Sport

Skandali me fondet e UEFA-s, merr të tjera përmasa


Ditën e mërkurë të 24 nëntorit e përditshmja sportive shqiptare “Panorama Sport” zbuloi se përmbarimi ka bllokuar llogaritë bankare të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF). Kjo për shkak të transfertave të dyshimta që ky organ ka bërë me fondet e ardhura nga UEFA.

Zyra e përmbarimit më herët ka bllokuar edhe llogaritë e klubit të Tiranës. Fondet e ardhura nga UEFA për pjesëmarrjen e Tiranës në Kupat e Evropës dhe paratë e të drejtave televizive, FSHF nuk i ka derdhur në llogaritë bankare të klubit, por në llogari të tjera.

Çështja në fjalë, ka të bëjë me rreth 1 milion euro që jepen nga UEFA dhe rreth 65 mijë euro nga të drejtat televizive, që jepen nga FSHF-ja.

Ishte ky skandali që e përditshmja sportive “Panorama Sport” do të hapte faqen e parë të mërkurën e 24 nëntorit. Por, nuk do te vononte as kundërpërgjigjja e FSHF-së, duke e cilësuar artikullin si “shantazh” dhe “përbaltje” për institucionin më të lartë të futbollit në vend.

“Federata Shqiptare e Futbollit informon se në artikullin e publikuar ditën e sotme nuk ka asnjë të vërtetë të vetme”, thuhej në deklaratën e FSHF-së.

“Llogaritë e FSHF-së në bankat e nivelit të dytë në vend nuk janë të bllokuara dhe kjo mund të vërtetohet lehtësisht nga kushdo”.

“Çdo transfertë bankare është kryer në llogaritë zyrtare të klubeve. Federata nuk ka asnjë konflikt apo detyrim ndaj asnjë Zyre Përmbarimore në Republikën e Shqipërisë dhe aq më pak të ketë ndonjë kolaps financiar siç pretendohet në fletërrufenë e sotme”, vijonte deklarata e FSHF-së.

Ditën e enjte po kjo e përditshme ka publikuar dokumentin që vërteton se llogaritë bankare të federatës janë bllokuar.

“FSHF-së i janë bllokuar llogaritë nga zyra përmbarimore private më 11 nëntor të vitit 2021, ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit ka ngritur padi kundër këtij vendimi më 15 nëntor”,  thuhet në artikullin e gazetës që mban datën 25 nëntor.

“Seanca gjyqësore për këtë çështje është caktuar të mbahet më 6 dhjetor të këtij viti”, vijon artikulli.

Po sipas kësaj të përditshme, federata është njoftuar nga zyra përmbarimore se klubi Tirana i ka llogaritë të bllokuara dhe çdo transfertë që do të bëhet në arkat e bardhebluve do të duhet të njoftojnë përmbarimin, siç e parashikon edhe ligji.

Kur, FSHF nuk ka njoftuar përmbarimin, por i ka depozituar paratë në llogari të tjera, atëherë ata kanë bllokuar llogaritë e federatës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore