Kosova

Azemi: Pas presionit sindikal, Komuna e Prishtinës ngriti pagat për punonjësit teknik të shkollave


Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës ka marrë vendim që punëtorëve teknikë të shkollave të Prishtinës, t’u rritet paga.

Lajmin e ka bërë të ditur Azemi përmes një e-mail të publikuar në rrjetin social ‘Facebook’.

“Përmes këtij emaili ju njoftojmë se paga bruto për punëtorët teknikë në kontratën e radhës do të jetë 300 euro. Gjithashtu ju njoftojmë që ashtu siç jemi dakorduar, do të bashkëpunojmë me cilindo operator ekonomik që do të përzgjidhet me procedurë të prokurimit, që të angazhojë punëtorët teknikë aktual, gjë që e cila është në vullnetin e operatorit”.

“Ju njoftoj që nëse nuk ofrohen shërbimet e mirëmbajtjes, sipas kontratës me kompaninë ‘Krasniqi’, si komunë detyrohemi që të mos bëjmë pagesën e faturave për operatorin ekonomik”, thuhet në emailin që Azemi e ka publikuar.

Sipas tij, me këtë vendim Komuna e Prishtinës ka lëvizur, mirëpo nuk dihet nëse do të pranojnë punonjësit.

Azemi një kërkesë të ngjashme e kishte pasur edhe ndaj ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ai në një bisedë për Albanian Post kishte pohuar se kompani të ndryshme kanë propozuar oferta për punëtorët e njëjtë që punojnë në këto institucione për të kryer punën e ngjashme, por me paga  më të larta.

“Do të bisedojmë për punëtorët që punojnë në spitale, kryesisht punëtorët teknik dhe ata të sigurimit fizik. Do t’i rekomandojmë ofertë për rritjen e pagave sepse kemi një ofertë nga kompanitë e tjera me paga më të larta rreth 400-450 euro për të njëjtën punë, ndërsa në spitalet e QKUK-së punëtorët paguhen në pagë prej 270 euro”, thotë Azemi për AP.

Duke paralajmëruar se në rast se nuk do të ketë ngritje të pagave, atëherë punëtorët do të largohen.

Pas publikimit të vlerës së koeficientit për ligjin e pagave nga Qeveria e Kosovës, sektori privat më 1 shkurt kishte dalur me kërkesë që punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizik që janë të punësuar nga ky sektor të paguhen duke u bazuar në koeficientin që është caktuar nga ekzekutivi.

Kërkesa ishte bërë nga kryetari i Federatës Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK), Jusuf Azemi, përmes një letër dërguar kryeministrit Albin Kurti, dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore