Sport

Bllokimi i llogarive bankare, reagon përsëri FSHF: Çakenjtë dhe qentë lehin për objektivat e veta


Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka reaguar përsëri mbi akuzat e ngritura se përmbarimi i ka bllokuar llogaritë bankare. E gjithë situata ka zënë vendin kryesor në mediat sportive shqiptare, ku ka pasur reagime dhe kundërreagime të shumta.

Dy ditë më parë, më 24 nëntor, e përditshmja sportive shqiptare “Panorama Sport”, publikoi një artikull në të cilin thuhej se përmbarimi ka bllokuar logaritë bankare të FSHF-së.

Kjo për shkakun se fondet e UEFA-s (1 milion euro) dhe ato nga të drejtat televizive (65 mijë euro) që duhet të shkonin në llogaritë e klubit të Tiranës, janë depozituar në llogari të tjera, pasi që edhe bardhebluve u janë bllokuar llogaritë më herët.

FSHF-ja dhe Tirana kanë reaguar më herët me deklarata zyrtare, duke i cilësuar këto lajme si “fake news” dhe se diçka e tillë nuk ka ndodhur në realitet.

Po kjo e përditshme sportive, të enjten e 25 nëntorit ka publikuar një tjetër artikull, për të vërtetuar lajmin e një dite më parë. Ndërkohë, edhe kundërpërgjigjet nga organi më i lartë i futbollit në vend nuk rreshtin.

Të premten e 26 nëntorit, ka ardhur dhe reagimi më i fundit zyrtar nga FSHF-ja.

“Federata Shqiptare e Futbollit e ndjen dhe e ka për detyrë të informojë komunitetin e futbollit, anëtarët e saj por edhe të gjithë opinion publik për atë që gjatë këtyre ditëve është trajtuar si skandal apo kolaps financiar i FSHF-së, me llogari të bllokuara, me rroga që nuk arrihen të jepen në kohë apo deri edhe në veprimtari anti-ligjore nëpërmjet transaksioneve në llogari të dyshimta”, thuhet në deklaratën e FSHF-së.

“Të gjitha pretendimet e ngritura prej dy ditësh nga media ‘Panorama Sport’ dhe “opinionistë” lidhen me një detyrim që klubi Tirana ka ndaj ish-sponsorit të saj në vitet ‘90, të ndjerit Metush Seferi”.

“Familja Seferi ka fituar gjyqin me klubin e Tiranës dhe për këtë detyrim, dhe me të drejtë, ka angazhuar një zyrë përmbarimore për vjeljen e detyrimit”.

“Zyra përmbarimore kërkon ta realizojë vjeljen e këtij detyrimi përmes bllokimit të të ardhurave që klubi Tirana siguron nëpërmjet pjesëmarrjes në kampionatin shqiptar dhe në kupat e Europës”, vijon deklarata.

“Përballë kësaj situate, klubi Tirana, e ka pezulluar ekzekutimin e këtij vendimi me një tjetër vendim gjykate”.

“Pra, bëhet fjalë për një konflikt mes klubit Tirana dhe ish-Presidentit, Metush Seferi. Në asnjë moment nuk ka pasur apo nuk ka një bllokim të fondeve apo të llogarive të Federatës Shqiptare të Futbollit nga të ardhurat që vijnë nga UEFA për pjesëmarrjen e klubeve shqiptare në kompeticionet europiane”.

“Në lidhje me akuzën e rëndë të bërë se paratë që klubi Tirana ka siguruar nga pjesëmarrja në Kupat e Europës një sezon më parë janë kaluar nëpër llogari të ndryshme nga llogaria e klubit, duhet të bëjmë përsëri me dije se të gjitha të ardhurat e UEFA-s kanë kaluar në llogaritë e klubit të Tiranës dhe nëse përmbaruesi nuk i ka marrë dot nga bankat, ky është problem mes përmbaruesit dhe bankës dhe jo Federatës Shqiptare të Futbollit që ka për detyrë që paratë e anëtarëve të saj t’i transferojë në llogaritë e tyre”.

“Pretendimi i tretë i ngritur këto ditë nga media se Federata Shqiptare e Futbollit është në kolaps financiar, duke hasur vështirësi në pagimin e punonjësve, është një e pavërtetë e madhe”.

“FSHF jo vetëm që nuk gjëndet në një situatë kolapsi financiar, por po vazhdon të kryejë aktivitetin e saj rregullisht dhe është duke kryer investime të rëndësishme në infrastrukturë”.

“Ky është detyrimi ynë për ju të dashur anëtare të familjes së futbollit dhe për ju të nderuar tifozë e dashamirës futbolli”.

“Ndërsa çakejtë e qentë që lehin për të realizuar objektivat e veta nuk meritojnë as vëmendje e as përgjigjen tonë”, përfundon deklarata e institucionit më të lartë të futbollit në Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore