Kosova

Bie njësia B1 në KEK


KEK.

Për shkak të rritjes së humbjes së ujit, pas mesnatës së të mërkurës ka rënë njësia B1 e cila shërben për furnizim me energji elektrike.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Skendër Bucolli.

“Njësia B-1 është ndaluar nga operimi me dt. 04.01.2024 pas mesnate si pasoj e rritjes së humbjes së ujit, njësia nuk është nominuar nga TC-B për dt. 05.01.2024. Sot ekspertët e TC-B-së kanë arritur të bëjnë defektazhën ku janë identifikuar disa rrjedhje në kaldajë”.

Ai tutje ka sqaruar se të njëjtat defekte pritet që të eliminohen deri të premten dhe njësia të kthehet në operim.

“Të cilat pritet të eliminohen deri nesër në mesditë, pastaj njësia do të kthehet në operim”, thotë Bucolli për AP.

Në vitin 2022, Kosova ishte përballur me krizë në sektorin e energjisë gjatë këtij viti kishte pasur rënie të vazhdueshme të njësive.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), kishte operuar me vetëm një njësi të Termocentralit A.

Edhe njësia B1 e po ashtu edhe njësia gjeneruese A3, e cila ishte duke operuar me fuqi prej rreth 130 MW/h, kishin rënë nga funksioni.

Më 7 dhjetor, Korporata Energjetike e Kosovës, kishte pranuar se nuk po mund të prodhojë sasinë e duhur të energjisë elektrike për shkak të vjetërsisë së njësive gjeneruese.

Kjo pasi ishte akuzuar nga Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim (KEDS) dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), për mos përmbajtje të planit të prodhimit të energjisë elektrike gjatë kohës së dimrit, gjë që po detyron këto dy kompani të importojnë energji elektrike mbi 1 milionë euro me baza ditore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore