Lajme

KEK pranon s’e nuk po mund të prodhojë sasinë e duhur të rrymës për shkak të vjetërsisë së pajisjeve


Ilustrim

Korporata Energjetike e Kosovës, ka pranuar se nuk po mund të prodhojë sasinë e duhur të energjisë elektrike për shkak të vjetërsisë së njësive gjeneruese, pasi të enjten, u akuzua nga Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim (KEDS) dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), për mos përmbajtje të planit të prodhimit të energjisë elektrike gjatë kohës së dimrit, gjë që po detyron këto dy kompani të importojnë energji elektrike mbi 1 milionë euro me baza ditore.

“Vlen të theksohet, se KEK në vazhdimësi dhe me përkushtim është duke bërë përpjekje për të përmbushur planin e prodhimit të cilin e ka deklaruar paraprakisht edhe pse në përditshmëri hasim në vështirësi të shumta për shkak të vjetërsisë së njësive gjeneruese”, thuhet në komunikatën për media.

Megjithatë, KEK, duke u përgjigjur në akuzat e KEDS e KESCO, ka thënë se të dy këto kompani nuk po pasqyrojnë gjendjen reale duke shkaktuar huti në opinion.

“Lidhur me këtë çështje, ju bëjmë me dije se KEK sipas marrëveshjes për furnizim me shumicë krijon obligim kontraktual, përkatësisht të deklarojë vetëm njësitë gjeneruese që ka në dispozicion në baza ditore dhe atë një ditë para. Tutje, për hire të korrektësisë dhe qartësimit të opinionit, KEK rithekson se bazuar në kushtet e licencave të gjenerimit, obligimi i KEK-ut mbetet vetëm prodhimi i energjisë elektrike, ndërsa obligimi i KESCO është furnizimi i konsumatorëve me energji elektrike”.

Çfarë deklaruan KEDS e KESCO?

KEDS dhe KESCO, njoftuan, se ma baza ditore po importojnë energji elektrike mbi 1 milionë euro, meqë KEK, sipas tyre, nuk po i përmbahet planit për prodhimin e energjisë elektrike gjatë kohës së dimrit.

Me rënien e temperaturave është rritur konsumi i energjisë elektrike në Kosovë, por sipas KEDS e KESCO, ka ndodhur edhe reduktimi i prodhimit vendor të energjisë elektrike.

“Për ta mbuluar këtë boshllëk, pra sasinë e munguar në mes të prodhimit dhe kërkesës, KEDS dhe KESCO po detyrohen të blejnë energji elektrike në vlerë mbi 1 milion euro në ditë. Në aspektin sasior të dy kompanitë bashkërisht po importojnë mbi 7 mijë e 500 megavat brenda 24 orëve ose deri në 400 megavat në orë”, thuhet në reagimin e kompanive.

Kërkesa, sipas tyre, ka arritur në mbi 1 mijë e 100 megavat në orë, ndërsa prodhimi vendor nuk mund të tejkalojë më tepër se 700 megavat në orë.

“Pra, po importohet në kohë piku mbi 35 për qind e energjisë elektrike që konsumohet nga konsumatorët. Prodhimi aktual është më i ulët se bilanci elektroenergjetik që na ishte paraqitur. Lidhur me këtë, ne kemi reaguar, duke kërkuar nga prodhuesi më i madh vendor, KEK-u, që t’i përmbahet planit, sepse çdo devijim nga plani, në këtë rast mbi 120 megavat në orë minus, paraqet barrë të rëndë për dy kompanitë dhe e vë në vështirësi komplet sistemin elektroenergjetik”, thuhet tutje.

KEDS dhe KESCO po importojnë mbi 1 milionë euro rrymë në ditë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore