej se FSHF-së i janë bllokuar llogaritë bankare nga përmbarimi.

Kjo për shkakun se paratë e dhëna nga UEFA dhe ato të të drejtave televizive që duhet t’i kalonin klubit të Tiranës (edhe klubi i ka llogaritë e bllokuara) janë depozituar në llogari të tjera, jo zyrtare të bardhebluve. Të ardhurat ishin për pjesëmarrjen e 25 herë kampionëve të Shqipërisë në Kupat e Evropës.

Pas akuzave, ka pasur përgjigje dhe kundërpërgjigje nga të gjithë aktorët e përmendur në këtë ngjarje si “Panorama Sport”, FSHF-ja dhe Klubi i Tiranës.

Të enjten e 25 nëntorit, po kjo e përditshme sportive shqiptare publikoi një tjetër artikull, ku pretendonte vërtetësin e shkrimit të një dite më parë. Edhe në këtë rast, ka reaguar si FSHF-ja, ashtu dhe Tirana.

Të shtunën e 27 nëntorit, institucioni më i lartë i futbollit në Shqipëri, FSHF-ja ka publikuar dokumentat zyrtare që vërtetojnë se transaksionet e parave janë bërë në llogaritë zyrtare të Tiranës në dy banka, “ABI Bank” dhe “Union Bank”.

“Federata Shqiptare e Futbollit, e akuzuar prej ditësh se ka bërë bërë pagesa anti-ligjore dhe jo në llogaritë zyrtare të KF Tirana, dëshiron të informojë opinionin publik dhe anëtarët e saj se këto akuza rrëzohen nga dokumentat e mëposhtme”, thuhet në njoftimin më të fundit nga FSHF-ja.

“Transaksionet e parave të mbërritura nga UEFA për klubin KF Tirana në 6 tetor 2020, janë kaluar në llogaritë zyrtare të klubit në ABI Bank dhe Union Bank, llogari të cilat dhe aktualisht që po ju dërgojmë këtë komunikim publik, janë të lira dhe kanë kryer pagesa”.

“FSHF ka qenë dhe mbetet e hapur për të bërë transparencë për çdo pretendim të individëve, mediave dhe anëtarëve të saj”, përfundon deklarata e federatës.