Shqipëria

Basha: T’i japim fund paprekshmërisë së politikanëve


“T’i japim fund paprekshmërisë së politikanëve”.

Kjo ka qenë deklarata e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke iu referuar vetting-ut të politikanëve, paraditen e 4 shkurtit gjatë një takimi me strukturat e degës katër të PD-së në Tiranë.

Sipas Bashës vetting-u i politikanëve është shumë i rëndësishëm, dhe çdo akuzë që politikanët e tjerë kanë ndaj tij të drejtohen në Prokurorinë e Posaçme.

Kryedemokrati theksoi se kryeministri Edi Rama, ish-lideri i PD-së Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta janë bërë bashkë që të “shkatërrojnë demokratët”.

“Të parit pasi jemi pengesa e vetme për të vendosur sundimin politik, i dyti ‘o bëhuni mbulesë për mua o do t’ju shkatërroj’, për të tretin s’kam nevojë të bëj komente pasi gjithmonë ka investuar që të dobësohet PD-ja në forma dhe mënyra të ndryshme duke e goditur, duke e lajkatuar”, tha Basha në fjalën e tij referuar Ramës, Berishës dhe Metës.

Basha vijoi me akuzat ndaj Berishës duke e cilësuar si një person i cili po ndihmon Ramën për të fituar zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.

Këtu ai i referohet koalicionit mes Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit i PD-së – i dalë nga Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Berisha – dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, nën logon “Shtëpia e Lirisë’.

Sa i përket qeverisjes së Ramës, Basha shtoi se, “është më e korruptuara në Ballkan”. Kjo e fundit sipas tij është arsyeja numër një e varfërisë në vend.

Në përfundim ai vendosi theksin se PD-ja është një opozitë ballore pa kompromis ndaj Edi Ramës dhe parti e vlerave euroatlantike.

“O me demokratët dhe demokratët o me Ilir Metën për Edi Ramën”, e përmbylli Basha mesazhin e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore