Lajme

Francezët kanë preferuar të mbledhin mbi 1 milion euro për policin që vrau Nahel-in


Brigadier Florian M., 38 vjeç, me përvojë ushtarake në Afganistan, më pas 10 vite të patëmeta në polici, i dekoruar me dy medalje bronzi, vlerësuar nga kolegët e tij si “gjithçka veçse gjaknxehtë”.

Me një pagë që përllogaritej gati dy mijë euro në muaj.

Nëse karriera e tij do të kishte vazhduar pa ndërprerje, do t’i duhej të punonte 41 vjet duke kursyer të gjithë pagën e tij pa shpenzuar asnjë cent, për të arritur një milion.

Por – në vend të kësaj – të martën e 27 qershorit në Nanterre, në orën 08:19, Florian M. qëlloi me një gjuajtje në distancë.

Dhe ky plumb goditi krahun e majtë dhe më pas gjoksin e Nahel Merzouk, një francez 17-vjeçar me origjinë nga Algjeria.

Ai u ndalua sepse qarkullonte pa patentë (si herë të tjera në të kaluarën).

Nahel-i i tha shokut të tij se kishte ftohtë dhe kishte frikë se mos vdiste. Dhe ndodhi ajo që kishte frikë, asnjë përpjekje nuk mundi ta shpëtonte.

Franca, prej asaj kohe, ka përjetuar ditë tragjedie dhe zemërimi, dhimbjeje dhe më pas çmendurie, grabitjesh dhe shkatërrimesh.

Polici Florian M., në burg për akuzën e vrasjes me dashje, ka kërkuar falje nga familja e Nahel-it.

Por sot, një javë më vonë, Florian M. është praktikisht një milioner.

Përveç bashkive dhe bibliotekave të djegura, përveç dyqaneve të grabitura dhe kryebashkiakëve të sulmuar, nëse ka një gjë tjetër që mund të tregojë se sa urrejtje dhe sa ndarje ekziston në shoqërinë franceze, është suksesi masiv i koleksionit. “në mbështetje të familjes së policit, i cili bëri detyrën dhe që e paguan shtrenjtë sot”.

Florian M. nuk kërkoi asgjë, por tashmë është bërë hero për të paktën 50 mijë francezë, të cilët kanë marrë mundimin të shkojnë në platformën online GoFundMe dhe të bëjnë një dhuratë në favor të tij.

Objektivi fillestar ishte shumë më i përmbajtur, të mblidhte 50 mijë euro për të ndihmuar gruan dhe fëmijën e tij duke kompensuar humbjen e pagës në pritje të gjykimit dhe dënimit.

Por, mbrëmjen e djeshme në orën 19:00 totali ishte tashmë një milion e 151 mijë e 160 euro dhe shifra po rritet çdo minutë.

Promotori është Jean Messiha, një figurë e njohur në Francë për aftësitë e tij mediatike dhe bindjet e djathta ekstreme.

I krishterë, i lindur në Kajro, bir i një diplomati, i natyralizuar francez në moshën 20 vjeçare, Messiha bëri fushatë për Marine Le Pen për një kohë të gjatë.

Dje Messiha u gëzua. “Bravo të gjithëve dhe rroftë Franca!”.

Paçka protestave, drejtuesit amerikanë të platformës pohojnë se koleksioni është në përputhje me kushtet e shërbimit.

Një dënim i mundshëm mund ta vështirësojë ligjërisht dorëzimin e parave te polici, por thjesht fakti që janë mbledhur kaq shumë para është një paturpësi.

“Ka një shpërblim për jetën e djemve arabë dhe me ngjyrë”, ka thënë avokati Arié Alimi.

Nahe-li nuk kishte precedentë penalë, ndonëse herë të tjera ishte kapur duke drejtuar mjetin pa leje.

Për sjelljet e tij gjithsesi nuk parashikohet dënimi me vdekje.

Koleksioni në favor të familjes së tij, sërish në orën 19:00 të mbrëmjes së djeshme, mblodhi rreth 250 mijë euro, dhuruar nga 12 mijë njerëz.

Vdekja e Nahel-it sigurisht që nuk e justifikon rrënimin e këtyre ditëve, padyshim që këto janë gjëra që nuk kanë lidhje me të.

Por në përgjigje të këtyre shkatërrimeve, mbi 50 mijë francezë preferojnë t’u japin para atyre që e vranë.

Në shumë qytete, nga Lioni në Lorient, nga Angers në Chambéry, patrulla të bandave të së djathtës ekstreme janë shfaqur me shkopinj bejsbolli dhe hekura të gatshme për të marrë drejtësinë në duart e tyre me thirrjen e “On est chez nous”, kjo është shtëpia jonë.

Në një javë: një djalë ka vdekur, jeta e një polici ngrihet në piedestal, shkatërrimi material është i madh, shkatërrimi moral dhe shoqëror po ashtu.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore